"Turbullirat" e Parisit në Tiranë

Piktori dhe arkitekti Arben Golemi e ka quajtur "Trouble", këtë prezantim të krijimtarisë së tij, i ndikuar nga "turbullira" e kohës që po jeton. Bashkë me vizatimet, Golemi sjell edhe 6 piktura të teknikës mikse mbi kanavacë me titull: "Vibrim", "Arkitekturë", "Harmoniumet e Pyllit" dhe tre punë me titull "Katedralja e Rejmsit". Në një intervistë për "Shekullin", ai flet për rëndësinë e njohjes së vizatimit në përvojën dhe sidomos për artistët e rinj, që nuk duhet t'i largohen metodave klasike të formimit.

Natyra dhe veprat e krijuara nga dora e njeriut janë bërë objekt i pikturave dhe vizatimeve të Arben Golemit në ekspozitën "Trouble" (Trazira, turbullira), që do të ëindroë e hapur deri më 16 prill në galerinë "Kledio". Janë përjetime personale të hedhura në letër me laps e karbon.


Në rreth 20 vizatime, të realizuara dy vitet e fundit objekt frymëzimi janë bërë shkurret, korijet e pemëve, gjembaçët, pylli, era që fryn. Golemi e ka shtyrë kërkimin edhe në qytetet e mëdha. Ka ndjerë fuqinë e përballjes me vlerat arkitekturore të një qyteti si Parisi dhe ka hedhur në letër impresione nga përballja me katedralen Notre Damë, Operën e Parisit, muzeun e Luvrit, me skulpturën "Mendimtari" të Rodenit.



"Fillon në mënyrë të pastër e të ndjeshme të pëlqesh arritjet që kanë bërë të tjerët, ku përshihet peizazhi, ndërtimet, arkitektura", tregon Golemi për këtë proçes tjetërsimi që ka ndodhur brenda tij.



Piktori dhe arkitekti Arben Golemi e ka quajtur "Trouble", këtë prezantim të krijimtarisë së tij, i ndikuar nga "turbullira" e kohës që po jeton. Bashkë me vizatimet, Golemi sjell edhe 6 piktura të teknikës mikse mbi kanavacë me titull: "Vibrim", "Arkitekturë", "Harmoniumet e Pyllit" dhe tre punë me titull "Katedralja e Rejmsit". Në një intervistë për "Shekullin", ai flet për rëndësinë e njohjes së vizatimit në përvojën dhe sidomos për artistët e rinj, që nuk duhet t'i largohen metodave klasike të formimit.


Z. Golemi, jeni kthyer te vizatimi, apo këto punë janë pjesë e proçesit të përhershëm të punës suaj?
Nuk diskutohet që janë pjesë e një proçesi, por janë edhe një formë proteste, ndaj metodës së të mësuarit të vizatimit, që sot po neglizhohet në të gjitha nivelet e mësimdhënies, duke u justifikuar me tendencat e reja. Si pasojë e kësaj, një pjesë e mirë e talenteve humbin, një pjesë e atyre që studiojnë për art mësohen keq! Gjithsesi kemi rezultate të dobëta, madje edhe keqkuptime.

E keni fjalën për mësimet që merren në Akademinë e Arteve?
Për të gjitha nivelet e mësimdhënies, në Lice dhe Akademinë e Arteve. Për fat të keq vazhdohet që të keqkuptohen tendencat e reja të zhvillimit të artit. Ata të rinj që më pas do të jenë njerëz të artit, që të bëhen piktorë të mirë duhet që të mësohen mirë. Të kuptojnë që gjërat bëhen me punë dhe nuk bëhen vetëm duke u mbështetur te teknologjia, duke neglizhuar ato që janë zona bazike e artit.


Duhet të kthehemi te mësimi i vërtetë, te metodat klasike të mësimit të artit dhe të mos biem pre e keqkuptimeve të njerëzve që harxhojnë shumë pak kohë për artin dhe që propogandojnë idetë e reja në kurriz të zhvillimit të vërtetë.


Të kthehemi të vizatimet tuaja, te frymëzimet e para, gjëmbaçët, pemët, era që fryn...
Nuk jam një piktor i cili do që të pasqyrojë në veprën e tij probleme të përditshme, probleme të kohës. Ekspozita nuk ka të bëjë me këto tema. Këtu prezantohen përjetime piktorike të miat, që kanë të bëjnë me Parisin. Është një proces fare i thjeshtë dhe fare normal i krijimit.

Ju mendoni se një artist duhet të jetë i distancuar nga probleme të kohës së tij?
Jo aspak. Unë jam arkitekt dhe jam i lidhur me probleme zhvillimit të arkitekturës. Kjo është një nga temat më të rrahura të ditës, por kjo ekspozitë nuk ka lidhje me të. Ka një moment që kur del nga e përditshmja dhe shkon në një vend tjetër, Romë, Paris, Nju-Jork të ndodh një proces tjetërsimi.

Çfarë ndodh konkretisht?
Fillon në mënyrë të pastër e të ndjeshme të pëlqesh arritjet që kanë bërë të tjerët, ku përshihet peizazhi, ndërtimet, arkitektura. Fillon të pëlqen pylli, duke harruar që Shqipëria ka pyje të mrekullueshëm. Por ne i kemi izoluar pyjet dhe kur duam të shkojmë është shumë e vështirë sepse nuk ka rrugë. Kur shkon nëpër këto vende, fillon të mendosh lirshëm për atë që shikon. Kjo ndodhi me të gjitha vizatimet. Në këtë ekspozitë unë kam sjellë vizatime që janë bërë ballë për ballë objektit.


