LANÇ në dokumentet arkivore anglo-amerikane

Departamenti i Shtetit të SHBA në nëntor 1945: “Ka shumë dëshmi të marra nga shërbimi sekret britanik dhe amerikan, që Kupi dhe pasuesit e tij pas tetorit 1943 u ngatërruan në bashkëpunim me gjermanët dhe regjimin kukull të Tiranës”.



Nga Fitim Çaushi

Pas viteve ’90, disa herë është tentuar për rishikimin e historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pjesa e shëndoshë e popullit shqiptar, nuk sensibilizohet nga këto tentativa dështake, sepse e dinë se me degjenerimin e një partie komuniste në një a më shumë parti politike borgjeze, pushteti shtetëror degjeneron në mënyrë të pashmangshme nga diktaturë e proletariatit, në diktaturë të borgjezisë.

Borgjezia e re me rivendosjen e sistemit ekonomik kapitalist, (që e maskojnë me sistem demokratik) synon intensifikimin e diktaturës borgjeze dhe zhvillimin e sistemit politik më të përshtatshëm në mënyrë që ta forcojë pozitën e saj sunduese. Po të shtojmë këtu edhe bashkëpunëtorët e fashizmit dhe tentativat anglo-amerikane për ta kthyer drejtimin politik të Shqipërisë pas vitit 1945, kuptojmë motivet e rishikimit të kësaj lufte çlirimtare dhe qëndrimet që mbahen ndaj udhëheqësit të saj Enver Hoxhës.

Në debate gazetareske, kanë marrë pjesë gjithfarë elementësh, pasionantësh, intelektualësh e pseudointelektualësh, pasardhës të kolaboracionistëve, thua se nuk paskan shkruar historianët shqiptarë për historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të mbështetur në dokumente arkivore. Dokumentimet e tyre mbeten historikisht të sakta dhe ia ngrenë lart lavdinë popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore. Për të mos u marrë me fjalë, objektivitetin dhe vërtetësinë e kësaj historie dhe udhëheqësit të saj të lavdishëm Enver Hoxhës, e kanë dëshmuar vetë dokumentet e aleatëve anglo-amerikan:

Raportet e para të shërbimit ushtarak britanik njoftonin se “aktivitetet kundër italianëve të gueriljeve shqiptare janë të pandërprera dhe me shtrirje të gjerë”, duke mos e njohur shpirtin luftarak të partizanëve shqiptarë, etjen e tyre të madhe për liri, pavarësi dhe dinjitetin e tyre kombëtar, raportonin: “Partizanët tregohen shumë kokëfortë, duke menduar të kryejnë me ushtrinë e tyre aksione që ishin jashtë mundësive të tyre. Shqiptarët të organizuar dhe të pajisur keq, në se u rezistojnë gjermanëve, do të shkojnë padyshim në vetëvrasje.”

Partizanët shqiptarë, me rezistencën e tyre kundër gjermanëve, fituan edhe admirimin e kryeministrit Çurçill, i cili në nëntor 1943, jep në dhomën e Komuneve këtë deklaratë: “Mijëra guerilas shqiptarë janë duke luftuar tani në malet e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre, oficerët e ndërlidhjes britanike, të cilët janë bashkë me gueriljet, kanë vlerësuar me nderim të lartë cilësitë e tyre luftarake. Ne shohim se shqiptarët në përputhje me traditat e tyre të lashta do të lozin pjesën e vet në zhvillimet e ardhshme ushtarake në Mesdhe… Kufijtë e saj nacionalë do të mbahen parasysh në mbledhjen e ardhshme të paqes.”

Vlerësimi i Çurçillit dëshmon se Lufta NÇL e partizanëve shqiptarë të udhëhequr nga komunistët, nuk ishte luftë për “doktrinën komuniste”, sikundër e propagandonin reaksionarët ballisto-zogistë, dje dhe sot, por luftë për çlirimin kombëtar, ndryshe nuk do ta afirmonte këtë luftë vetë kryeministri britanik.
Politika e adaptuar prej qeverisë britanike ishte praktikisht për ndihmën dhe inkurajimin e “nacionalistëve”, vetëm gradualisht e në mënyrë të padëshirueshme, nën presionin e ushtarakëve që i shikonin me sytë e tyre sakrificat e Frontit NÇL, u është dërguar ndihmë partizanëve shqiptarë. Këtë e konfirmon, veç të tjerëve, edhe këshilltari politik i SHBA-së pranë shtabit aleat në Kazerta, Aleksandër Kirk: “Ndihmë në formë të arit dhe mbështetje e premtuar u është dhenë të ashtuquajturve nacionalistë… Politika e ndihmës për secilin grup që luftonte gjermanët është zbatuar gradualisht, në fillim në mënyrë jo të dëshirueshme në drejtim të Ushtrisë NÇL”.

