Udhëzim për të kapërcyer mbi kufomën e Berishës!

    Sali Berisha hyri në politikë në zgjedhjet e para të vitit 1991, duke vrarë katër të rinj të Shkodrës që kërkonin zgjedhje të lira, dhe po ikën nga politika duke bërë si akt të fundit kriminal vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, që protestonin kundër tij në bulevard. Ky është i vetmi shpjegim për numrin 44 të tij, të cilin duhet ta shikoni të dielën si një shenjë djalli në politikën shqiptare.

Mero Baze

Sali Berisha ka humbur qetësinë. Pak orë para fillimit të procesit të votimit, ai ka mobilizuar një ushtri të tërë nga administrata shtetërore, ku hyjnë policë, doganierë, njerëz me biznese të lidhur me pushtetin, të liruar nga burgjet dhe militantë të papërgjegjshëm, të cilët po prodhojnë një gjeografi dhune të pashembullt fizike, psikologjike dhe politike në gjithë vendin. Disa orë para zgjedhjeve, Shqipëria është e mbushur me njerëz me fytyra të gjakosura, të rrahur nga pushteti për vota, njerëz të frikësuar nga pushteti që duhet të fotografojnë votën në shkëmbim të vendit të punës, njerëz të varfër në hall që u ofrohen lek në shkëmbim të votës dhe njerëz të kapur nga paranoja se ky njeri do të riprishë zgjedhjet për të qëndruar mbi ujë si kufomë e padekompozuar.

Dhuna është identiteti i tij në historinë e politikës shqiptare dhe ai nuk mund të mos e shfaqte dhe ditën e fundit në pushtet. Ai hyri në politikë në zgjedhjet e para të vitit 1991, duke vrarë katër të rinj të Shkodrës që kërkonin zgjedhje të lira, dhe po ikën nga politika duke bërë si akt të fundit kriminal vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, që protestonin kundër tij në bulevard. Ky është i vetmi shpjegim për numrin 44 të tij, të cilin duhet ta shikoni të dielën si një shenjë djalli në politikën shqiptare. Në të gjithë karrierën e tij 22 vjeçare në pluralizëm, dhuna ka diktuar momentet kyçe të jetës së tij politike. Dhuna ka diktuar 31 marsin, dhuna ka diktuar mbajtjen e pushtetit në mandatin e parë, dhuna ka diktuar përplasjen me median kritike deri në vitin 1997, dhuna ka diktuar në zgjedhjet e vitit 1996, dhuna ka arritur kulmin dhe ka çuar Shqipërinë drejt greminës në vitin 1997, dhuna e ka mbajtur atë në opozitë të gjallë. Me rikthimin në pushtet në vitin 2005, dhuna ndryshoi historinë e tij politike në Gërdec, ku biznesi që lobonte i biri i tij, varrosi të gjallë 26 vetë, dhuna diktoi sjelljen e tij ndaj institucioneve të drejtësisë, presidentit, kryeprokurores e SHISH, dhuna diktoi sjelljen e tij ndaj medias kritike dhe së fundmi dhuna diktoi vrasjen me urdhër të tij të katër qytetarëve të pafajshëm. Për 22 vjet ky njeri nuk ka asnjë histori paqe as me veten, as me shqiptarët. Ndaj sot, që është një moment kyç për Shqipërinë, ai po shfaqet sërish i dhunshëm.

Në këto 22 vite, ai ka dëshmuar aftësinë për të shndërruar në piramidë të paqeverisshme Shqipërinë. Në vitin 1997 ai u detyrua të dorëzojë pushtetin pas revoltave për rënien e demokracisë dhe humbjen e kursimeve të shqiptarëve, pasi ai shndërroi ekonominë e xhepave të tyre në piramida korruptive, përmes të cilave shpresonte të ngjallte iluzione mirëqenie dhe të maskonte korrupsionin.

Sot, pas tetë vitesh në pushtet, ai ka shndërruar në piramidë buxhetin e shtetit shqiptar, investimet e çdo shqiptari në një ekonomi fallco dhe ka minuar perspektivën e një zhvillimi normal ekonomik, duke kthyer çdo investitor në hallexhi përmes politikës së borxheve dhe kredive të pambështetura, dhe shkallës së lartë të ndikimit të pushtetit të Familjes së tij në ekonomi.

