Në gjunjë para Vlorës!

Kjo betejë përfundoi mbasditen e 28 Nëntorit, kur Berisha në përpjekje për ta kthyer Tiranën në kryeqendër të pavarësisë, e ktheu atë në simbol të haxhiqamilizmit, babëzisë dhe turpit kombëtar. Njeriu më i paftë i historisë së këtij vendi, Lulëzim Basha, prodhoi me paaftësinë dhe papërgjegjësinë e vet një skenë terrorizuese për imazhin e Shqipërisë

Nga Mero Baze

Në të vërtetë jo të gjithë ata që ishin në Vlorë, ishin kundër Sali Berishës, por të gjithë ata që ishin kundër Sali Berishës, ishin më 28 Nëntor në Vlorë.

Kjo e vërtetë e hidhur duket se nxiti Sali Berishën t’i rikthehej një herë bilancit të betejës së tij të pamoralshme kundër Vlorës. Në historinë e këtyre 100 vjetëve, asnjë qytet i Shqipërisë, në asnjë kohë dhe për asnjë arsye, nuk kish mundur të mblidhte aq shumë njerëz sa Vlora. Është e vërtetë se shumë prej tyre aty shkuan të motivuar nga festa si rit, por akoma më shumë shkuan nga rreziku që i kanosej festës. Dhe rreziku që iu kanos festës së Pavarësisë quhet Sali Berisha. Në kryeqytetin e parë të Shqipërisë, atje ku nuk u bë thirrje për mish dhe tortë, por për flamur dhe dyer të hapura, vërshuan rreth 1 milion njerëz në dy ditë duke e kthyer atë në një Mekë të shqiptarizmit.

I qartë dhe i vendosur për të shmangur Vlorën nga epiqendra e festës, ai bëri gjithçka kish në dorë si kryeministër dhe politikan që festa të shkonte në Tiranë. Të gjithë duhet ta risjellim në mendje argumentet e tij të para një muaji se Vlora është një nga qytetet ku u ngrit flamuri, se është thjesht një nga qytetet ku është firmosur një deklaratë, ndërkohë që ka dhe deklarata të tjera pavarësie, vazhdoi me marrëzitë e Lulëzim Bashës që quan shpallje pavarësie çdo ngritje flamuri në çdo qytet dhe deri tek prerja e fondeve për Vlorën, dhe në fund shkelje e protokollit zyrtar duke braktisur drekën zyrtare të pavarësisë në Vlorë.

Media e tij zyrtare deri në fund tentoi ta injorojë Vlorën. Megafoni i qeverisë, TV Klan, ndërkohë që 1 milion shqiptarë festonin në Vlorë, jepte si një provokim i turpshëm në ekranin e vet një telenovelë turke me titullin “Jetë e hedhur”.  Mungonte vetëm muzika funebër për atë që po ndodhte në Vlorë. Televizioni shtetëror po ashtu. Biles ky i fundit, drejtuar nga kopanët e medies shqiptare, shkoi deri atje sa në transmetimet e mbrëmjes thoshte po lidhemi me Pallatin Mbretëror për të ndjekur darkën zyrtare të pavarësisë. E kishte fjalën për Pallatin e Brigadave.

Kjo betejë përfundoi mbasditen e 28 Nëntorit, kur Berisha në përpjekje për ta kthyer Tiranën në kryeqendër të pavarësisë, e ktheu atë në simbol të haxhiqamilizmit, babëzisë dhe turpit kombëtar. Njeriu më i paftë i historisë së këtij vendi, Lulëzim Basha, prodhoi me paaftësinë dhe papërgjegjësinë e vet një skenë terrorizuese për imazhin e Shqipërisë. Më tej akoma Sali Berisha improvizoi haxhiqamilçe një paradë ushtarake banale, theu gjithë rregullat e protokollit për festën zyrtare duke injoruar çdo ligj të shkruar të këtij vendi, dhe të nesërmen shqiptarët, biles dhe ata që ishin me Sali Berishën, ndiheshin krenarë që Vlora shpëtoi festën e 100 vjetorit.

Duke e kthyer vetë në betejë politike me shpresë se do ta privatizonte atë, Berisha e humbi thellë “Betejën e Vlorës”, po aq thellë sa e humbi në vitin 1997 kur u përball me ta me armë. Këtë herë ai humbi betejën e dytë me Vlorën, luftën e ftohtë kundër historisë së saj dhe nevojën për t’i ringjallur Shqipërisë një kufomë të historisë që i shërben imazhit të tij si autokrat dhe pazarxhi i pabesë. Dhe pikërisht pse e humbi thellë këtë betejë, tani po tenton me tinëzari t’i bashkohet një milion shqiptarëve që e zgjodhën Vlorën si destinacion kundër tij.

Mos ia pengoni këtë rrugëtim. E ka të nevojshme të shkojë kokulur në Vlorë, tek qyteti që disa javë më parë e krahasonte me sektet otomane që kundërshtonin pavarësinë, e relativizonte si një qytet ku është bërë një deklaratë dhe e fshehu bustin e babait të pavarësisë në një lulishte të Tiranës. Të shkojë aty dhe nga ballkoni ku Ismail Bej Vlora tundi flamurin e Shqipërisë, të shikojë trekëndëshin e ujërave që i ka falur Greqisë. Të rrijë si mbi gjemba kur të shikojë portretin e Luigj Gurakuqit, që vdiq me dhjetë lireta në xhep, vrarë prej Ahmet Zogut që ia mbathi me flori me vete dhe të ketë në krah gjithë ata ministra që hynë në qeveri bythëgrisur dhe po dalin andej miliarderë. Mos ia merrni për ters as ministrat grekë që ka në qeveri, pasi ata njësoj si Berisha nuk janë as grekë, as shqiptarë, janë thjesht kusarë.

Lëreni të shkojë në Vlorë, të hyjë tek shtëpia ku nisi jetën shteti shqiptar dhe të shikoj ç’i ka bërë këtij vendi, kur të krahasoj veten me Ismail bej Vlorën, Flamur Nokën me Myfit Bej Libohovën, Mehmet Derallën me Arben Imamin, Lef Nosin me Genc Pollon dhe mbi të gjitha kur të detyrohet të pranojë se ka humbur për herë të dytë betejën me Vlorën. Herën e parë Vlora shpëtoi shtetin prej tij. Herën e dytë shpëtoi nderin e historisë prej tij.

Lëreni të shkojë në Vlorë kokulur siç e meritojnë robërit e betejës së kësaj historie të pistë kundër Shqipërisë. Vetëm kështu do ta kuptoni ku e katandisi Shqipërinë pas 100 viteve. Do të jetë “qershia” mbi tortën e Pavarësisë që shpiku në Tiranë.

Tema

Read 1412 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 8 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…