Pikërisht këtë qëndrim të aleatëve, Tilman e ka vlerësuar: “Tragjedi e vërtetë e shqiptarëve”. “Vetëm një parti, Fronti NÇL luftonte dhe vuante, dy të tjerat ishin armiq, ne vazhdojmë t’i përkrahim moralisht dhe materialisht ato me dërgimin e misioneve tona dhe errësimin e veprave dhe sakrificave të Frontit NÇL”.
Përballë forcave të mëdha ushtarake nazifashiste, populli shqiptar mundi të fitojë vetëm me bashkimin e tij politik dhe ushtarak, ky ishte një bashkim i gjerë i masave popullore, të drejtuara nga Enver Hoxha, në themel të të cilit qëndronte pavarësia dhe sovraniteti i Atdheut. Balli Kombëtar mbeti jashtë këtij bashkimi, ndarja me Ballin, nuk u bë për çështje të taktikës, por për çështje të strategjisë.
Kur komunistët u nënshtroheshin përndjekjeve dhe masakrimeve nga pushtuesi fashist, “nacionalistët”e “idealistit” Mit’hat Frashëri, si reaksion ndaj Frontit Nacional-çlirimtar formuan, tri vjet e gjysmë më vonë, pasi ishte pushtuar Shqipëria, organizatën e Ballit Kombëtar, misioni i së cilës, sipas shkresës së Milicisë fashiste drejtuar mëkëmbësit në Janar 1943 “drejtohej kundër komunistëve” dhe veçanërisht “kundër çetave komuniste”.

Është shkruar qartë misioni ballist: lufta kundër çetave komuniste, pra luftën kundër bijve të popullit që kishin mbushur çetat. Për krimet e tyre kundër partizanëve ka qindra dokumente, por po mjaftohemi me njoftimin e shërbimit sekret britanik në prill 1944: “Trupat e Ballkomit siç është bërë i njohur u bashkuan me gjermanët në luftën kundër partizanëve… Ballkomi pranoi se shtabi ushtarak i tij ka dënuar me vdekje dhe ka pushkatuar njerëzit e kapur, të cilët ndihmuan partizanët”.

Dokumentet për bashkëpunimin e Ballit Kombëtar dhe Abas Kupit me gjermanët kundër Ushtrisë Nacional-çlirimtare, janë të shumta, po mjaftohemi me dënimin që i ka bërë Abas Kupit Departamenti i Shtetit të SHBA në nëntor 1945: “Ka shumë dëshmi të marra nga shërbimi sekret britanik dhe amerikan, që Kupi dhe pasuesit e tij pas tetorit 1943 u ngatërruan në bashkëpunim me gjermanët dhe regjimin kukull të Tiranës”.

Duke u mbështetur te ballisto-zogistët, Ministria e Jashtme Britanike projekton luftën civile në Shqipëri, (sikundër kishte projektuar luftën civile në Greqi), projekt të cilin na e zbulon ambasadori amerikan në Londër, John Ëinant në informatën që i dërgon Uashingtonit: “Pikëpamja e Ministrisë së Jashtme Britanike është: që në qoftë se Fronti Nacional-çlirimtar do të qëndrojë plotësisht nga e majta, një lloj lufte civile mund të shpërthente, dhe Zogu mund të kthehej.”

Sipas Ministrisë së Jashtme Britanike, lufta civile në Shqipëri do të nxitej artificialisht, sikundër ishte nxitur deri tani nga okupatori i huaj, nëpërmjet krahut të djathtë, ballisto-zogist. Ky është një devijim flagrant nga objektivi kryesor i koalicionit Antifashist, njëherazi shkelje arbitrare dhe arrogante e Kartës së Atlantikut e firmosur nga vetë Çurçilli dhe Ruzvelti për vetëvendosjen e popujve të pushtuar nga fashizmi.

