Lidhjet e Xhafer Devës me shefin e Hitlerit për Ballkanin


Xhaver Deva ju prezantua Herman Neubacher (i Plotfuqishmi gjerman për Ballkanin) nga Obst von KOHOUTEK (shikoni paragrafin G (9) në Beograd, në shtator të 1943. DEVA, rreth 40 vjeç është një shqiptar mysliman. Ai është nga Distrikti i Kosovës, Serbi dhe ka studiuar në Shqipëri.



Në një dokument arkivor sjellë në shqip nga Auron Tare, botuar nga DITA që vjen nga dosjet e deklasifikuara të Zbulimit Amerikan të Ushtrisë, kemi dëshminë e një prej personaliteteve gjermane më të rëndësishëm për çështjet e Ballkanit gjatë L2B, Herman Neubaher.

Neubaher, i Plotfuqishmi gjerman për Ballkanin, gjatë marrjes në pyetje nga ekspertët e Zbulimit Amerikan të cilët ishin të interesuar për të marrë të dhëna ndaj të gjitha personaliteteve ballkanike që kishin bashkëpunuar me autoritetet gjermane gjatë periudhës së pushtimit gjerman, ka dëshmuar edhe mbi disa prej bashkëpunëtorëve shqiptarë.

Dëshmia e Neubaher është mjaft e gjatë dhe me mjaft informacione shumë interesante mbi këndvështrimin gjerman ndaj Ballkanit dhe popullsive në këtë zonë, ku padyshim Shqipëria zë një vend të rëndësishëm.

Megjithëse Neubaher ka lënë një libër me kujtimet e tij për periudhën e angazhimit të tij politik në Ballkan, dokumentet që vijnë nga arkivi amerikan janë shumë interesantë dhe mjaft të veçanta, pasi ato janë marrë në kushtet e investigimit të ushtrisë amerikane.

Ndër shqiptarët për të cilët Neubaher ka dëshmuar përpara autoriteteve të Shërbimit Sekret Ushtarak Amerikan, është edhe një prej njerëzve me histori mjaft të debatueshme mbi rolin e tij në bashkëpunimin me gjermanët, Xhafer Deva.

Deva la gjurmë në historinë shqiptare për dy momente mjaft kulmore në periudhën e pushtimit gjerman: Krijimi i Divizionit SS “Skanderbeg” dhe masakra e 4 shkurtit.

Të dyja këto momente janë debatuar dhe në përgjithësi janë dënuar nga historiografia që është marrë me këtë periudhë.

Interesant është fakti se autoritetet amerikane, me gjithë informacioni që kanë pasur mbi Devën, nuk e kanë arrestuar dhe dënuar atë në lidhje mbi aktivitetin e tij politik në dobi të çështjes gjermane në Ballkan.

Sigurisht që masakra e 4 shkurtit është një njollë e zezë në karrierën politike të Devës, por funksionarët e zbulimit amerikan e kanë parë atë si një person potencial kundër influencës komuniste në Ballkan- analizon Tare

Në fakt, duke parë se rreziku komunist do të ishte kërcënimi më serioz i interesave te tyre në të ardhmen, amerikanët toleruan apo angazhuan shumë elementë pro gjermanë të njohur si antikomunistë në operacione të Kundërzbulimit amerikan.

Rasti më i njohur është rrjeti i zbulimit i njohur si “Shërbimi i Gjeneralit Gehlen”, një rrjet i agjenturës gjermane, e cila pas luftës u vu në shërbim të Zbulimit amerikan kundër interesave sovjetike.

Mbi aktivitetin e Xhaver Devës në emigracion nuk ka shumë të dhëna deri më tani, por me sa duket edhe pse me një të kaluar pro gjermane, Xhafer Deva u la i lirë.

Ai jetoi në Vjenë për një kohë të gjatë dhe më vonë u transferua në Amerikë, ku edhe vdiq.

Bashkëshortja e tij amerikane, ish-drejtuesja e bibliotekës së universitetit të Kalifornisë, u nda nga jeta vetëm 4 vite më parë (2012) duke mos botuar asgjë nga kujtimet e Xhafer Devës, të cilat sipas disa të njohurve të tij janë akoma në dorëshkrim.

Xhafer Deva i përkiste asaj klase intelektualësh kosovarë të cilët shpëtimin nga zgjedha serbe e shikonin tek mbështetja e Gjermanisë, një këndvështrim që historia e provoi të gabuar, të gabuar po aq sa edhe zgjidhja internacionaliste që do t’i jepte komunizmi kësaj çështjeje madhore për kombin shqiptar.

Gjithsesi, Deva e meriton një studim të mëtejshëm.

