“SI GJITHMONË I JUAJI…”, KUR NJË HERË PËR NE?!

- ALEKSANDËR ÇIPA -

Tramundana reaguese e këtyre ditëve brenda socialistëve shqiptarë dhe aleatëve të tyre në partitë e vogla, do të vijojë ende. Është gati po aq e rëndë sa edhe akti i pabesueshëm koalicionar i Ilir Metës në 2005 me zotin Sali Berisha, për një qeverisje djathtisto-majtiste. Kjo antonimi politike bashkëjetoi në dy mandate dhe të dy aktorët e koalicionit mbetën të kënaqur dhe u ndanë pa antagonizëm.

- ALEKSANDËR ÇIPA -

Nëse shkrimi sqarues i kreut të PS-së, Edi Rama, “Si gjithmonë i juaji…”, ka vlerën e një përgjigjeje të parë, për lëvizjen më të bujshme politike të ditëve të fundit, që shënon zyrtarisht bashkimin në koalicion të dy forcave PS-LSI, atëherë cinizmi i skeptikëve mund të përfaqësohet ndër të tjera edhe përmes pyetjes retorike: “Kur një herë për ne?”.

Por tashmë, kjo lëvizje politike është bërë, siç do të thoshte ish-presidenti Berisha dikur, një “proces i pakthyeshëm”. Ky bashkim i kryer zyrtarisht, e ka shpërfillur tabunë morale. As njeri e as tjetri, domethënë dy të bashkuarit Meta dhe Rama, nuk kanë pasur në karrierën dhe jetën e tyre publike, kompleks dhe besnikëri ndaj kritereve volteriane, domethënë ndaj tabuve morale. Mes ikjes së Ilir Metës nga korpusi i së majtës në 2005 dhe rikthimit të tij në fundmandatin e dytë qeverisës me korpusin e së djathtës, është një realitet me shumë prova shëmtuese dhe brendi morali të shembur deri në llumësi. Ajo çka ka ngjarë mes tyre dhe bindjeve vlerësuese të elektoratit shqiptar, do të provohet në rezultatin e 23 qershorit të këtij viti. Kanë preferuar të shpërfillin shumë aspekte të brendisë, për të rënë dakord për një skemë, të cilën shumëkush prej komentonjësve në shtypin shqiptar këto ditë e konsideron si “fitoren aritmetikore” të planifikuar. Mund të ndodhë kështu, por çka është serioze në këtë ndryshim të beftë dhe të kuruar deri diku mirë në raport me suportin e majtistëve europianë, ka lidhje me “sovranin”. Është momenti që dy aktorët e ndarjes së deritanishme politike Meta-Rama, sipas logjikës “për inat të sim-vëllai, shkoj e fle me millonanë”, të kenë një strategji të përbashkët për mishërimin e ndërgjegjes së tyre bashkuese.

A janë bashkuar ndërgjegjet politike të tyre, apo thjesht është subjekti i një bashkimi për një administrim mandati, brenda të cilit dhe pas të cilit shqiptarët do të jenë sërish të detyruar të presin një serial të ri telenovelash majtiste? Në kushtet e një kohe të paktë tashmë elektorale, socialistët nuk e kanë më komfortin të çelin një fushatë debati të brendshëm, për çështjen e re bashkuese. Problem i tyre i madh është programi dhe oferta e re elektorale. Nuk ka rënë “Rilindja” si strukturë programore, por është shembur brendia morale e saj. Në këtë plan, një aspekt i krizës serioze të shoqërisë, detyrimisht është lënë në fuqi. Kjo është kriza morale, për të cilën edhe sikur nga një akt i vërtetë pastërtie të dilte bashkimi i së majtës së tanishme shqiptare, vështirë se do të triumfonte katharsisi, si proces i shumëkërkuar dhe gati utopik.

Por akti i ri bashkues mes Ramës dhe Metës, nuk është quajtur deri tani një ribashkim, edhe pse në të vërtetë po ngjet bashkimi i dy pjesëve më masive të së majtës zyrtare në vend. Dhe kjo ndoshta ka lidhje me atë skepticizmin që është ende në fuqi, jo vetëm si perceptim i publikut dhe elektoratit të majtë, por si e vërtetë e qenësishme në politikën e sotme të së majtës shqiptare.

