Tentakulat e Rusisë, si u zgjodh  Lulzim Basha si njeriu i duhur


Rusët lobuan për Lulzim Bashën në SHBA te Trump

Kohët e fundit opinioni botëror po mëson dalëngadalë për ndërhyrje skandaloze të shtetit dhe spiunazhit rus në politikën amerikane. Lidhur me këtë, një prokuror special, me hetimet e tij, po detyron zyrtarë të lartë që të dorëhiqen, përballë fakteve se Kremlini ka ndërhyrë nëpermjet tyre për të shtrembëruar zgjedhjet presidenciale.Nje gjë e tillë duket se nuk ka ndodhur vetëm në SHBA. Këtë e zbulon një investigim shumë interesant, i publikuar dje në revistën prestigjioze amerikane “Mother Jones”, me autorë David Corn, Hannah Levintova dhe Dan Friedman, ku rezulton që përpjekjet e Moskës për të trazuar ujrat në Ballkan kanë kaluar edhe përmes Shqipërisë. Duke krijuar mundësinë për kreun e PD Lulzim Basha që të realizojë takime politike në Uashington.

Nga David Corn, Hannah Levintova, Dan Friedman
Një histori e pabesueshme po zbulohet gradualisht. Një kompani skoceze pa vlerë, Biniatta Trade, e bazuar në dy kompani-guacka në Belize (parajsë fiskale) ka paguar vitin e kaluar një lobist republikan amerikan dhe një ish-ndihmës të fushatës së Donald Trumpit për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë në prag të fushatës elektorale. Të dy kompanitë-guacka kanë lidhje me firma që kontrollohen nga rusët. Hap pas hapi, faktet të çojnë në atë që rusët në mënyrë të fshehtë kanë vënë në lëvizje kanalet e tyre për të ndikuar në zgjedhjet në Shqipëri.

Shqipëria
Në prag të zgjedhjeve të 2017-ës, ish-ndihmësi elektoral i Trumpit, Nick Muzin, u regjistrua si person që do të punonte për të promovuar PD-në në SHBA. Kundrejt pagesës, ai rregulloi takime te Lulzim Bashës me kongresmenë amerikanë, një intervistë me Breitbart News dhe një foto të tij me Trumpin. Vetëm për këtë të fundit ai është paguar 500 mijë USD, sikurse del nga deklarimet e tij. Kjo shumë dhe të tjera, në total 650.000 dollarë, janë derdhur nga kompania skoceze Biniatta.

Kompania
Por kush qëndron pas Biniatta Trade, kompanisë skoceze të naftës? Kjo është zemra e misterit. Ka fare pak informacion në të dhënat publike lidhur me firmën, por një shqyrtim i të dhënave të disponueshme dëshmon lidhjet me Rusinë. Biniatta Trade ka një uebsajt në pamje të parë të përgjithshëm, në një anglishte të varfër, që thotë se ajo është “një lidere botërore në agro-industrinë, furnizuese e materialeve tekstile dhe sintetike, e specializuar në prodhimin e tekstileve të cilësisë së lartë për veshje sportive”. Sajti bën të ditur se kompania shërben “mbi 300 biznese anembanë botës”. Megjithatë një kërkim në Google nuk tregon asnjë shenjë të ndonjë veprimtarie tregtare të këtij lloji nga ana e Biniatta Trade. Uebsajti i saj ka një listë klientësh, përfshi Nightëood, një biznes i vogël në Brooklyn që shet manifakturë për shtëpi dhe tekstile. Por Ry Scruggs, bashkëpronari i Nightwood, thotë se ai nuk e ka dëgjuar ndonjëherë Biniatta Trade.

Kompania e përmendur për një kontratë rreth 1 milion dollarë me Nick Muzin nuk ka lënë ndonjë gjurmë të madhe publike. Sipas të dhënave të qendrës britanike të kompanive, Biniatta Trade ndodhet në një adresë në Edinburg që përdoret edhe nga 727 kompani të tjera. Numri i telefonit i vendosur në uebsajt nuk funksionon. Por ky numër telefoni është i listuar gjithashtu si numri i kontaktit për një ueb-sajt të quajtur 2Love.Club, një “shërbim ndërkombëtar njohjesh online” që ofron “gra shumë të bukura ukrainase për t’u takuar dhe martuar.” (Nuk është një sajt tradicional njohjesh; aty ka gra, kryesisht të përshkruara se janë nga 20 deri në 30 vjeç, të cilat klientët meshkuj mund t’i zhgjedhin). Kur një gazetar i Mother Jones telefonoi në numrin ukrainas të 2Love.Club, burri që u përgjigj, duke folur rusisht, tha se numri i përkiste një individi privat, dhe jo i një shërbimi takimesh. Një kërkesë për informacion me e-mail që iu dërgua në sajtin e saj Biniatta Trade nga Mother Jones nuk mori asnjëherë përgjigje.

Uebsajti i Biniatta Trade, sipas WHOIS, direktorisë së uebsajteve, ishte e regjistruar nga një banor në Odessa të Ukrainës, që quhet Alexey Nikitin. E-maili i tij i listuar është This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.. Sikurse mësohet, një kompani e quajtur Global Delta Trade që thotë se e ka qendrën në Dubai ka një uebsajt që duket shumë i ngjashëm me sajtin e Biniatta Trade dhe përdor thuajse një gjuhë identike për ta përshkruar veten si një “një kompani lidere botërore tekstilesh dhe materialesh sintetike, pjesë veturash dhe pajisje elektronike”, një furnizues që shërben “mbi 300 biznese anembanë botës”. Lista e tij e klientëve është thuajse identike me atë të Biniatta Trade.

