Të digjesh nga Panoja dhe t’i frysh… kufirit

Nga Alqi Kociku

Panos Kamenos mund të quhet një variant fatlum i Kreshnik Spahiut. Kriza dhe kaosi politiko-ekonomik e nxorrën atë në sipërfaqe të pushtetit, ashtu siç një çast të vetëm trullosjeje, kreu socialist Rama mund të kishte pranuar një marrëveshje koalicioni me Spahiun në pranverën e 2013-ës. Por përpjekja e Panos për të mbledhur vota nën kostumin e ministrit të Mbrojtjes, në rastin konkret mund të quhet e djegur.


Një turne treditor i ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos në repartet ushtarake dhe pikat kufitare me Shqipërinë, dhe disa deklarata të tij në takimet e ndryshme që zhvilloi, ngjallën reagime të kuptueshme dje në mediat shqiptare. Ministri ishte shoqëruar nga shefi i shtabit Telidhis dhe ushtarakë të tjerë, dhe veç takimeve me pushtetarë vendorë, nuk mungoi një takim i veçantë me mitropolitin e Kosturit, Serafim.

Të mos ishte për deklaratat dhe disa ngjyrime “mes rreshtave”, pra në rrethana të tjera kjo rutinë ministrore e fqinjëve do kishte interes për ne po aq sa një vizitë e ministrit danez të Mbrojtjes në Groenlandë. Por nuk është kështu, dhe ky gjest pikërisht tani meriton të analizohet, sigurisht me kthjelltësi dhe pa panik (mediat shqiptare i zë paniku nga deklaratat e Kamenos, shkruhej dje në shtypin online grek).

Fakti është që kokëçarja madhore e qeverisë greke sot është përmbyllja e negociatave të borxhit me BE-në. Kryeministri Cipras është jashtë vendit dhe me sot e me nesër priten lajme mbi daljen e Greqisë nga eurozona ose mbi arritjen e një pakti me Trojkën evropiane. Është normale që vakumin në lidhje me marrëdhëniet e tendosura shqiptare, ta zinte Kamenos. Si lindi kjo tendosje, paçka me marrëdhëniet dypalëshe nuk kanë qenë kurrë të çlirëta? Kryesorja, nga kërkimet e një kompanie norvegjeze për naftë në ujërat e Jonit, teksa marrëveshja e kufirit detar me Shqipërinë për Tiranën zyrtare nuk ekziston. Edhe pse në buzë të greminës, Athinës i duket e papranueshme çdo ngritje zëri dhe kërkim të së drejtës nga Shqipëria.

Ndaj Kamenos gjen rastin të vizitojë fshatrat dhe repartet kufitare, dhe t’i sigurojë të gjithë se do shtohet prania ushtarake në rajon. Po për ç’arsye? Konkretisht, ministri ka një të drejtë kur premton t’u qëndrojë pranë banorëve të paktë, të izoluar të fshatrave kufitare, që në disa raste janë përballur me hajdutë e grabitës, qoftë shqiptarë (dhe s’ka pse të mohohet pasi çdo vend ka racionin e tij të keqbërësve), qoftë kalimtarë klandestinë që duan të hyjnë të Shqipëri për të dalë në Europën qendrore. Është gjithashtu në të drejtën e vet kur u bën thirrje të rinjve nga këto fshatra (zona kufitare nga Thesprotia, në Janinë, Kozan e Follorinë) të rikthehen për të ringjallur vendin dhe ekonomitë e tyre, në vend që të rrinë të papunë në Athinë. Por nëse kjo siguri arrihet duke rikthyer praninë e shtuar ushtarake të shumë e shumë viteve më parë, e madje duke premtuar edhe patrullime ajrore në një kohë shtrëngesash të forta ekonomike për Greqinë, kjo është e dyshimtë.

E dyfishon këtë dyshim pastaj, deklarata tërësisht pompozo-nacionaliste e ministrit Kamenos, i pyetur mbi çështjen e kufirit detar me Shqipërinë, se nuk do të lëshojë asnjë pëllëmbë tokë e asnjë pikë ujë të Greqisë. Këtu fillon “keqkuptimi” qëllimisht i kërkuar i Panos Kamenos. Në marrëveshjen e ngrirë detare, nuk është Greqia ajo që ankohet se ka dalë e humbur nga pakti dypalësh, përkundrazi: pakti është anulluar nga Gjykata Kushtetuese e Tiranës pikërisht sepse vendi ynë humbet sipërfaqe të konsiderueshme detare, ndaj duhet rinegociuar një marrëveshje e re. Shkurt, është një deklaratë që do t’i shkonte logjikisht ministres sonë të Mbrojtjes, jo homologut të saj grek.

Unë nuk besoj se fryma e “turneut Kamenos” kishte diçka realisht kërcënuese për Shqipërinë, më shumë sesa ishte një moment fushate politike e kreut të partisë së ekstremit të djathtë nacionalist “grekët e lirë”. Të cilin, shifrat elektorale dhe fati e solli të bashkëqeverisë në një nga momentet më dramatike të Greqisë, vendin e zhytur në borxhe bashkë me kryeministrin e ekstremit të majtë Cipras. Ata të dy, ndoshta i bashkon njëfarë filorusizmi, disi i simuluar edhe për t’u bërë karshillëk partnerëve europianë në BE, por në rrethana të tjera politike do ishin në kampe të ndara. Janë proverbiale disa qëndrime e deklarata “të trasha” të Kamenos së fundmi, që në ethe e sipër për të mbledhur sa më shumë vota të pakënaqurish, do të deklaronte dhjetorin e kaluar se hebrenjtë grekë janë ata që nuk paguajnë taksa, çka u dënua ashpër edhe nga qeveria e vet. Ka deklaruar gjithashtu se Europa po qeveriset nga neonazistët gjermanë, ndërsa ministri i Financave të Berlinit, Volfgang Shojble duhet shpallur persona non grata sepse nuk miraton reparacionet e luftës që Greqia kërkon prej Gjermanisë. Pa harruar tjetrën: “Nëse partnerët europianë nuk gjejnë një zgjidhje për krizën aktuale të vendit, Athina do të pajisë me dokumente të gjithë emigrantët e paligjshëm që ndodhen në territorin grek, duke i lejuar ata të shkojnë në kryeqytetet e tjera evropiane, madje dhe në Berlin. Me siguri mes tyre do të ketë edhe disa xhihadistë”.

Panos Kamenos mund të quhet një variant fatlum i Kreshnik Spahiut. Kriza dhe kaosi politiko-ekonomik e nxorrën atë në sipërfaqe të pushtetit, ashtu siç një çast të vetëm trullosjeje, kreu socialist Rama mund të kishte pranuar një marrëveshje koalicioni me Spahiun në pranverën e 2013-ës. Por përpjekja e Panos për të mbledhur vota nën kostumin e ministrit të Mbrojtjes, në rastin konkret mund të quhet e djegur. Greqia ka halle shumë më të mëdha sesa rimbushja e postave të vjetra kufitare me ushtarë, nga një drejtim që nuk i vjen asnjë kërcënim. Dhe jo më kot, Kamenos në greqisht do të thotë “i Djegur”.
Gazeta DITA

Read 1576 times Last modified on Friday, 16 June 2017 16:07
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 12 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…