SEKRET

GI Nr.36 KUARTETI

Forcat e Shteteve të Bashkuara

Qendra e Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë

APO 757 – RAPORT I NDËRMJETËM (CI – IIR) NR.36

I Burgosur: NEUBAHER, HERMAN

29 Janar 1946

DAHAVER DEVA (Xhaver Deva)

Xhaver Deva ju prezantua Herman Neubacher (i Plotfuqishmi gjerman për Ballkanin) nga Obst von KOHOUTEK (shikoni paragrafin G (9) në Beograd, në shtator të 1943. DEVA, rreth 40 vjeç është një shqiptar mysliman. Ai është nga Distrikti i Kosovës, Serbi dhe ka studiuar në Shqipëri.

Ai është një nacionalist shqiptar i vendosur dhe me ndjenja të forta antikomuniste. Ai mban syze dhe nga pamja e parë duket jo më shumë se një mësues i një shkolle të mesme.

Pas kapitullimit italian, DEVA organizoi Komitetin Nacional Shqiptar, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë në 14 shtator të 1943. Komiteti zgjodhi një Qeveri të përkohshme dhe DEVA kërkoi njohjen zyrtare gjermane nëpërmjet Neubaher.

NEUBAHER thekson se ata lejuan zgjedhje të lira për përfaqësuesit e Parlamentit Kombëtar. Parlamenti zgjodhi Këshillin e Regjencës si dhe formoi Qeverinë e Përhershme. DEVA shërbeu si ministër i Brendshëm nën kryeministrin Rexhep Mitrovica në të dyja Qeveritë, në atë të përkohshme dhe në atë të përhershme.

Ai konsideronte si objektivin e tij primar revanshin kundër komunistëve.

Ai përfaqësonte kosovarët (shqiptarët nga provinca e Kosovës në Serbi) në Qeverinë shqiptare. Sipas Neubaher, popullsia e këtij distrikti furnizoi elementët më aktivë në politikën shqiptare. Ata ishin nacionalistë dhe kundërshtonin çfarëdolloj ndërhyrjeje nga jashtë.

Në përgjithësi ishin të pasur dhe si rrjedhim, ishin kundër komunizmit.

Përveç kreut të Regjencës, Mehdi bej Frashëri, DEVA (dhe jo kryeministri Mitrovica) ishte personi më me influencë në Shqipëri.

Kur Fiqiri Dino themeloi një Qeveri të re në maj-qershor 1944, Deva dha dorëheqjen si pasojë e një sëmundjeje. Ai shkoi në Vjenë për t’u mjekuar si dhe për konsultime mjekësore.

Gjatë verës së 1944, DEVA u bë President i “Ligës Kosovare”, një organizatë nacionaliste shqiptare e cila nuk pranonte Serbinë dhe Malin e Zi. Ai konsideronte si mision të tij, organizimin e një qendre nacionaliste në Shqipëri për “Shqipërinë e Madhe”. Për ta përmbushur këtë mision, atij ju desh që të largonte grupimet e vjetra pro DRAGES dhe të BEJLEREVE, grupime pro italiane në Kosovë, të cilat në fakt ishin shumë me influencë.

Këta liderë përfaqësonin një mentalitet të vjetruar Levantin, e cila lejonte influencën e shefave të klaneve.

DEVA mendonte që të qëndronte në Kosovë pas tërheqjes gjermane, në mënyrë që të luftonte kundër forcave të TITO-s. Ai u detyrua që të hiqte dorë nga kjo ide, pasi autoritetet gjermane nuk e furnizuan dot në kohën e duhur me materiale dhe municione të nevojshme.

Si rezultat, DEVA erdhi në Zagreb në nëntor të 1944, nga ku më pas fluturoi në Vjenë së bashku me Neubaher. Ai mori pjesë në formimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar në Vjenë, nën KITZBUHEL si dhe me pjesëtarët e zyrës së Neubaher.

Ai është përpjekur që të shkojë në Zvicër në maj të 1945, dhe me sa ka dijeni Neubaher, ai ka arritur që të kalojë në Zvicër. Përpara se ai të largohej për në Zvicër, DEVA dhe Neubaher kanë biseduar mbi mundësinë e futjes së Devës në Shqiperi nëpërmjet Italisë së Jugut apo Greqisë së Veriut.

Mbi këtë mundësi, Neubaher i ka thënë Devës që, “raporto pranë gjeneralit SCOBIE dhe jepi të falat e mia më të mira dhe mundohu që të shikosh gjendjen e Shqipërisë nga Greqia e Veriut”!

DITA

Read 773 times Last modified on Friday, 16 June 2017 16:02
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 12 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…