Edhe gjatë kësaj fushate, dukshëm më të tensionuar dhe më të helmuar me dyshime se fushata e 28 qershorit 2009, gënjeshtrat do të zgjasin ca hundë dhe gjuhë druri që do të priten në 8 Maj nga tehu i votës referendare mes kundërshtarëve PD-PS. Njëra prej tyre ishte brilante dhe duket se do të qëndrojë për ca kohë në Hit Paraden e mashtrimit përballë turmave: “(Edi Rama) Në krye të Partisë Socialiste nuk erdhi vetë, e solli Fatos Nano, e solli Sali Berisha”. Njeriu që i flet vetes me emër dhe mbiemër është po Sali Berisha. Se në çfarë mënyre ka ndodhur një gjë e tillë, zoti Berisha nuk e tha, por është e lehtë të besohet se ai ka bindje se gjithçka në Shqipërinë e djeshme dhe të sotme parapolitike ndodh me dijeninë dhe lejen e tij vetjake, përveç, fjala vjen, demontimit kriminal të predhave në Gërdec. Por edhe këtu ka një problem. Dhe shumë serioz madje, shumë më të rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë sesa dilema e vjetër qesharake mes vezes dhe pulës: Kush ka ardhur më parë në dynja, veza apo pula? Në këtë rast, dilema mund të bëhet trilemë: po vetë Sali Berishën kush e “paketoi” në krye të politikës shqiptare në këto 20 vjet në vijim?
Dikur tregohej një anekdotë. Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist i vendit, kishte projektuar ndarjen si amebë (një nga njëqelizorët e parë të vitit “zero” të evolucionit) të partisë së tij në dy pjesë kryesore me bërthamën e vjetër, komunistët klasikë dhe bijtë e tyre. Ndarja do të ishte, komunistët e reformuar nga një anë dhe demokratët e orës së fundit, nga ana tjetër. Dy ishin njerëzit që do t´i drejtonin ato, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Llogaria e vjetër e zotit Alia ishte e thjeshtë: “të mirin”, liberalin, ekonomistin me syze tek PS-ja dhe të “keqin”, ultrakonservatorin komunist, mjekun e talentuar tek PD-ja. Dhe ashtu ndodhi. Zoti Alia nuk dinte vetëm një detaj që historia e ka vërtetuar në çdo shembull që jepet: Mbretërit nuk i duan dëshmitarët e dobësive të tyre, ata hakmerren ndaj Mentorëve të tyre. Nuk dinte as etjen për të qenë “mbret” i Shqipërisë që kreshniku Berisha kishte ushqyer që nga momenti që kishte lënë Alpet dhe kishte ardhur për herë të parë në kryeqytetin e viteve 60´, atëherë kur nuk njihte askënd, atëherë kur e frustronte dialekti që fliste, atëherë kur mënyra e të ecurit dhe batanija e ashpër e konviktit ku flinte pak se studionte shumë, e ndante nga të tjerët.
Tashmë ka një diferencë të madhe mes dy armiqve të betuar, Berishës dhe Ramës. Një diferencë që nuk nis në fillim të viteve 90´ dhe në vijim, por që është krijuar si e tillë dhe e pandryshueshme nën regjimin komunist: nëse Rama atëherë i bënte veshët katër që të dëgjonte Pink Floyd, The Doors, Deep Purple e kështu me rradhë, Berisha edhe katër veshë të kishe në dispozicion, t´i priste të katërt nëse dëgjoje Pink Floyd, The Doors, Deep Purple e kështu me rradhë. Sot Berisha flet për Lady Gaga. Ironia nuk ka fund në këtë vend të mbushur plot me ironi, kur po Doktori, quan bir të etërve Ramën.
Thënë këtë, të 20 vjetët e pseudopluralizmit shqiptar deri në fushatën për zgjedhjet adminstrative të majit 2011, nuk kanë ndryshuar asgjë, përveç rigarimit mes komunistit të vjetër dhe të ri me kostum antikomunisti, zotit Berisha dhe anarkistit të vjetër dhe revolucionarit të ri me kostum trendy, zotit Rama. Qytetarët e kanë zgjedhjen e lehtë edhe këtë rradhë: duhet të mendojnë si demokratët e dhjetorit 1990 dhe të votojnë rishtaz kundër gënjeshtarëve komunistë. Pa harruar në këtë peshore as Fatos Nanon që mbeti viktimë e një “plumbi” qorr që qëlloi Doktori nga Vlora, kur u kujtoi të gjithëve sërish, se e shkuara e përbashkët komuniste me të, vlen të jetë argument për miqësinë e tyre të sotme e të nesërme.
Tema