Nuk janë ato variante që i abstragoj, i bëj disa herë dhe i kthej në grafika. Përshembull "Mendimtarin" e Rodenit e kam bërë në Orsej. Kur hyn në muzeume të këtij niveli, apo siç është Luvri, përballesh me vlerën. Aty fillon mendon për veten. Mendon se ku jeton, ku jeton familja jote, kush do të jetë e ardhmja e familjes tënde dhe fëmijëve të tu. Ironia është që në shumë raste ndihesh keq, në vend që të ndihesh mirë.


Po për artin tënd a mendon në atë moment?
Mendoj që si për vete, ashtu edhe për shumë miqtë e mi, janë zënë rrugët për të ekspozuar punët tona dhe për të jetuar si njerëz, siç jeton gjysma e piktorëve të botës.

Arkitektura e qyteteve ka qenë shpesh në fokus të artit tuaj, por këtë herë e keni fokusuar kërkimin te Parisi...
Jam një njeri i dhënë pas vlerave të arkitekturës. Nuk mund të jem një turist i thjeshtë në Paris, që shkon me një guidë turistike për të parë Kullën Eifel, Luvrin dhe kaq. Jam një kërkues dhe përzgjedh. Mendoj që sa më i formuar dhe i kulturuar të jetë njeriu, aq më shumë ka të drejtën e kënaqësisë dhe të eksplorimit. Parisi është një qytet tepër i dashur, inkurajues.


Po të bëjmë një krahasim midis, Parisit dhe Madridit, për pikturën flas jo për arkitekturën, në Paris ndihesh i lumtur kur shikon nga të gjithë pikturat e botës dhe del i frymëzuar me faktin që mund të bëhesh një piktor i madh dhe shumë i mirë. Kur shkon në Madrid dhe pasi ke parë El Pradon, mbasi ke ndjerë prezencën e të gjithë piktorëve spanjollë, që në emërimin e rrugëve, kur ikën nga Madridi largohesh me idenë: "ç'më duhet që merrem me pikturë".



Ka qytete të dashur dhe të tjerë që të bëjnë të reflektosh. Përballja me vlerat është një përballje e rëndësishme, që nuk e neglizhon dot. Sa më i kulturuar të jesh, aq më e fortë është përballja. Në ato momente, në mënyrë të menjëhershme ti mendon për krijimtarinë tënde, për mundësitë që ke.


Përse i ke kushtuar tre punët e tua në pikturë Katedrales së Rejmsit?

Jam i apasionuar pas arkitekturës gotike. Po kjo lidhet edhe me formimin. Arkitekti i njohur Le Corbusier ka thënë që është vështirë të bëhesh arkitekt pa parë Partenonin. Janë ca gjëra që nuk mësohen thjesht nëpërmjet letrave, duhen parë. Notre Dame de Paris, është një vepër që të krijon emocion. Përballë saj je i detyruar të reflektosh, ta respektosh dhe pa dyshim je nën efektin e një inspirimi absolut. Kryeveprat të inspirojnë. Po ashtu ndihesh përballë "Mendimtarit" të Rodenit, atij njeriu të ulur që rri e mendon.

Me "pa të drejtë" ekspozita mban titullin e një pikture, kur këtu dominojmë vizatimet. Përse është titulluar "Turbull"?
Jetojmë një moment të mungesës së vendimmarrjes. Jemi në një kohë të turbullt për mënyrën sesi po zhvillohet politika, ekonomia dhe jeta në këtë vend. Në këtë mes jemi edhe ne që pretendojmë të bëjmë art. Veprat e rëndësishme nuk mund të bëhen pa mundësitë ekonomike.


Shteti nuk të jep porosi, siç ka dhënë gjithë bota që në kohën e mbretërve dhe siç japin të gjitha vendet e botës, porosi të rëndësishme, për ngjarje të rëndësishme kombëtare, për krijimin e veprave monumentale etj. Një pjesë e artistëve jetojnë në studio mizerabël, nuk bëhet asgjë për të pasur mundësi të reja. Veçanërisht artistët e rinj e kanë të vështirë të ambientohen dhe të krijojnë vepra në këtë situatë, ku luftohet për bukën e gojës. Koha është Turbull.


Në këtë turbullirë mungojnë edhe kritikët? Si ndikon kjo te artisti?
Kritikat e artit nuk bëhen thjesht nga institucione pa emër, as nga kuratorët e vetëquajtur të GKA-së, ata janë specialistë, por bëhet nga kritika. Kur del në faqen e parë të Nju-Jork Times, të nesërmen je një artist i pasur, sepse ke vlera, për të cilat paguhesh. Këtu mund të dalësh nëpër qind gazeta, revista, dhe mund të jesh po aq i varfër, ndoshta akoma më i varfër. Ky është ndryshimi.

Çmimet e punëve tuaja fillojnë nga 1000 euro deri në 18.000 euro? Keni besim se do të shisni?
Çmimet e ekspozitave të mia janë një sfidë ndaj këtij realiteti ku ne jetojmë. Unë do vë çmimet, që vë në të gjitha vendet e botës ku ekspozoj. Nuk kam çmime për Shqipërinë. Sa herë që të kemi këtë mentalitet, që t'i bëjmë gjërat ndryshe sepse jemi në Shqipëri, ne do gabojmë pa dyshim.

 

Jorida Pasku, Shekulli

 

Read 797 times Last modified on Saturday, 17 June 2017 12:48
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 10 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…