Më 4 maj 1944, BBS-ja komentonte: “Një deklaratë të rëndësishme ka bërë kohët e fundit komisari politik Shtabit të Përgjithshëm të Lëvizjes NÇ në Shqipëri, Enver Hoxha. Ai tha se forma e ardhshme e regjimit në Shqipëri nuk do t’i imponohet popullit shqiptar, por do të zgjidhet lirisht prej tij. Deklarata e Hoxhës mund të jetë një kontribut i vlefshëm për ndonjë plan që të tërhiqen nacionalistët në luftë kundër gjermanëve, mundësisht në bashkëpunim me partizanët dhe mundësisht duke u shoqëruar me ndonjë marrëveshje politike…”

Por nacionalistët asnjëherë nuk pranuan për bashkëpunim në luftën kundër fashizmit. Për fundin e “nacionalistëve”, në nëntor të vitit 1944, shërbimi sekret amerikan informonte: “Ballistët, si një grup bashkëpunëtorësh me ta, po ua mbathin këmbëve bashkë me gjermanët”. Në këto kushte Forien Ofisi lëshoi direktivën: “Të evakuohen nga Shqipëria nacionalistët shqiptarë për një përdorim të mundshëm në të ardhmen”.

Projektet britanike për pushtimin e Shqipërisë

Britania e Madhe ka pasur në Shqipëri një pozitë sunduese gjer në 1939, lufta përsëri do të shtronte problemin se kujt do t’i takonte në të ardhmen ky vend i vogël me një pozitë gjeografike të një rëndësie të veçantë! Shqipëria si çelësi i kanalit të Otrantos, zotëron hyrjen dhe daljen nga Trieste. Për amerikanët ky ishte një qytet i jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe një pikë nevralgjike e strategjisë së tyre. Zgjerimi i Luftës NÇL i shqetësonte anglezët se mos Shqipëria u dilte nga influenca. Xhuliano Emeri, duke shpjeguar qëllimin e misionit “Maklin” sqaron: “Ne i nxitëm shtatmadhëritë tona të bëjnë presionet e nevojshme në drejtim të Hoxhës për ndërprerjen e furnizimeve dhe të propagandës në favor të lëvizjes NÇL, deri në kërcënimin e një okupacioni eventual britanik”.

Duke mos e devijuar dot Luftën NÇL në luftë civile, përmes ndërsimit të ballisto-zogistëve kundër partizanëve, britanikët projektuan pushtimin e Shqipërisë, ata ngulën këmbë për të organizuar patjetër një aksion të përbashkët kundër gjermanëve, duke kërkuar zbarkimin e trupave të tyre në bregdetin tonë. Gjatë ditëve të aksionit Filip Brond i njoftonte Londrës informatën e oficerëve të ndërlidhjes britanike: “Nëse çdo gjë do të shkojë mirë ne do të kemi mundësi ta mbajmë të pushtuar Shqipërinë”.
Pushtimi ushtarak i Shqipërisë në Memorandumin e Ministrisë së Luftës, në shtator 1944, motivohet me pretekstin: “për të vendosur rregullin dhe ligjin pas kapitullimit të Gjermanisë”. Ndërsa Gjermania e justifikon okupimin e saj “për të na mbrojtur nga pushtimi anglez”! E gjora Shqipëri ç’ka hequr!
Një zbarkim me forcë, anglo-amerikanët nuk mund ta bënin, jo vetëm për shkak të qëndresës dhe kundërshtimit të Enver Hoxhës, por edhe për mosaprovimin nga Konferenca e Teheranit, në të cilën Stalini kishte kundërshtuar planin e Çurçillit për të zbarkuar në Ballkan, duke këmbëngulur që ushtritë aleate të zbarkonin në perëndim të kontinentit, këmbëngulje që u aprovua nga Konferenca.

