Kukesi i nëntokës, 3 kilometra tunel, me spital, hetuesi dhe ujësjellës

Ata janë popull inteligjent, autoironik. Nuk ankohen apo të qahen, përdorin shprehje të të urtëve për të nënkuptuar situatën në të cilën ndodhen. Janë banorë të një qyteti shumë të rëndësishëm që neve na ndriçon, por varfëria e prekshme ngado, i ka lënë në terr. Dikur nuk e shmangie dot këtë qytet për të kaluar përtej kufirit, në Kosovë, sot, ai ka mbetur në fund të një rruge qorre.

Ata janë popull inteligjent, autoironik. Nuk ankohen apo të qahen, përdorin shprehje të të urtëve për të nënkuptuar situatën në të cilën ndodhen. Janë banorë të një qyteti shumë të rëndësishëm që neve na ndriçon, por varfëria e prekshme ngado, i ka lënë në terr. Dikur nuk e shmangie dot këtë qytet për të kaluar përtej kufirit, në Kosovë, sot, ai ka mbetur në fund të një rruge qorre. Jemi në Kukës, për të zbuluar vërtetësinë e një thashethemnaje apo legjende ndër vite, që nesër do të kthehet në thesarin që do të përmirësojë cilësinë e jetesës së kuksianëve, jemi në kërkim të qytetit të nëndheshëm.
Anashkalimi
Ky është udhëtimi i parë në rrugën e kombit e me thënë të vërtetën e meriton të quhet e tillë sepse ishte një super rrugë. Kishim vite pa kaluar andej, që kur na u desh të ktheheshim nga Kosova në Shqipëri pas një shërbimi, e më se bëmë atë gabim. Ajo rrugë dredharake, e pafundme, mes maleve nga njëra anë e humnerave bashkëshoqëruese nga ana tjetër, të kushtonte jo më pak se 7 orë, plus frikën dhe mungesën e orientimit nga mos prania e tabelave. Sot, po ta marrësh shtruar, për dy orë je në Kukës. Tuneli i gjatë 5.8 kilometra që ka çarë malin përtej, nuk ka asgjë më pak, se ato të ndërtuara kudo në Evropë. Në këtë prag vjeshte të vonuar, rruga që kalon përmes luginës së Fanit bëhet edhe më tërheqëse. Tabela orientuese njofton se jemi gati në të mbërritur. Pas pak metrash, para nesh, në fundin e rrugës që ngjason me shkronjën T, shfaqet tabela, majtas për Kukës, e djathtas për Kosovë. Rruga e re ka shmangur qytetin veri-lindor duke e lënë në atë cep, pa atë zhurmën dhe favoret e qytetit transit. Pas disa kthesave, para nesh shfaqet qyteti më i ri në Shqipëri, Kukësi 34 vjeçar. Pallatet uniforme të realizmit socialist, thyhen tek tuk nga ndonjë godinë e lartë e xhamtë. Qendra është një hapësirë e madhe ku në skajet rreth saj janë të ndërtuara Bashkia, Pallati i Kulturës, Qarku, Kulla e Qëndresës dhe Gjykata e Rrethit. Në një kënd, është busti i Skënderbeut, bust i cili në këtë hapësirë të madhe duket në miniaturë. Në cepin e gjykatës shtrihet shëtitorja e Kukësit, një ndër shëtitoret më të mëdha që na kanë zënë sytë. Nga njëra anë sheh liqenin e Fierzës, nga tjetra pallatet standarde, me hapësira të lira për qytetarët e kënde lojërash publike për të vegjlit. Liqeni është firuar. Me sy të lirë duket se niveli ka rënë ndjeshëm e kjo situatë na tremb. Banorët thonë se e kanë shfrytëzuar në maksimum e një shkak tjetër është, ky mot i thatë.
