Duke u matur me Enverin dhe Hasan Zyko Kamberin

Fantazia është dhunti e çmuar. Ajo e transporton të zotin përmbi gardhe dhe kufij. Ajo e bën atë hero, e bën shenjtor, e bën Papë, strateg , kampion bote, multimiliarder…  Fare kollaj, ajo, nga askush e bën mbret e perandor!

 

Nga Pëllumb Kulla

Fantazia është dhunti e çmuar. Ajo e transporton të zotin përmbi gardhe dhe kufij. Ajo e bën atë hero, e bën shenjtor, e bën Papë, strateg , kampion bote, multimiliarder…  Fare kollaj, ajo, nga askush e bën mbret e perandor! E shtyn të endet nëpër paralelet dhe meridianet e saj, e bën pak qesharak, por punë e madhe!

Hop! Me fantazinë time, le të ulem edhe unë një herë mbi fronin e një vendi!

Sa mirë të jesh i pari i vendit dhe të jesh në moshë të re, sikurse qe Hoxha menjëherë pas luftës! Moshë, që të të lerë shtrirje në kohë dhe sidomos të të  ofrojë energjinë.

Në ndryshim nga Enver Hoxha, në ditët e sotme unë nuk do të kem fillimisht as mbështetje nga jashtë dhe as kamxhikun, zjarrin dhe hekurin që të tiranizoj, të  rrëmbej, të vras, të shtetëzoj, të shpërblej me shtëpi dhe vila pasanikësh, fshatarët që do të më brohorasin sa herë t’u shfaqem përpara. Me këto përparësi, Tirani e arriti kollaj hijen e rëndë e të  gjithëpushtetshme. Unë nuk gjej dot të tilla hapësira tani. Europa dhe Amerika  nuk janë Jugosllavia dhe Rusia staliniane.

Megjithatë, jam në fushën e fantazisë dhe kam rrugë të reja për suksesin në ambiciet e mia. Edhe unë, si ai, mund të ngjall frikë, mund të qërroj kundërshtarë, mund të mbush vendin me burgje pa ua vënë emrin të tillë, mund të ndjell turma këpucëlëpirësish përpara çizmeve të mia.

Për të tëra këto ekziston një mjet i magjishëm, një element fuqiplotë, që e kanë zbuluar të tjerë: është paraja! E veçon dhe e vlerëson paranë edhe një bektashi i mprehtë me emrin Hasan Zyko Kamberi, tek ca bejte kundër makutërisë së kadinjve, siç i quanin dikur gjyqtarët: “Kadiut t’i rrëfesh paranë/ ters e vërtit sherihanë!” Paraja! E thënë ndryshe dollari, euroja, stërlina e me plot emra të tjerë anembanë rruzullit.

Ambicia ime përmbushet sapo unë ta mbledh dhe ta shumoj paranë marramendërisht. Se si bëhet kjo, në Shqipëri e di përmendsh edhe një çunak çfarëdo: me pranim ryshfetesh në shuma të mëdha, në këmbim të ndereve të mëdha; e bëj me lejime shumëvjeçare të mosdoganimit të mijëra e mijëra mauneve e autocisternave që sjellin mallra: me trafiqe të ndryshme drogash, karburantësh dhe armësh; me privatizime klienteliste; dhënie të favorshme terrenesh, minierash, hidroçentralesh e pikash turistike, nga ato që vetëm pak vjet më parë ishin pasuri të përbashkëta… Mjaftojnë këto për të krijuar  idenë e grumbullimit të kapitalit përrallor që më bën Zot. Paranë e pamatë e përkthej në pushtet të pamatë!

Dhe atëherë ai, Tirani që përmenda, më merr të keqen. I rruat diktatura atij, por nga fuqia nuk mund të barabitet kurrë me mua. Unë bëhem pushtetar i një republike parlamentare, me një kushtetutë që tingëllon më demokratike edhe se ato të vendeve më të përparuara të globit. E bëj kushtetutën në katër kopje dhe e ve nën secilën këmbë të fronit.

Edhe unë mund t’i qërroj kundërshtarët e mi pa gjykata ushtarake edhe pa i burgosur fare. Heq dënimin me vdekje dhe e përdor vdekjen sa herë të dua. Krijoj një varfëri të tillë sa me 2000 euro e varros nën pesë kuintalë dheu cilindo që ma sjell në majë të hundës. Këtë e bëj fare lehtë, veç duke ia dhënë eurot një killeri hallexhi, të cilin më shumë se ai, jam unë i interesuar që të mos e kap. Përdorimi I armëve të turpëron. I parasë të nxjerr faqebardhë.

Mund të paguaj viktimat e mia, dhe familjarët e tyre. Le ta zemë se duhet paguar për një vrasje për të cilën nuk kam nga të përdridhem, ta zemë për plandosjen e ndonjë kalimtari, nën rrotat e veturës time, kur siç jam i dehur, marr timonin vetë. Paguaj mbylljen e gojëve edhe në rastin kur ndonjë badigardi im, i dehur ai këtë radhë,  mitralon nja dhjetë pesëmbëdhjetë qytetarë që festojnë përvjetorin e përmbysjes së diktaturës.

