Zoti i ruajtë fëmijët tanë!

Nga Dedë Shkurti
Ministria e Arsimit, që në konsideratën e brezit tim (me përjashtim të klientëve të saj) duhet quajtur Ministria e Analfabetizimit dhe e Analfabetëve me Diploma e Doktoraturë, po merret me “politikën dhe shkencën e madhe arsimore”. Ajo ka probleme me tenderimet e shkollave dhe me emërimet e mësuesve e deri ndoshta me ”përgatitjen” dhe infrastrukturën e zgjedhjeve të pritshme.

Nga Dedë Shkurti

Jam prind. Kam dy fëmijë të moshës shkollore. I pari është në vitin e dytë gjimnaz, në “Dom Bosko”, ndërsa i dyti në klasën e pestë në një shkollë nëntë vjeçare, afër Ministrisë së Arsimit. Pak para orës shtatë të mëngjesit, unë dhe bashkëshortja ime nisemi, secili në punët tona, i zgjojmë të dy djemtë dhe, në përpëlitjen e tyre fëminore të inercisë së  gjumit, jemi të bindur se pak ose shumë pak u hyjnë në vesh porositë tona: “Mbyllni derën e shtëpisë, varini çelësin në qafë dhe,….kujdes,shumë kujdes rrugën!”

Të pamerakosur fare për porositë e para se, edhe po ta harrojnë derën hapur, në shtëpi nuk ka ndonjë gjë të qenësishme për të vjedhur, meraku deri në ankth që na kaplon është rruga. Jam i sigurt se nuk them ndojë gjë të re që, të ndërpresësh rrugën, qoftë edhe në vijat e bardha apo të ashtuquajturit semaforë, në kryeqytetin e atdheut tonë të dashur është një kokëçarje e madhe deri në një gjendje stresive, po aq, të ngjitesh në autobuzët urbanë. Kur kjo ndodh me ne, burra dhe gra që vrapojmë për në punë, merret me mend se ç’ndodh me fëmijët e shkollës.

Si shumë prindër, edhe unë jam përpjekur dhe kam pajtuar një biçim furgoni, “school bus”, duke menduar se për të vajtur në shkollë do ta kenë më te lehtë se  me autobusët e shërbimit publik. Kostoja e këtij pajtimi kushton  tremijë e pesëqind lekë në muaj për një person, d.m.th. në njëzet ditë mësimi  i bie të paguash rreth njëqind  e tetëdhjetë lekë ose  tre herë më shumë se abonimi  i  transporti publik.

Edhe këtë pagesë jemi të detyruar ta bëjmë hallall por, makthi i sigurisë së fëmijëve na është shtuar më shumë. Me sa kam konstatuar, këta furgonë punojnë në një punë “gjysëm të zezë”. Nuk plotësojnë as edhe kushtin minimal për transportin e fëmijëve, janë në gjendje teknike shumë të pasigurt, të palarë, me shoferë të papërvojë, të patestuar dhe të pacertifikuar për këtë lloj shërbimi. I rrasin fëmijët mbi kapacitetin bartës, si sardelet dhe mbledhin fëmijë të tjerë në labirinthet e rrugicave apo ndoshta, edhe për t’iu shmangur policisë.

Kur kthehemi nga puna në shtëpi, ashtu të tromaksur siç jemi, fëmijët na thonë raste të herëpashershme që, furgonët defektohen në rrugë, u shfryhen gomat, i ndalon policia e, për rrjedhojë detyrohen të shkojnë në shkollë me këmbë dhe me vonesë. Telashet nuk kanë të sosur.

Në këto kushte, cili prind e bir nëne do të ndjehej i qetë në punën e tij, kur nuk e di dhe nuk është i sigurt për fëmijën e tij nga dera e shtëpisë për në shkollë?!. Cili  prind, në kushtet e një pune të zakonshme, por edhe të një papunësie të zakonshme, do ta shoqëronte fëmijën dy herë në ditë për ta çuar dhe për ta marrë nga shkolla?!.

Tek shkruaj shumë i shqetësuar këto fjalë, e marr me mend se disa që kanë punëra e makina të mira shfryjnë se po mundohem të bëj ndjeshmëri false e të ngre një “stuhi në gotë”. Unë nuk i përkas këtij rodi. Një gazetë e përditshme njoftonte se, në afërsi të Çorovodës, ishin përplasur dy autobusë, në garë se kush të merrte më parë nxënësit e shkollës, bile raportoheshin edhe fëmijë të plagosur, fatmirësisht pa pasoja tragjike. Pra, “raketa e verdhë” plasi!