Tredimensional
Kukësi është qytet unik në Shqipëri sepse është tredimensional. Në këtë zonë janë tre Kukësa; Kukësi i vjetër i përmbytur në vitin 1978, Kukësi i ri apo ky aktual i banuar në vitin 1978 dhe Kukësi i nëntokës, një qytet i ndërtuar paralelisht me qytetin e ri në vitin 1978. Frika nga ndonjë sulm i mundshëm i jugosllavëve e detyroi shtetin komunist të Enver Hoxhës, të ndërtonte paralelisht me Kukësin e ri, këtë qytet të nëndheshëm që rrallëkush e di se ekziston. Qyteti i nëndheshëm është 2.4 kilometra, aq sa është edhe shtrirja e qytetit sipër, pa zgjerimet e viteve post ’90, në formën e tuneleve që lidhen me pikat kyçe të qytetit dhe 7 lagjet e tij. Ka disa hyrje të vendosura në lagje dhe në qendër ku janë institucionet, e në momentet e një alarmi për sulm, i gjithë Kukësi do të kishte mundësi të mbrohej nga qyteti i nëndheshëm, i tëri i kredhur në beton. Kryetari i Bashkisë Hasan Halilaj na shpjegon se ai ishte ndërtuar për të përmbushur nevojat elementare të një qyteti. “Në Kukësin e nëntokës, poshtë këmbëve tona shtrihen, spitali, materniteti, shtypshkronja, ujësjellësi, komiteti ekzekutiv, ai i partisë, sallë e madhe për mitingje apo takime me popullin, burgu, hetuesia si dhe komiteti i partisë. Çdo lagje e qytetit ka një tunel që e bashkon me qendrën”, thotë Hasan Halilaj. Ai shprehet se si kuksian, e dinte që kishte tunele nën tokë në formën e vendstrehimeve, por kurrë se kishte besuar një dublim të tillë të një qyteti të tërë, mbitokë me nëntokë. Bukurosh Onuzi, punonjës i UNDP na thotë se para dy vitesh në Kukës erdhi një ekspert ndërkombëtar i turizmit, e pasi pa qytetin e nëndheshëm, u mrekullua. “Ai na propozoi që ky qytet i nëndheshëm të kthehet pikë të vizitueshme nga turistët. Ai kishte qenë më parë në Vietnam, por tha se Kukësi nën tokë as nuk krahasohej me atë që kish gjetur në Azi. Edhe unë kam parë një qytet të ngjashëm në Ballkan por i pakrahasueshëm me këtë poshtë nesh. Ky i ka të gjitha strukturat për të pasur formën e një qyteti të mirëfilltë”, thotë Onuzi. Deri në vitin 1991 qyteti i nëndheshëm është ruajtur dhe mirëmbajtur nga strukturat shtetërore, ndërsa pas saj nisi degradimi. Aktualisht në qytetin e nëntokës mungon ndriçimi e ka dëme të konsiderueshme, megjithatë me pak investim mund të rikthehet si më parë.
Në qytetin e nëndheshëm
Bukurosh Onuzi pranon të bëhet udhërrëfyesi ynë në qytetin e nëntokës. Zgjedhim një nga hyrjet që bie në autostradë, pranë një ish-reparti ushtarak, tashmë i kthyer te pronari. “O nan a ke lop brenda se duam me hy në tunele?”- pyet Bukuroshi gruan që me të na parë del te dera. Ajo thotë jo, dhe e gatshme afrohet të na ndihmojë. Hap në fillim derën e hekurt lidhur me disa tela e dy hapa më tutje atë derë betoni që është aq e rëndë sa unë s’mundem ta lëviz nga vendi, nëna po. Ka një trashësi rreth 20 centimetra dhe materialet e vetme përbërëse janë, hekur e beton. “E kam myll derën se hyjnë njerëz që nga Shote Galica (busti) e na vijnë ktu”, thotë Xhevrie Cena, 65 vjeçarja që është pronare e tokës ku është një nga portat e qytetit të nëndheshëm. Brenda është errësirë e përmes dritës së kamerës, shohim rrugën. Poshtë është relativisht pastër. Tek tuk ndonjë grumbullim gurësh të vegjë e ndonjë arkë plastike e vendosur së fundmi dhe, mjaft fresk. Kuptojmë se jemi në zonën e hetuesisë çka lidhet edhe me vendndodhjen. Dhomat janë me numra 1,2,3,4... dhe disa kanë një dritare të vogël 20 me 20 centimetra nga ku kontrollohet dhoma tjetër. Tuneli vazhdon gjatë deri në një hapësirë të madhe ku janë vendosur institucionet kryesore. Një tavolinë betoni e karrige të tilla, bën të mendosh se kjo duhet të ketë qenë salla e mbledhjeve me popullin. Ai regjim funksiononte në detaje, e propaganda përbënte një pikë kyçe ndaj edhe poshtë në këtë qytet të nëndheshëm, shtypshkronja, s’kish si të mungonte. Ujësjellësi kishte një depozitë gjigande dhe ishte bërë për të përmbushur kërkesat për disa javë të gjithë qytetit. Tunelet nuk janë shumë të dëmtuara, duan ndriçim, bojë dhe tabela orientuese. Edhe pse nën tokë, sistemi i ajrimit është perfekt. Nuk të merret fryma siç ndodh zakonisht. Kur dalim jashtë, nënë Xhevria na tregon diçka mbi strukturën e betontë. “Asht oxhaku i tuneleve. Me e pa sa shfryn habitesh”-thotë ajo.