Sot, pas tetë vitesh, ai ka kthyer dhe vetë Shqipërinë në plaçkë tregu. Ai i fali ujërat Greqisë, jo se është pro- grek, por se i duhej mbështetja e Greqisë të qëndronte në pushtet. Ai i hapi dyert mafies serbo- boshnjake në Shqipëri, jo se e do shumë fisin e gruas në Serbi, por se ata i siguruan skemën si bënte miliardere në një kohë të shkurtër Familjen. Ai ndryshonte nga tradhtar në patriot brenda 24 orëve, duke shkatërruar imazhin e Shqipërisë vetëm nga interesi për pushtetin. Ai provoi se për të ka vetëm një interes, një Shqipëri që qeveriset nga ai. Çdo Shqipëri tjetër ishte gati ta shiste e ta dërrmonte në thundrën e mafies.

Por kryetipari i pushtetit të Sali Berishës këto 22 vite, është shndërrimi i pushtetit personal në pushtet familjar. Familja e Sali Berishës, gruaja, djali dhe vajza e tij, janë sot njerëzit e vetëm të pushtetshëm në këtë vend. Mbesa e fundit e Sali Berishës, dhe ajo që ende nuk kupton, ka më shumë pushtet se një anëtare e kryesisë së PD-së, dhe të mbaron punë më shpejt se një ministër. Në këtë aspekt, ky është pushteti që do të ikë dhe do t’u dhimbet më pak shqiptarëve. Demokratët e thjeshtë nuk humbasin asgjë me ikjen e Sali Berishës. Ata nuk kishin asgjë në dorë këto tetë vite. Ata po ikin duke u poshtëruar të fotografojnë votën dhe t’ia tregojnë Familjes. Por ata kanë nesër një ditë të madhe. Ata nuk duhet të poshtërohen duke treguar votën e tyre, pasi pasnesër në zyrat e shtetit nuk do të jetë Sali Berisha dhe mund t’u kthehet në problem poshtërimi që ai po përpiqet t’u bëjë.

Ai po tenton t’i përdorë policët e thjeshtë, të cilët nuk humbasin asgjë nesër kur të humbasë Sali Berisha. Ata thjesht nuk do të kenë më ministër idiot si Flamur Noka, dhe do të jenë të lirë të bëjnë detyrën e tyre pa i detyruar dikush të hyjnë në luftë vëllavrasëse.

Kjo është e diela e fundit e Shqipërisë me Sali Berishën në krye. Ai do të bëjë ç’është e mundur që kjo ditë të zgjatet përtej të hënës. Do të përpiqet të vjedhë votat, të prishë procesin, të përdorë Kolegjin, të përdorë ndërkombëtarë të korruptuar dhe të na humbasë durimin. Ai do të përpiqet t’i ndajë shqiptarët në njerëz që humbasin bashkë me të, dhe njerëz që fitojnë bashkë me të.

Mos u gënjeni prej tij! Nesër humbasin vetëm katër shqiptarë, vetëm ata që kanë pasur pushtetin këto vite. Ata janë Saliu, Liria, Shkëlzeni dhe Argita. Ata humbasin sigurinë për të ruajtur miliardat që kanë bërë, me të cilat duan të riblejnë pushtetin. Ka aq gjak dhe të vrarë në tetë vite për t’u bërë ata miliarderë, sa ata nuk e blejnë dot më historinë e tyre. Le t’i përcjellim me qetësi si kufoma të gjalla, që duan të na helmojnë të ardhmen. Dhe nëse rezistojnë të ikin, është mirë të mbyllin pak sytë dhe të kujtojnë kufomat e vërteta që i kanë shkaktuar këtij vendi nga etja për para dhe pushtet. Ato janë e vetmja hipotekë e miliardave dhe pushtetit të tyre. Një hipotekë që s’do t’i lërë të qetë as në botën tjetër!

Tema

Read 1352 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 14 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…