Për të justifikuar zbarkimin ushtarak, anglezët u munduan të krijonin incidente brenda Shqipërisë nëpërmjet Abas Kupit. Këto incidente u duheshin për të përligjur në opinionin ndërkombëtar pushtimin. Plamer i njoftonte Londrës bisedën me gjeneralin Uillson: “Unë vura në dukje vështirësitë që do të na lindnin me Frontin NÇL për të mos u shkuar mendja se kjo ishte një forcë okupimi. Sugjerova që nëse ishte vendosur të largohet Hoxha nga Shqipëria, koha më e përshtatshme mund të jetë përpara se forcat çlirimtare të dërgohen në Shqipëri… ndodhja e Hoxhës në Itali do ta dobësonte pozitën e tij. Gjenerali Uillson shfaqi të njëjtën ide…”

Duke ndjerë rrezikshmërinë e një okupimi të mundshëm, pas kryerjes së operacionit të përbashkët në Sarandë, Enver Hoxha u dha britanikëve ultimatumin: “Veprimi ka mbaruar dhe forcat tuaja duhet të tërhiqen menjëherë”, duke i paralajmëruar se: “Ne nuk do të bëjmë asnjë dallim ndërmjet oficerëve britanikë dhe banditëve si Abas Kupi, nëse i kapim rob oficerët tuaj do t’i çojmë në gjyqin partizan si kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me armikun”.

Qëndrimin e palëkundur të Enver Hoxhës, Brond ia transmeton Londrës: “Një mos dëshirë e theksuar nga ana e shefit të Përgjithshëm të Frontit NÇL, Enver Hoxhës, për të dhënë aprovimin e tij për përdorimin e ushtrisë britanike në Shqipëri”.

Në përfundim të Luftës NCL, Ministri i Jashtëm Britanik, Iden, më 9 tetor 1944, i paraqiste Çurçillit katastrofën përfundimtare të ballisto-zogistëve: “Në këto rrethana nuk ka asnjë alternativë tjetër veç njohjes së plotë të Frontit NÇL, që të mund të mbajmë nën kontroll Shqipërinë pas luftës dhe të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar një lidhje të plotë si kundërpeshë e influencës ruse”.
Anglia do ta njihte formalisht Frontin Nacionalçlirimtar për: “ta mbajtur nën kontroll Shqipërinë pas luftës”! Për të pushtuar Shqipërinë britanikët përdorën ndihmat e UNRA-s, shefi i së cilës orientonte: “Këto operacione duhen drejtuar në mënyrë që të shmangim çdo kontakt me administratën e gjeneral Hoxhës, hollësitë e mëtejshme nuk duhen zbuluar për arsye sekreti”.

I njëjti orientim vinte edhe nga nënkryetari Fiter Flud, në informacionin dërguar Haskellit, në dhjetor 1944: “Ndihma do të bëhet nëpërmjet zbarkimit të flotës luftarake detare pa konsultime të mëparshme dhe pa lajmëruar autoritetet shqiptare”.
Kjo ishte një shkelje flagrante e Rezolutës së UNRA-s në të cilën thuhet: “Administrata e UNRA-s do të veprojë vetëm pas konsultimeve me qeveritë apo autoritetet kombëtare të njohura, dhe vetëm me pëlqimin e tyre”.
Ndërkohë Shtabi i ndihmës ushtarake të kësaj organizate humanitare, punonte që plani të realizohet pa paraqitjen e ndonjë përfaqësuesi shqiptar”. ndaj Forca Ajrore Ballkanike përgatit planet alternative të zbarkimit të trupave ushtarake në zonën e Durrësit dhe Vlorës me Ultimatumin “ndihma ushtarake duhet të hyjë në Shqipëri si pjesë e forcave pushtuese”.
Qëndrimi kundërshtues i Enver Hoxhës komentohej: “Hoxha ka dyshim për penetrim ushtarak nën pretekstin e ndihmave… Ky dyshim ka lindur nga ngjarjet në Greqi”. ”Ai refuzoi kategorikisht që personeli i ndihmës ushtarake të mbetej pranë UNRA-s”.

Letra e shefit të Misionit vlerësonte: “Jam plotësisht i kënaqur me veten time që një pjesë e madhe e vështirësive tona me qeverinë, u shkaktuan si rezultat i papërgjegjësisë së madhe të një grupi në Mision, i cili devijoi nën ndikimin e Haskellit, kjo sjellje konsistonte në bisedimet e papërgjegjshme antiqeveritare dhe me dinakëri karshi Shqipërisë”.