Dokumenti sekret
Në arkivin e Bashkisë së Kukësit, ekziston dhe ky dokument që ne disponojmë e që është planimetria e përgjithshme urbanistike e qytetit. Ajo nuk ka të bëjë vetëm me planifikimin për ndërtimin e Kukësit të ri por edhe me Kukësin e nëndheshëm. Në krye të dokumentit shënohet “Sekret. Ekzemplar i rrallë”, ndërsa majtas ka një shënim që na ndriçon paksa edhe pjesën historike të marrëdhënieve me Jugosllavinë e fortifikimin e qytetit kufitar. Ky shënim i drejtohet kryetarit të shtabit të mbrojtjes së Rrethit, Izet Dyrmishi e si objekt ka punën strehuese të popullsisë së Kukësit të ri. “Strehimet për popullatën e qytetit të jenë tepër të fortifikueme. Minimumi në vitin 1974 duhet të mbaroni 1 mijë metra tunel. Qyteti duhet të përgatitet për luftë. Që të kemi mbrojtje të qëndrueshme duhen 12 toga,(FVVP)Forcat Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore dhe të bëni 12 (RTF) Rajone Tepër të Fortifikuara. Gjithsej rrethi ka 220 toga dhe duhen 220 RTF. 2400 metra tunel duhet ti mbaroni për dy vjet. Situata që po krijohet me jugosllavët nuk është e mirë....” Kjo është pjesë e udhëzimit të partisë për Kryetarin e Shtabit të Mbrojtjes, ndërsa planimetria e qytetit të nëndheshëm është miratuar edhe nga komandanti i FVVP të rrethit Sulejman Perllaku. Ndërkaq në legjendën e hartës shënohet me elementë diferencues, tunelet e përfunduara, ata që janë në ndërtim, daljet, strehimet tip të groposura, adaptim bodrumesh, strehim individual...
Varfëri
Kukësi është qytet i varfër, por me një super stadium 5 mijë vendësh që e kanë zili të gjithë qytetet e tjera, ka një xhiro dhe një shesh të stërmadh, por nuk ka njerëz, ka një ujësjellës që ka kushtuar 3.5 milionë që e furnizojnë qytetin dhe 14 fshatra 24 orë ujë (ujë Kolosrami, burim natyral), por ka 90 për qind konsumatorë që nuk paguajnë (E njëjta situatë edhe me energjinë). Ka biznesmenë të njohur në Tiranë e gjithë Shqipërinë, por që s’kanë bërë asgjë për qytetin e tyre të lindjes. Është qytet i ri por me shumë konflikte të vjetra pronësie. Është pasdite e, ajo hapësirë e pafundme në qendër është bosh. Te Pallati i Kulturës ka një aktivitet, e kjo ka bërë që ata të “mbyllen” aty. Tek-tuk duket ndonjë kalimtar. I pyesim nëse e dinë se poshtë qytetit të tyre fshihet një qytetet tjetër nëntokësor. Pjesa më e madhe e të rriturve, dinë vetëm se ka tunele që u ndërtuan në kohën e Partisë së Punës për të siguruar mbrojtjen e qytetit nga sulmet e jugosllavëve. Nuk e dinë, që poshtë tyre ka edhe spital, maternitet, hetuesi e institucione për atë kohë kyçe. “Unë kam pas punuar në ndërmarrjen ushqimore e tunelet i përdornim si frigoriferë sepse ushqimet na rrinin shumë mirë”, thotë Haxhiu një burrë 60 vjeçar. E kur e pyesim se si është situata ekonomike në Kukës përgjigjet shpejt; Shif e shkruj..., të gjithë hajnë me lista. Tre djem të rinj janë ulur në bordurat e bulevardit. Vetëm njëri prej tyre është në gjimnaz në vit të tretë e mot, do të shkojë në universitet. “Do studioj në universitetin