Tramundana reaguese e këtyre ditëve brenda socialistëve shqiptarë dhe aleatëve të tyre në partitë e vogla, do të vijojë ende. Është gati po aq e rëndë sa edhe akti i pabesueshëm koalicionar i Ilir Metës në 2005 me zotin Sali Berisha, për një qeverisje djathtisto-majtiste. Kjo antonimi politike bashkëjetoi në dy mandate dhe të dy aktorët e koalicionit mbetën të kënaqur dhe u ndanë pa antagonizëm. Ndonëse në jetën e ndërmjetme të tyre, shpërthyen vullkanshëm skandale dhe akuza, denoncime dhe abuzime. Dosja e akuzave publike për abuzivizmin ekonomik dhe degradimin mitmarrës të administratës, vetëm sa iu hap disa herë kapaku, por asnjëherë nuk u shfletua faqe më faqe. Këtë dosje nuk e bëri ndonjë institucion, por sytë e publikut dhe afishimet qytetare. Tashmë, kjo dosje e paprotokolluar institucionalisht, por e disponueshme në memorie dhe dijeninë publike, ka për të qenë edhe një “qelë e kyçur”, por edhe një “As” shantazhues. Ditët elektorale kanë për ta provuar, ndërsa vitet qeverisëse pas 23 qershorit, pashmangshmërisht kanë për ta përdorur në mënyra dhe gojë të ndryshme.

Sidoqoftë, tashmë zoti Rama ka ikur, ndoshta si lexues i parë, prej subjektit të “Kurbanit”. Është në një rrugë për “histori të re” dhe meqenëse spikat se gjeneron më shumë vlera shkrimore se sa politikë, le të mbesim në besimin se do ta fitojë në kohën e duhur betejën me skepticizmin më të ri të elektoratit majtist.

Historia e re e tij, fillon sërish nga më e vështira. Bashkimi Rama-Meta, i çmuar sa një tradhti e mëparshme socialiste, vetëm sa ka çelur siparin. Është akti shpallës, por ende jo formalizues. Në dy selitë do të ngrihen grupet e hartimit dhe të përpunimit detajues të përmbajtjes së aktmarrëveshjes. Një punë bilaterale që kurrsesi nuk ngjet në situatë diskutimesh dhe interesimesh bilaterale partiake. Si do të ndahen e pajtohen interesat reciproke? Si do të evitohet apo do të ruhet arkitektura e ndarjes së pushtetit në qeverisjen e pretenduar të pas 23 qershorit? Do të jetë kjo një simetri mes qeverisjes së deritanishme Berisha-Meta, apo do të skicohet dhe krijohet skema e një modeli të ri si brenda familjes majtiste?! Ndër rreziqet që shtohen është edhe ajo që ka lidhje me mendësinë se “në udhë e sipër, do të ndajmë gjërat”. Të gjitha këto dilema, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pyetjen në fuqi që ngre aktualisht shumica e socialistëve të duruar e të lodhur të tetë vjetëve të fundit. Edhe pse kreu i tyre zyrtar i sqaroi dhe u dha përgjigje përmes shkrimit “I juaji si gjithmonë Edi Rama”, ata vijojnë të presin në pyetjen e tyre: “Kur veç një herë për ne”? Kësaj here, nëse ai nuk e fiton betejën për këtë përgjigje të kërkuar, nuk do të ketë përballë më Berishën, por ortakun e rikthyer që ia shndërroi realisht “Rilindjen” në “Lirindje”, vërsnikun e paskrupullt e të fuqishëm, Metën. Sidoqoftë, në bashkimin e kontestuar tashmë, ka triumfuar filozofia e qëllimit mbi gjithçka. Nuk është një histori e re, por një histori e vjetër që rikapitulohet për të rrëzuar një politikan të vjetër dhe pa u bazuar në një platformë të re për histori të re. Matanë kësaj platforme, majtistët e distancuar nuk rezultojnë të fituar dhe duke qenë pamundësisht fitues, së paku nuk duhet ta lënë votën e shtuar të të pakënaqurve majtistë në mëshirë të fatit, por as në fat të pavlefshëm.

Shqip

Read 589 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 14 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…