Në dhjetor 1946 u hartua një memorandum që shprehte opinionin unanim të 69 anëtarëve të misionit dhe të shoqërive vullnetarë në të cilin thuhej: “Si rezultat i integrimit të afërt i UNRRA-s me ML (misioni ushtarak), UNRRA ishte përfshirë në një operacion, i cili binte në kundërshtim me principin bazë: se ndihma nuk duhet administruar me forcë apo vjedhurazi, se kjo situatë mund të ndreqet vetëm në qoftë se gjenerali i përgjithshëm ose përfaqësuesi i tij i autorizuar, do t’i bënte të qartë botës dhe popullit shqiptar se UNRRA nuk kishte lidhje me këtë operacion”.
Qëndrimi i palëkundur i Enver Hoxhës për të mos lejuar fuqitë e huaja ta futnin Shqipërinë nën protektoratin e tyre, ishte një akt i lart patriotik që siguronte sovranitetin, pavarësinë dhe tërësinë territoriale.

Kufijtë e Shqipërisë në optikën aleate

Kufijtë e Shqipërisë me shtetet fqinjë janë caktuar në Konferencën e Londrës mes Fuqive të Mëdha pas luftës Ballkanike, dhe janë lënë në fuqi në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, pas Luftës së I Botërore. Është një brengë e madhe që i ka sfilitur disa politikanë, studiues e kalemxhinj, përse Shqipëria pas luftës kaloi me Lindjen dhe jo me Perëndimin, duke harruar se në tetor 1939, Anglia njohu aneksimin e Shqipërisë nga Italia! Me një deklaratë në parlamentin britanik, në fund të tetorit, u shpall njohja de facto e “regjimit të ri”, ç’ka e konsideronte Shqipërinë pjesë të Mbretërisë së Italisë.

Doemos, kjo do të dobësonte besimin e shqiptarëve tek Britania e Madhe e aq më tepër që ajo, gjatë luftës ka synuar copëtimin e Shqipërisë në interes të Greqisë. Sekretari i Foreign Office-it, A. Eden, më 17 dhjetor 1942, bëri një deklaratë të posaçme në dhomën e komuneve në të cilën shfaqte “ndjenjat e simpatisë kundrejt popullit shqiptar që pati fatin e keq të ishte një nga viktimat e para të agresionit fashist”, duke siguruar se “Qeveria e madhërisë së Tij donte të shihte Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe pavarësinë e saj të rivendosur”. Në deklaratë shprehet rezerva për kufijtë e Shqipërisë: “çështja e kufijve do të duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes pas lufte”.

Funksionari që mbulonte çështjet e Ballkanit, Dikson, qysh në fillim të dhjetorit 1940, propozonte këtë zgjidhje: “Në mbarim të luftës mund të jetë vështirë të gjendet për grekët një kompesim teritorial tjetër veç atij që ofrojnë krahinat shqiptare”.
Promemorjen e qeverisë greke në mërgim, në 29 shtator 1943, drejtuar Ministrisë së Jashtme angleze, Dikson e komentonte: “është e pamundur të themi nëse do të ketë vend për një shtet shqiptar në Evropën e pasluftës”.

Kjo deklaratë rrezikonte tërësinë territoriale, sovranitetin dhe pavarësinë e Shqipërisë, ajo përsëri do të trajtohej plaçkë tregu, si në vitet 1913- 1915! Në Memorandumin e datës 30 mars 1943, paraqitur Ministrisë së Jashtme, Dikson theksonte: “Porsa Greqia dhe Jugosllavia do të fitojnë pavarësinë e tyre, forcat greke dhe jugosllave do të marshojnë brenda Shqipërisë dhe do të zënë pjesë nga territori i saj”.
Nuk është faji i Enver Hoxhës se kalemxhinj të ndryshëm nuk i kanë njohur dokumentet e aleatëve perëndimorë dhe synimet e tyre! Pasi e paraqet kërkesën greke për Vorioepirin “të mbështetur mirë nga ana historike dhe strategjike”, Dikson komenton: “Për të gjitha fushat ne duhet të jemi të mirëkuptuar për të marrë parasysh plotësimin e kërkesës greke për Shqipërinë e Jugut. Sigurisht kjo do të kërkonte edhe dhënien e Jugosllavisë të pjesëve të tjera veriore të Shqipërisë”.
Mikja e vendit tonë, Edit Dyrham, më 6 prill 1943, i dërgon nga Londra këtë letër Fan Nolit: “Kam frikë se gaboheni shumë në qoftë se i varni shpresat për shpëtimin e Shqipërisë tek Anglia… Partitë progreke dhe proserbe janë shumë të fuqishme dhe me influencë… Grekët deklarojnë se i gjithë jugu i Tepelenës është grek dhe se vuan nën shtypjen shqiptare…”

