Komploti kundër Kushtetutës (dhe një letër e Withers-it)

Nga Andrea Stefani
Pak ditë më parë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, ndërsa zhvillohej një tryezë për reformën në drejtësi, ishin prezentë shumica e aktorëve të investuar në ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008. Nga pala shqiptare mungonte opozita e PD.


Mbi 7 vjet pasi Parlamenti i Shqipërisë mori vendim për të ndryshuar disa nene të Kushtetutës së Republikës edhe ndërkombëtarët po mbështesin pa ekuivok nevojën e disa ndryshimeve të tjera të Kushtetutës. Por këtë herë, për të korrigjuar pikërisht ato ndryshime që u bënë në prill të vitit 2008! Përse? Sepse mjaft nga ato ndryshime kanë rezultuar tejet të gabuara dhe kundërproduktive në raport me sistemin e demokracisë liberal-kushtetuese që themelohet mbi parimin e ndarjes dhe barazpeshimit të pushteteve. Shkurt, ndërkombëtarët e dinë se që reforma në drejtësi të ketë shanse suksesi, duhen zhbërë një pjesë e asaj “reforme kushtetuese” që u votua, vite më parë, një mesnatë prilli, po me pëlqimin e ndërkombëtarëve! Përse ndërkombëtarët jo vetëm toleruan, por përshëndetën ndryshimin nga Kuvendi i Shqipërisë, me votat e bashkuara të PD dhe PS, të Kushtetutës së Republikës në natën e 21 prillit 2008? Përse u shfaqën të shurdhër ndaj atyre zërave që i kundërshtuan këto ndryshime madje edhe protestuan fort kundër tyre? Dhe në mos nuk i dëgjonin dot ata zëra, përse u shfaqën të verbër ndaj parimeve klasike të demokracisë liberale që ato deformime të Kushtetutës i dhunonin aq hapur?!

***

Analiza e sistemit të drejtësisë, një libër voluminoz i përpiluar nga një grup ekspertësh vendas e të huaj në funksion të reformës në drejtësi, nis me çështjen e Presidentit të Republikës saktësisht, me mënyrën si zgjidhet ai. Tashmë, është bërë një shqetësim fakti që kreu i shtetit zgjidhet vetëm me shumicë të thjeshtë parlamentare pra, edhe vetëm me votat e mjafta për zgjedhjen e qeverisë. Dhe me të drejtë specialistët kanë konstatuar që zgjedhja në këtë mënyrë e një Presidenti, në thelb partiak dhe jo të pranuar nga të gjitha palët, jo vetëm nuk ka nxitur konsensusin politik në vend duke dëmtuar edhe ndarjen e balancimin e pushteteve, edhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) deri edhe ushtrimin e si duhet nga vetë Presidenti por edhe Parlamenti, të kompetencave kushtetuese lidhur me sistemin e drejtësisë. Ndaj analiza sugjeron nevojën e ndryshimit të kësaj situate të krijuar me ndryshimet e Kushtetutës në 2008. Dhe prandaj nuk mund të mos të pyesësh përsëri: Mirë politikanët shqiptarë që, kush më shumë e kush më pak, e kanë në gen nga një dell autokratizmi, po këta ndërkombëtarët ç’patën që e toleruan ato ndryshime të mbrapshta që vetëm me demokracinë dhe lirinë nuk kishin asnjë lidhje?

***

Pak ditë më parë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, ndërsa zhvillohej një tryezë për reformën në drejtësi, ishin prezentë shumica e aktorëve të investuar në ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008. Nga pala shqiptare mungonte opozita e PD. Por nga ndërkombëtarët ishin të gjithë, edhe përfaqësuesit e BE, edhe të OSBE edhe ambasada e SHBA madje, edhe përfaqësuesi i Komisionit të Venecias. Dhe të gjithë folën shumë mirë për nevojën e pavarësimit real të drejtësisë nga politika dhe korrupsioni, për ndarjen e pushteteve dhe rëndësinë jetësore që kanë gjëra të tilla për demokracinë. Madje, theksuan se këto duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët dhe të mos i presin nga ndërkombëtarët. Folën në bazë të principeve të demokracisë. Por mos vallë këto principe të çmuara dhe vitale, nuk i dinin përfaqësuesit e po këtyre institucioneve, ambasadave apo përfaqësive të nderuara 8 vite më parë kur miratonin ndryshime të Kushtetutës krejt në kundërshtim me to? Shqipëria, pushteti i drejtësisë në Shqipëri, ka patur një kosto shumë të madhe për shkak të atyre ndryshimeve. Prandaj kemi të drejtë të pyesim: A janë në gjendje ndërkombëtarët dhe institucionet e tyre, t’i përmbahen parimeve të demokracisë dhe lirisë pavarësisht ndërrimit periodik të personelit të tyre?  Sepse është vetëm një devocion i tillë që garanton një diplomaci të qëndrueshme, pavarësisht kohërave dhe njerëzve, në favor të demokracisë dhe lirisë. I jemi sot mirënjohës ndërkombëtarëve që po mbështesin reformën në drejtësi. Por ndërkaq, ata i detyrohen një ndjesë shqiptarëve për tolerimin, në mos sugjerimin, e atyre ndryshimeve të Kushtetutës pa të cilat, edhe drejtësia shqiptare nuk do të kish degraduar në pushtet të padrejtësisë. Natyrisht, ambasadori amerikan Lu, ambasadorja e BE Vlahutin, ambasadori i OSBE Raunig nuk kanë asnjë përgjegjësi personale. Por mbetet përgjegjësia e institucioneve apo diplomacive që ata drejtojnë.

