Pse PD nuk do njohë zgjedhjet!

- Nga Andrea Stefani -
Sali Berisha, lideri real i PD, ka dhënë sinjale se rezultati i zgjedhjeve nuk do të njihet. Në një emision në televizionin “ABC”, zhvilluar dy ditë më parë, Berisha deklaroi se zgjedhjet e të dielës janë më të pabarabarta se ato të vitit 1997. Si padashur, duke ju referuar vitit të tragjik ’97, Berisha ka parathënë një humbje katastrofike për PD dhe koalicionin e saj.



Sali Berisha, lideri real i PD, ka dhënë sinjale se rezultati i zgjedhjeve nuk do të njihet. Në një emision në televizionin “ABC”, zhvilluar dy ditë më parë, Berisha deklaroi se zgjedhjet e të dielës janë më të pabarabarta se ato të vitit 1997. Si padashur, duke ju referuar vitit të tragjik ’97, Berisha ka parathënë një humbje katastrofike për PD dhe koalicionin e saj. Sepse në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, PD humbi thellë kryesisht për shkak kolapsit të piramidave financiare. Të toleruara dhe inkurajuara në gjysmë ilegalitet nga vetë qeveria e PD, piramidat gllabëruan kursimet e gjysmës së shqiptarëve duke shkaktuar një krizë politike që precipitoi deri në thuajse rrënimin e shtetit. Dhe si rëndom edhe në të kaluarën, kur ka qenë në disfatë, Berisha shantazhon me destabilitet të vendit por natyrisht, duke fajësuar për këtë plan të vetin, rivalin politik, kryeministrin Rama. Ky i fundit, sipas Berishës, është vënë në krye të kriminalizimit dhe prandaj po e çon vendin në destabilitet.

Me shumë vështirësi, mes qarjeve e pretendimeve për blerje votash nga opozita, Berisha, i njohu zgjedhjet e 2013-ës, edhe pse ato e rrëzuan nga pushteti. Ishte e qartë se nuk kishte asnjë rrugë tjetër. Sepse do qe e vështirë të besohej që një opozitë mund të të vjedhë pushtetin. Aq më tepër, një autokrati si Berisha që pas 8 vjet qeverisjeje i kish në dorë të gjitha institucionet e shtetit. Sot situata paraqitet e përmbysur: Berisha nuk ka rrugë tjetër veçse të mos njohë zgjedhjet! Një kurs që determinohet nga disa faktorë, ndër të cilët, vendimtarë do të jenë: 1 – ekstremizmi i tij populist i rrënjosur tek turmat fanatike; 2 – frika nga një ofensivë antikorrupsion që po ravijëzohet në horizontin e shtetit dhe 3 – mosha e vetë Berishës.

***

Ndërsa pranonte humbjen e zgjedhjeve dy vite më parë, Berisha nxitoi t’u bënte militantëve të përlotur edhe premtimin për një rikthim shumë të shpejtë, “blitz krieg”, në pushtet. Dhe ankthi e padurimi i rikthimit në pushtet, ka karakterizuar gjithë këtë periudhë thuajse dy vjeçare të PD në opozitë. Jo më kot, disfata e 23 qershorit është vizatuar si aksidentale, si e pamerituar, si padrejtësi dhe qeverisja PS-LSI, si një e keqe që duhej dhe do të ndalej shumë shpejt. Por të gjitha tentativat për të imponuar zgjedhjet e parakohshme kanë dështuar. Akuzat për vendosjen e “diktaturës së proletariatit” që Berisha i nxjerr sa herë bie nga “fiku”, s’i dëgjon më njeri. Qeveria perceptohet nga ndërkombëtarët si partner normal i Perëndimit dhe PD, edhe për shkak të mbikëqyrjes së tyre, është sot e detyruar t’i bindet logjikës së sistemit dhe të hyjë në një palë zgjedhje që sipas jo pak testimeve të publikut, duket se do t’i humbë po aq thellë, në mos edhe më thellë, se zgjedhjet e dy viteve më parë. Kjo ka çuar në një rënie morale në masën e elektoratit fanatik berishist të ushqyer, po nga vetë Berisha sa qe kryeministër, me idenë e një pushteti që do vazhdonte, të paktën, deri në vitin 2017.

***

Askush më shumë se Berisha vetë, nuk e kupton se sa e rrezikshme është kjo situatë disfatizmi për një lidership që e ka bazuar suksesin në një entuziazëm turmash, fanatizmi i të cilave ushqehet në mënyrë të qëndrueshme, me anë të dorovitjeve nga qeveria, të përfitimeve antishtet që shkojnë nga tolerimi i vjedhjes së energjisë elektrike, evazionit fiskal, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit e deri tek koncesionet e tenderët korruptivë për elitën e kësaj mase fanatike të partisë. Berisha e di se i vetmi mjet për bllokuar përhapjen e frymës së disfatizmit asgjësues në kampin blu, është pikërisht ringjallja e shpresës për rikthim imediat në pushtet përmes galvanizimit të situatës. Ai e di po ashtu se mbështetja e turmave fanatike, që janë mësuar të ushqehen nga lëmoshat e pushtetit, mund të ruhet edhe në kohë disfate, nëse mbahet gjallë shpresa e rikthimit imediat në pushtet. Prandaj edhe fushata e PD në këto zgjedhje lokale u zhvillua me synimin e shpallur nga Basha, që në rast rezultati pozitiv për PD, të shërbente si premisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe meqenëse kjo nuk ka gjasa të ndodhë, është e pritshme që disfata e PD të pasohet jo vetëm nga mosnjohja e rezultatit (me pretendimin klasik për parregullsi dhe vjedhje votash) por edhe nga deri bojkoti i Parlamentit dhe përshkallëzimi i protestave që edhe kur mungojnë shkaqet reale, nuk është vështirë të gjenerohen me pretekste.

