Berisha: Në 2015 mësuesit e klasave të para do të jenë anglishtfolës

Kreu i ekzekutivit ka kërkuar uljen e tarifave të mësimit të gjuhës angleze.  Nxënësit të mësojnë mirë dy gjuhë të huaja

Deri në vitin 2015, çdo mësues që fillon me klasën e parë duhet të jetë anglishtfolës. Ndërkohë që nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme duhet të kenë të përvetësuara mirë dy gjuhë të huaja. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës së organizuar nga British Council, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, “Gjuha angleze dhe sistemi arsimor – Një mundësi e re”, me pjesëmarrjen e ministrit të Arsimit, zotit Myqerem Tafaj, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Tiranë, zotit Nicholas Cannon, përfaqësuesve të institucioneve arsimore, universiteteve publikë dhe privatë. Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se me ndryshimet e reja në sistemin arsimor gjuha angleze do të nisë të mësohet në shkollë që nga klasa e tretë.“Ne nuk  do ta fillojmë anglishten që në klasën e parë, çka është e diskutueshme, por do ta fillojmë në klasën e tretë dhe mësuesi në sistemin e ri do ta përcjellë nxënësin deri në klasën e gjashtë. Mora këtë shembull për të theksuar se ne jemi në një ndryshim të vazhdueshëm. A është kjo një kërkesë shtesë? Po, por është një kërkesë plotësisht e realizueshme për mësuesin, që lartëson standardin e tij, e ndihmon të pasurojnë njohuritë e tij të gjithanshme”, është shprehur Berisha, i cili më tej është ndaluar në cilësinë më të mirë të mësimdhënies së gjuhës angleze dhe çmimin më të lirë për mësimin e saj.

“Natyrisht, në kushtet e tregut, nuk ka asgjë pa një çmim, por duhet të përpiqemi t’ia lehtësojmë sa më shumë atë studentëve, të gjejmë mënyrat sesi testi i British Council apo TOEFL apo teste të miratuara nga ju të jenë sa më lehtë të përballueshme nga studentët tanë”, ka thënë Berisha, duke kërkuar që nxënësit në Shqipëri të përvetësojnë të paktën dy gjuhë të huaja nëpër shkolla.

“Çdo nxënës duhet të mbarojë gjimnazin me dy gjuhë të disponuara. E dyta do të jetë frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, kinezçe, detyrimisht duhet të ecim edhe me këtë gjuhë, e cila gjithnjë e më shumë merr terren dhe rëndësi të veçantë, pasi sot, Kina është superfuqia e dytë e botës në ekonominë planetare”, ka thënë Berisha.

18 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Read 1115 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 27 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…