Reuters: SHBA paralajmërojnë Shqipërinë të mos ushqejë nacionalizmin

Ndërkohë që ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka mohuar që ka një memo të SHBA për tonet e nacionalizmit të Berishës, ky më poshtë është një raport i agjencisë Reuters për këtë çështje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar liderët e Shqipërisë, vendit aleat në NATO, që të ndalojnë së ushqyeri nacionalizmin përpara zgjedhjeve, për shkak se rrezikojnë të destabilizojnë rajonin.

Duke u përballur me një garë të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të qershorit, kryeministri Sali Berisha ka nisur që të ngjallë zemërim në vendet fqinje- ku banojnë miliona shqiptarë etnikë- me deklaratat e tij gjithnjë e më nacionaliste.

Nëntorin e shkuar, ministri i Jashtëm i Greqisë fqinje bojkotoi aktivitetet për 100- vjetorin e Pavarësisë në Tiranë, pasi Berisha përshëndeti një qytet shqiptar tej kufijve, duke e quajtur “tokë shqiptare”. Presidenti i Maqedonisë, ku çereku i popullsisë janë shqiptarë, nuk erdhi gjithashtu.

Në një memo për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, të raportuar të premten nga një numër gazetash, Departamenti amerikan i Shtetit thotë se udhëheqësit shqiptarë po shkelin në territore “potencialisht të rrezikshme”, duke pasur parasysh historinë e konflikteve etnike në Ballkan.

Këto deklarata “jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit, por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin, dhe ndikojnë në marrëdhëniet tona”.

Madje më troç, në memo thuhet se politikanët shqiptarë duhet të qëndrojnë jashtë çështjeve të Serbisë, që është në bisedime delikate me Bashkimin Europian për të normalizuar lidhjet me Kosovën- që është shkëputur nga Serbia në vitin 1999.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane nuk pranoi të komentojë memon.

Një histori konfliktesh

Berisha është ankuar vazhdimisht për “albanofobinë” e huaj dhe ka ngjallur habi në Serbi muajin e shkuar kur iu referua ish- gueriljeve shqiptare si “heronjtë e kombit shqiptar”.

Shqiptarët etnikë nisën kryengritjen në jug të Serbisë dhe në Maqedoni në vitin 2000 dhe 2001. Këto konflikte ishin një zgjatim i luftës së vitit 1998-99 në Kosoë, që u shkëput nga Serbia pasi një fushatë ajrore e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA, ndali ofensivën brutale serbe për të shtypur separatizmin.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Por varfëria, papunësia dhe mungesa e integrimit vazhdojnë të shtojnë pakënaqësinë mes shqiptarëve etnikë në mbarë rajonin.

Uashingtoni ishte forca lëvizëse prapa anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në vitin 2009 dhe po bën presion që Tirana të sigurojë që këto zgjedhje të jenë të lira nga dhuna dhe manipulimet që kanë shoqëruar zgjedhjet e mëparshme, në mënyrë që oferta për tu bashkuar me BE-në të ecë përpara.

Analistët thonë se Berisha mund të jetë duke iu përgjigjur daljes së një partie të re nacionaliste, të quajtur Aleanca Kuq e Zi, një emër i marrë nga ngjyra e flamurit shqiptar.

“Berisha është gabim nëse do të ndërtojë një xhaketë antiplumb të bërë nga nacionalizmi, për ta mbrojtur nëse zgjedhjet shkojnë keq,” tha deputeti i opozitës dhe ish- kryeministri Pandeli Majko.

Por Berisha ka mbrojtur qëndrimin e tij.

“Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale,” tha ai përpara parlamentit të premten, duke shënuar pesë vjetorin e shtetësisë së Kosovës. “Ky nacionalizëm nuk është i bazuar në doktrinat e asgjësimit, si nacionalizmat rreth nesh”.

Tema

Read 654 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 10 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…