***

I vetmi deri më sot, që ka kërkuar falje publike nga aktorët kryesorë të asaj kundër-reforme quhet Edi Rama. Ja çfarë shkruhet në librin “Kurban” për ato ndryshime që në fakt, bënë kurban ndarjen e pushteteve dhe që sipas po Ramës: “…për hir të së vërtetës, rezultuan në një pjesë të tyre të pamatura mirë me kalimin e kohës, vetë mënyra sesi u kryen la atëherë shumë për të dëshiruar në opinionin publik, ku zërat e pakompromentuar kundërshtues…u dëgjuan fort dhe sot ka arsye për të kërkuar ndjesë publike që s’u mor parasysh ai shqetësim i ngritur me të madhe dhe për të mos lejuar më asnjëherë një praktikë të ngjashme…”. Kjo ndjesë nuk është thjesht një standard etik. Është provë mësimi nga një gabim dhe si e tillë, garanci për mos përsëritjen e gabimit. Por garancia themelore, është ajo e sistemit të institucioneve të pavarura që pikërisht ato ndryshime të prillit 2008, e minuan rrezikshëm. Dhe investimi i qeverisë Rama ndaj një reforme që synon pikërisht krijimin e pushtetit të pavarur të drejtësisë, shpresojmë se është provë e shtuar e dedikimit për sistemin.

***

Vite më parë, kam publikuar një artikull mirënjohjeje për John L. Withers II, ish-ambasador i SHBA në Tiranë. E falenderoja sepse për disa vjet, edhe pse larg Shqipërisë dhe jo më në detyrën e ambasadorit, u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe të dedikuar, ndër pak zëra të tillë në radhët e ndërkombëtarëve, në mbështetje të demokracisë dhe kundër kërcënimit të një pushteti autokratik. Por sot e vërteta më detyron t’i drejtoj një qortim. Për heshtjen e mbajtur nga ambasada e SHBA në ato ditë të vështira të prillit 2008. Dhe kush hesht para një të keqeje, e pranon atë.

***

Në librin “Komploti Kundër Lirisë” jam përpjekur të analizoj Pse-të e qëndrimit të ndërkombëtarëve që, nuk shkonte në favor të fuqizimit të një sistemi të demokracisë liberale në Shqipëri. Dhe kam arritur në përfundimin se në ato momente, kryesisht për shkak të konfliktualitetit të pafund politik në Shqipëri, ata u dorëzuan dhe duket ranë dakord mes tyre, se shqiptarët nuk e bëjnë dot demokracinë liberale. Dhe se për hir të një stabiliteti, deri edhe rajonal, do të ishte më realiste instalimi i një demokrature, domethënë, i një autokratizmi “demokratik”. Forma më e sofistikuar e këtij qëndrimi, është një opinion “amicus curie” dërguar, në favor të ndryshimeve të Kushtetutës, nga Komisioni i Venecias dhe që te “Komploti” e kam stigmatizuar jo pa revoltë “armikus curie”! Kur edhe ky institucion, i famshëm për mbrojtjen e parimeve kushtetuese të demokracisë u pajtua me çorbën e 21 prillit, nuk kishte si mos dyshoje për komplot dhe të bërtisje deri në kupë të qiellit: Edhe ti o Brut?! Shkurt, Shqipërisë ju ofrua një formulë stabiliteti por jo lirie. Dhe kjo ishte krejt në kundërshtim me thirrjen: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

***

Në artikullin mirënjohës ndaj ambasadorit Withers, pata nënvizuar se parimet universale të lirisë nuk kanë vlerë vetëm për vendet e mëdha; se ato nuk duhen mbrojtur vetëm atëherë kur përputhen me interesa strategjike të shteteve të mëdha. Ato duhen mbrojtur kudo ku ka njerëz. Ndryshe përse janë universale?! I pata shkruar këto radhë edhe me mllef për ato qëndrime krejtësisht të mjegullta, madje edhe në kundërshtim me parimet universale në fjalë, që kishin mbajtur jo pak ndërkombëtarë. Dhe ambasadori Withers më shkruante: “Në ato rreshta, në pak fjalë të thjeshta, ndesh parimin tim udhëheqës, si diplomat dhe si banor i thjeshtë i globit. Gjithashtu besoj se ato fjalë shprehin edhe elementin kyç se si SHBA i përqaset botës: Një element që na ka dalluar ne (amerikanët) si komb nga shumë të tjerë në trajtimin e fqinjëve; një element që nuk mund të lejojmë ta humbasim pa një kosto të rëndë të një statusi që e gëzojmë për kaq gjatë. Dhe ne nuk mund të tolerojmë humbjen e tij, jo vetëm në Rusi apo në Kinë, ne nuk mund të lejojmë të humbasim atë edhe në Shqipëri”.
Gazeta DITA

Read 520 times Last modified on Saturday, 17 June 2017 16:21
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 28 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…