Këto janë vogëlsira e nuk duan kapitale, por ama, me një varfëri të përhapur mirë e mirë, mbi tërë territorin e vendit, shuaj e bëj gropë çdo vatër të idealizmit. Me miliardat e mia blej me qindra mijëra votues që ta hedhin votën e tyre të lirë për mua. Të lirë, natyrisht të lirë, se jemi shtet demokratik, dreqi ta marrë!  Me një dorë parash, qoftë edhe sa për të shtyrë muajin, ata votojnë bash si t’u thuash dhe as e vrasin mendjen se ç’u premtoj unë dhe as u venë veshin përrallave të kundërshtarëve të mi. Me eurot e mia në shifra përrallore, unë blej komisionerët: të mijtë dhe të kundërshtarëve! Blej gazetarë, vendas dhe të huaj. Blej të deleguar, vëzhgues, ambasadorë, ekspertë, hetues japonezë dhe amerikanë, që i ftoj si të paanshëm. Unë blej, mbretër, senatorë, kongresmenë, lordë… Si mund t’u rezistojë dhjetë miliona eurove një i dërguar i Europës, me kushtin e vetëm që I ve unë, që të kthehet andej nga erdhi, dhe të avokatojë në emrin tim! Dhjetë milionët ai nuk i ka parë kurrë me sy kaqë lehtë, teksa për mua ato janë hiçogjë, se kam mijëra miliarda, që për t’i shtënë në dorë nuk më kanë djersitur një bulëzë. Atyre që e kanë dërguar duke më vënë në dyshim parametrat e mi demokratikë, ai do t’u thotë se dyshimet janë pabaza. E për europianin misionar, demokracia e një populli, mësuar pa demokraci, nuk do të lerë pa gjumë as një eurodeputet. Sot paraja e shumtë kthehet në pushtet të shumtë.

Hasan Zykoja shtrihej gjer te kadiu – kadinjtë e mi nuk po i ze me gojë, ëh! – dhe nuk kish faj kolonjari thumbues, dyqind e ca vite më parë, se atëhere nuk kish as Këshill Europe, as OSBE, as Bundestag, as eurodeputetë, as kongresmenë dhe as Podesta!…

Unë u bëj një truurrrullullu, siç u bëhet gjelave të detit në vigjilje të vitit të ri, tërë atyre që kundërshtonin fuqinë time në fillimet e saj, por që ata nuk ia vinin re rritjen. Nuk e kam për gjë t’u drejtohem tërë ministrave e deputetëve që mund të më kenë kthyer krahët, sa kohë nuk isha ky që jam dhe me një truurrrullullu do t’i shoh ata të turren drejt meje, porsi gjelat e detit me pendët e lafshat e skuqura përpjetë, por me sqepat hapur, për kokrrat e misrit që do t’u lëshojnë duart e mia. Truurrrullullunë time e dëgjojnë edhe u përgjigjen edhe gjelat me lafshë të ndritshme historike, sado të kenë kapërcyer oqeane. Dhe sulen e vijnë.

Me paratë e mia të pashterrëshme dhe që nuk më dhembin hiç, unë blej shefa të Opozitës, jo më pastaj dhjetra deputetë që nuk kanë faqeskuqje. Më duhen dhjetë deputetë të saj, blej dhjetë, më duhen njëzet, i ble edhe njëzet! Më nevojiten të arrij në parlamentin tim demokratik një numër votash, për një kapërcim cilësor historik, fjala vjen, për hyrje në një organizëm madhor? Me para e arrij! Është tjetër gjë pastaj, kur nuk dua vetë ta arrij. Se mund të më interesojë më shumë të hiqem sikur dua të hyj në atë organizëm, kur në të vërtetë bash në atë organizëm do të gjeja fundin tim!

Paraja përkthehet në sundim. Dhe ky është më i padukshmi nga sundimet, pa ngritur tela me gjëmba anëembanë kufirit, pa nxjerrë tanke, pa apele të internuarish nëpër kampe dhe fshatra të Tepelenës dhe Myzeqesë. Është më i pazhurmshmi nga sundimet: nga xhepi në xhep, nga çanta në çantë e nga banka në bankë, paraja lëviz pa as më të voglën frushullimë.

Ja, kështu! E kisha me Zyko Kamberin, që e shtriu paranë deri te blerja e kadinjve. Ehe, kohëra të tjera, sot!

E kam edhe me atë tjetrin, pjellën e Stalinit, që me një të lëshuar frerëve të fantazisë, i them: i pifsh lëngun diktaturës tënde, o Enver!

Dita

Read 1420 times Last modified on Saturday, 17 June 2017 15:58
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 18 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…