Për të marrë parasysh “plotësimin e kërkesës greke”, diplomatët anglezë duhet t’i jepnin Greqisë pjesë nga Shqipëria, brenda këtij orientimi punonte edhe shërbimi sekret anglo-amerikan në Kosovë, i cili në shtator 1944 njoftonte Londrën: “Shqipëria nuk mund të qëndrojë vetëm si një shtet sovran. Madje edhe me Kosovën kjo nuk do të ketë burimet e nevojshme për të mbështetur të gjitha shërbimet e atributet e nevojshme në drejtim të një shteti sovran”.

Me të tilla synime “aleatët” jo vetëm rikonfirmojnë ndarjen territoriale Shqipëri-Kosovë, por vinin në pikëpyetje edhe Shqipërinë si një shtet Sovran. Funksionari i Ministrisë së Jashtme angleze, Deni Laskej, në komentin që i bënte deklaratës së Qeverisë britanike për njohjen e Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, theksonte: “Deklarata nuk do të thotë se ne njohim një shtet të pavarur shqiptar… prandaj Shqipëria nuk mund të bëhet një komb i bashkuar”.
Sekretari i Ministrisë së Jashtme Dikson, më 9 tetor 1943, sqaronte: “Ka shumë argumente në favor të pretendimeve greke. Ne padyshim do të dëshirojmë t’i shpërblejmë grekët për rolin që luajtën në luftë si aleatët tanë. Tani për tani është e pamundur të vendoset nëse do të ishte e dëshirueshme të rindërtohej ose jo një Shqipëri e pavarur. Nëse vendimi do të jetë negativ, patjetër që do ishte shumë e lehtë që pjesët e territorit shqiptar t’i kalojnë Greqisë dhe Jugosllavisë”.
Kjo do të ndodhte me justifikimin që A. Eden, i dërgon një anëtari të Dhomës së Komuneve: “Shqiptarët nuk janë njësoj si grekët dhe jugosllavët, këta janë aleatët tanë, kurse shqiptarët nuk janë aleatë”.
Ky ishte pazari dhe strategjia anglo-amerikane për Shqipërinë gjatë luftës, të cilët kishin vënë në dyshim ndërtimin e një Shqipërie të pavarur!
Me çlirimin e vendit nga nazifashizmi, kryetari i misionit special amerikan në Shqipëri, Jakobs, në raportin dërguar Uashingtonit në 19 Maj 1945, shkruan: “Një masë e madhe njerëzish prej disa qindra personash u shfaqën përpara ndërtesës së përfaqësisë diplomatike, duke thirrur e brohoritur për njohje, një grup përfaqësuesish erdhi në Legatë për të shprehur gëzimin për fitoren dhe vlerësimin për SHBA… Kishte shumë brohoritje për presidentin Truman”.
Politika e shtetit shqiptar, pas luftës, ishte politikë e respektimit të aleatëve si pjesëtarë të përbashkët të koalicionit antifashist, për rrjedhojë ajo priste prej tyre ndihmë në Konferencën e Paqes për luftën e madhe dhe sakrificat e jashtëzakonshme në lidhje me numrin e popullsisë. Vendet aleate nuk e përkrahën Shqipërinë. Për ilustrim po sjellim disa mesazhe të Nolit dërguar Enver Hoxhës:
1 prill 1946: “Me gjithë protestat tona të përsëritura, Komiteti për Marrëdhëniet e Jashtme i Senatit Amerikan votoi për një rezolucion, që t’i akordohet Shqipëria e Jugut, Greqisë…”

DITA

Read 903 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 10 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…