e Kukësit, pasi s’kam mundësi me ardhë në Tiranë. Tirana do lekë”, thotë ai ndërsa na shpjegon se shumica e studentëve në universitetin e qytetit të tij janë nga rrethinat. Nënë Xhevria është aq shpotitëse sa s’bëhen dy. “As n’Tiran s’munemi me ardh më. Dikur vijshin e zejshin i tokë, tani duhet me ble shpi”, thotë 65-vjeçarja. Kur e pyesim se kur i ka parë tunelet për herë të parë na thotë; I thosha burrit, o Haxhi hape at derë me pa ç’ka ka e ai m’thote; S’hapet ajo derë o loke.” Këto njerëz të ndershëm, tanimë jetojnë në pikë të hallit edhe pse pas kaq vitesh kanë marrë pronat e tyre. Ish-reparti ushtarak ku ato jetojnë, thjesht është përshtatur si kanë mundur, për ta bërë të ngjashme me një banesë normale. Në vitin 1997 përballë tyre ishte vjedhur një magazinë me të gjitha ato që kishte, por burrë e grua, bashkë me djemtë s’kishin lëvizur prej vendit. “Po m’thote i djal kur m’shifte tu kqyr; A ke vner o loke... Kur e pyesim se si jetojnë ajo s’pret të mbarojmë; Çdo shpi e ka i zot, edhe shteti e ka i zot shpie, kurse kto s’din sa popull kanë... Keq e më keq po shkon”, përfundon ajo. Shpresa e vetme është ky tunel, që nëse do të kthehet i vizitueshëm, ajo do të nxjerrë një tavolinë të vogël në oborr e të shesë ujë e çikërrima me fitu 5 lekë.
Histori...
“Ku po t’dhem o Llesh...? – As dreqi s’e merr vesh”. Kështu na thotë Skënder Prizreni, një burrë i pashëm me borsalino, kur e pyesim se si është situata në qytetin e tij. Ai thotë se ndërtimi i rrugës së re, e ka lënë qytetin në një pikë të humbur, ku askujt s’i bie rruga andej. Skënderi ka një histori interesante. Ai na tregon se në vitin 1978, ka qenë nënkryetar i komisionit për kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës. Këtë 12 tetor atë e kanë ftuar në Shkup për një aktivitet për Hasan Prishtinën, por s’mundet me shku, ndërsa na tregon gjithë pasion se Kukësi ka 80 dëshmorë. “Kam nejt pesë minuta në krah të Kadri Hazbiut, kur u kry ceremonia e rivarrosjes së Hasan Prishtinës në Kukës. Erdhën mbi 100 kosovarë nga Fieri e Thumana në ceremoni, kurse nga shteti vetëm Kadriu. Po Hasan Prishtina ishte atdhetar dhe e meritonte me u sjell në Shqipëri, jo si disa...” thotë Skënderi. Qytetit verilindor i ka mbetur si kujtim i zemërgjerësisë së tij për eksodin kosovar të vitit 1999, vetëm një kullë, Kulla e Qëndresës. Në këtë kullë do të ndërtohet nga Bashkia e qytetit, Muzeu Etnografik, me shpresë që vizitorët në Kukës, të njohin edhe trashëgiminë kulturore të qytetit. Këta vizitorë tashmë janë edhe më të rrallë ndaj qytetit kufitar i duhet një zgjidhje; ti japë jetë qytetit të nëndheshëm. Mbrëmja ka rënë pa u ndjerë e nevoja për një gjë krahëve, bëhet e domosdoshme. Largohemi nga Kukësi duke shpresuar se Qeveria dhe organizatat ndërkombëtare nuk do e lënë në këtë rrugë qorre qytetin e vogël që i jep dritë gjithë vendit. /GSH/

 Nga Rezarta Delisula

Read 1602 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 32 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…