Përvoja dhe praktika e punëve në mjedisin tonë shoqëror po na mëson se shqisat tona e kanë humbur sensin e kapjes dhe të reagimit të shpejtë ndaj disa simptomave periodike që paralajmërojnë pasoja të rënda individuale e kolektive, deri në ngjarje tragjike.E kur këto ndodhin, disa venë kujën, disa fillojnë filozofimet e hamendjet se… po t ë ishte bërë kështu e ashtu… nuk do të kishte ndodhi.

Pyetja shtrohet: kush do t’i ruajë fëmijët tanë nga dera e shtëpisë e deri tek oborri i shkollës?! Kush e ka për detyrë këtë?! Sistemi arsimor është i Republikës që, këtë vit do festojë njëqindvjetorin si shtet. Arsimi  parauniversitar është pra, i organizuar, thuajse i detyruar. Fëmijët tanë janë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës,”rekrutë në detyrë” që marrin një edukim të organizuar nga shteti por edhe detyrimisht ( si rregull) të mbrojtur nga shteti. Larg qoftë, kush do ta mbajë përgjegjësinë nëse vritet një fëmijë duke shkuar apo duke dalë nga dera e shkollës?!

Ministria e Arsimit, që në konsideratën e brezit tim (me përjashtim të klientëve të saj) duhet quajtur Ministria e Analfabetizimit dhe e Analfabetëve me Diploma e Doktoraturë, po merret me “politikën dhe shkencën e madhe arsimore”. Ajo ka probleme me tenderimet e shkollave dhe me emërimet e mësuesve e deri ndoshta me ”përgatitjen” dhe infrastrukturën e zgjedhjeve të pritshme.

Prej këndej, shqetësimi është totalisht i adresuar tek qeverisja vendore. I kemi parë kryetarët “shumë të përgjëruar” për fëmijët tanë shkollarë, të inaugurojnë ca kopshte të rikonstruktuara shtatë herë, ca palo kënde lojërash në asfalt, në koncerte e në ceremoni  të fillimvitit shkollor. Bile ditën e parë të shkollës edhe policia është në gardh në rrugë e kryqëzime dhe kjo, jo për të siguruar fëmijët tanë por se, në shkolla do të shkojë udhëheqja.

Do t’i bëja një thirrje, tepër të sinqertë, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit të nderuar Lulzim Basha që, po me atë vendosmëri që ka marrë ndërtimin e tramit e të terminalit multimodal, të zgjatimit të bulevardit apo ndërtimin e xhamisë, të mendojë urgjent dhe seriozisht për të garantuar sigurinë absolute dhe komfortin e nevojshëm minimal të vajtjes së fëmijëve në shkollë.

Me tagrin që i ka dhënë ligji si dhe për funksionin e lartë që ka, të vendosë disiplinimin e trafikut të çmendur brenda territorit ku ushtron pushtetin, sidomos në oraret e lëvizjes së nxënësve, duke sanksionuar kufizimin e shpejtësisë deri në ndalim të plotë të automjeteve. Me këtë  veprim, vetëm sa fut në shtratin e ligjit mënyrën e lëvizjes në “shtëpinë e tij”.

Zoti Basha ka po aq “të shëtitura” dhe edukim ligjor sa edhe unë. Ai e ka parë (fjala vjen) se, në Shtetet Bashkuara të Amerikës, në prani të autobusit të ndaluar të shkollës ndalon STOP edhe vetë presidenti me gjithë eskortën e tij. Kushdo që lajthit ta parakalojë apo të ndërrohet me këtë bus, gjobitet dhe mund të arrestohet në vend dhe, nga ku, mund të hajë deri në nëntëdhjetë ditë burg.

Policia Rrugore e instaluar në kryeqytet si dhe policia bashkiake  lipset të pozicionohen ndryshe, dhe jo të ngrohin semaforët, apo të sillen si taksidarë parkimesh e trotuaresh. Eshtë koha për t’i lënë përrallat me abetare e libra falas, të vonohen kartat e studentëve (nëse gjërat bëhen paralelisht aq më mirë) dhe, më parë, të kristalizohet në rregullore Statusi i Fëmijës Shkollarë ku, me një inventar të shtuar e të bollshëm linjash urbane publike, në pikun dhe oraret e funksionimit të shkollës, nxënësit ta kenë falas transportin. Kjo nuk është ndonjë privilegj që u bëhet fëmijëve dhe prindërve të tyre por minimum i një  detyrimi ligjor, që paguhet me taksat tona.

Në të kundërt, nëse të zgjedhurit tanë, do të vazhdojnë bëjnë shurdhin e të bezdisurin, si gjithmonë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, me dhimbje, t’ua themi si prindi fëmijës se: paskeni lindur më fatkeqë se ne, dhe t’i edukojmë drejt një indiference, përçmimi e deri në mosbindje qytetare, me uratën: Zoti u ruajt!

respublica.al

Read 1184 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 36 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…