***

Por rikthimi me urgjencë në pushtet nuk lidhet vetëm me një gjakim organik të autokratit Berisha. Prapa kësaj etheje qëndron edhe frika e madhe e tij, si dhe e klanit të korruptuar rreth tij, për rrezikun e një fushate antikorrupsion që po përgatitet edhe me mbështetjen e ndërkombëtareve. Tashmë, është bërë e qartë se, pas mbi 25 vjet thuajse paqeje me krimin dhe korrupsionin, lufta kundër tyre është një nga objektivat kryesorë që Shqipëria duhet të plotësojë për të avancuar në procesin e integrimit me BE dhe marrjen e statusit të kandidatit. Dhe kush mund të qe nën goditje kryesore në një rast të tillë, përveçse jo pak nga eksponentë e një qeverisje 8 vjeçare me një korrupsion të njohur botërisht dhe superskandale të pandëshkuara korruptive dhe kriminale si ato të rrugës Durrës- Kukës, Gërdeci apo 21 Janari?

***

Bojkoti, protestat, do t’i shërbenin Berishës për dy qëllime. Për të krijuar një situatë destabiliteti që, duke patur parasysh, siç është dëshmuar në jo pak raste, edhe nervat e dobësuara apo vëmendjen e topitur të ndërkombëtarëve kur bëhet fjalë për shtete si Shqipëria, do të pengonte punën për reformën në drejtësi dhe thellimin e antikorrupsionit, për t’u përqendruar tek ruajtja e stabilitetit që jo rrallë është shpallur i shenjtë, edhe nga ndërkombëtarët. Berisha ja ka dalë deri më sot që t’i shantazhojë ndërkombëtarët dhe politikën shqiptare me destabilitet duke bërë që përballë gjasave të tij tmerronjëse, çdo objektiv tjetër të shfaqej i parëndësishëm dhe pra, i neglizhueshëm. Pra, pse të mos e përdorë përsëri? Dhe efektshmëria e këtij shantazhi qëndron në raport të drejtë me masivitetin e protestave për organizmin e të cilave Berisha do shfrytëzojë edhe pasojat e një krize ekonomike që nuk u prodhua nga qeveria Rama por që përkundrazi, u la të thellohej për më shumë se 4 vjet, nga një papërgjegjshmëri populiste prej vetë qeverisë Berisha. Çështja është se deri edhe për sa kohë shqiptarët në radhë të parë, por edhe komuniteti ndërkombëtar, do lejojnë që fati i Shqipërisë të mbetet i mbërthyer në zinxhirët e një shantazhi që gjenerohet nga kulti i një autokrati të panginjur me pushtet e pasuri?!

***

Kështu ajo që pritet të ndodhë pas zgjedhjeve nuk do të jetë e paparë. I tërhequr në prapaskenën e zgjedhjeve, ujku i vjetër nuk do mungojë, me shumë gjasa, ta rrisë profilin e tij të “liderit të vetëm që sjell fitoren” drejt një beteje më vendimtare për pushtetin. Shkurt pas disfatës së paralajmëruar të zgjedhjeve lokale, Berishës i mbetet të jetë Berisha. Ashtu siç ka qenë këtu e 25 vjet. Bojkotues, kundërshtues, protestues deri në momentin e rimarrjes së pushtetit. Gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë sa më shumë kohë kalon. Sepse koha nuk punon më për të. Sepse ndryshe nga një e kaluar që s’vjen më, ndërkombëtarët nuk do të jenë të gatshëm të mbështesin të vetmin dinozaur politik të mbetur që nga koha e Murit të Berlinit. Së pari, sepse, edhe nga këndvështrimi i interesave gjeopolitike që vështirë të neglizhohen nga ndërkombëtarët, Berisha nuk përfaqëson më liderin e dikurshëm me ndikim tutorial në lidershipin shqiptar në rajon (Maqedoni, Kosovë) dhe së dyti, sepse tashmë pas rreth 25 vjet kur Berisha hyri në politikë si sjellës i demokracisë antikomuniste, vetë jetëgjatësia e tij politike, shkon përkundër një ideali demokratiko-liberal. Prandaj, edhe miqtë e afishuar të tij në të djathtën europiane apo SHBA, do ta kenë të vështirë ta mbështesin si dikur me motivin se po mbështesin një demokrat përkundër rrezikut komunist në Shqipëri. Aq më tepër, kur tek e majta shqiptare, ndërkombëtarët jo vetëm nuk shohin si Berisha, një forcë komuniste por, përkundrazi, një forcë properëndimore të denjë për bashkëpunim jo vetëm në avancimin e demokracisë në Shqipëri, por dhe konservimin e paqes në Ballkan. Rolet janë ndërruar. Ndërsa deri para disa vitesh ishte PS që, si e prejardhur nga partia komuniste, shikohej me skepticizëm si potencial anti-sistem, sot është PD që po perceptohet gjithnjë e më shumë si një forcë e tillë. Dhe mosnjohja e zgjedhjeve nga Berisha, do ta përforcojë përshtypjen se PD, nën udhëheqjen e tij, ka degraduar në një forcë që refuzon të pranojë sistemin e demokracisë liberale dhe vullnetin e votuesve që imponon ajo.
GAZETA DITA

Read 572 times Last modified on Saturday, 17 June 2017 16:21
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 17 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…