Një tjetër kompani, Blackshire United, me qendër në Edinburg, ka një uebsajt të ngjashëm me ata të Global Delta Trade dhe Biniatta Trade dhe përfshin një gjuhë dhe një listë klientësh të ngjashme. Scruggs thotë se firma e saj e furnizimeve shtëpiake - që është gjithashtu e listuar si një klient nga Global Delta Trade dhe Blackshire Unitet – nuk ka lidhje me këto firma. Një kërkim në Google nuk solli ndonjë informacion as nga Blackshire United dhe as nga Global Delta Trade përveç regjistrimit të tyre si kompani.

Por ka edhe dy kompani të tjera skoceze me uebsajte të ngjashme - Contoform LP dhe West Berton Impex LP – të cilat duket se nuk kanë ndonjë të dhënë publike aktuale lidhur me tregtinë. Kështu që duket se Biniatta Trade ka qenë pjesë e një grupi kompanish që ndërtojnë uebsajte në të cilat ata thonë se merren me tregti, e megjithatë nuk kanë ndonjë angazhim biznesi që të ketë lënë ndonjë gjurmë publike. Dhe kohët e fundit, gazeta “Herald” e Glasgout raportoi se Biniatta Trade “nuk ka zbatuar ligjin kundër pastrimit të parave në bazë të të cilit ajo duhet të kishte bërë të ditur deri në gusht se kush janë pronarët e saj përndryshe do të gjobitej me 500 stërlina në ditë”. (Vitin e kaluar, Margot James, një deputet konservator i Parlamentit Britanik, theksoi se 28.100 kompani skoceze nuk e kanë zbatuar ligjin që u kërkon të deklarojnë personat që kanë një zotërim të gjerë). Zëdhënësi i Muzin tha se Muzin besonte se Biniatta Trade ishte një kompani private që kishte si pronarë mbështetës të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Por Muzin refuzoi të shpjegonte se si ishte vënë fillimisht në kontakt me Biniatta Trade. Dhe kjo është pyetja kryesore: Kush e zotëron këtë kompani që financoi përpekjet e Muzin në favor të Partisë Demokratike të Shqipërisë?

Lidhja ruse
Të dhënat e qendrës britanike të bizneseve japin disa shenja që ngrenë pikëpyetje, por nuk japin përgjigje përfundimtare. Sipas formularëve që ka mbushur vetë për qendrën britanike të bizneseve, Biniatta Trade është një firmë e krijuar në partneritet nga dy kompani: Asverro Corp. dhe Liminez Commerce. Secila prej këtyre kompanive ishte e regjistruar në Belize dhe ka të listuar një adresë në Belize City, që lidhet me disa kompani nafte. Nuk ka të dhëna publike të ndonjë veprimtarie tregtare as për Asverro dhe as për Liminez Commerce. Dhe as që duket të kenë ndonjë uebsajt. Si Asverro ashtu dhe Liminez Commerce, janë korporata lidhëse të dy kompanive britanike të zotëruar nga shtetas rusë. Kjo do të thotë se të dhënat publike që janë në dispozicion duket se e lidhin – ndonëse indirekt - Biniatta Trade me vetëm dy njerëz, dhe secili prej tyre është rus.

Një prej dy firmave që lidhet me kompanitë e naftës në Belize që çojnë te Biniatta Trade quhet KF Global Management. Nuk është e qartë se çfarë bën kjo kompani. Ajo nuk ka uebsjat. Kur u krijua më 2014, dy themeluesit e saj ishin kompani nafte që ndodheshin në të njëjtën adresë në Sejshelë. Vitin e kaluar, ajo plotësoi një dokument në regjistrin e bizneseve britanike ku bënte të ditur se shtetasi rus i quajtur Konstantin Ferulev kishte “një influencë domethënëse” mbi firmën. Një tjetër formular i qendrës britanike të bizneseve përfshin një adresë të Ferulev në një qendër biznesi në qendër të Moskës, ku bëhet me dije se zyra e tij është në katin e shtatë. “Mother Jones” dërgoi një reportere ruse në këtë adresë, dhe administratorët e ndërtesës thanë se nuk kishte asnjë zyrë në kat të shtatë. (Ashensori shkonte deri në katin e gjashtë).

Ferulev, sipas të dhënave të qendrës ruse të bizneseve, ka qenë i listuar si drejtori i përgjithshëm dhe aksionari kryesor të disa bizneseve ruse tani të mbyllura. (Ai nuk u gjet që të mund t’i merrej ndonjë koment).

Kompania e dytë britanike që ka Asverro dhe Liminez Commerce— dy kompanitë e naftës që qëndrojnë pas Biniatta Trade— si lidhje është Babyonica. Sipas të dhënave të qendrës britanike të biznesit, Evgeny Sheremetyev, një rus me adres ënë Moskë, zotëron 75 për qind ose më shumë të të drejtës së votimit të Babyonica. Firma ka një uebsajt që promovon një linjë produktesh të prodhimeve organike të shëndetit për të mitur. Por numri i telefonit që ai ka listuar për zyrën në Moskë nuk përgjigjet kur e telefonon. Dhe kur një reporter i Mother Jones telefonoi numrin e Babyonica në Londër, një burrë me theks rus – që e identifikoi veten vetëm si “Frank” – fillimisht tha se numri ishte për shërbimin e klientëve të Babyonica në Uinnipeg të Kanadasë. Reporterja e Mother Jones e pyeti se si mund të fliste me Sheremetyev, dhe Frank tha se aty nuk kishte asnjë me këtë emër, se reporterja e kishte marrë gabim numrin, dhe se ajo nuk ishte një zyrë apo një qendër telefonatash e Babyonica. Pasi refuzoi që t’i tregonte reporteres se më cilën kompani po fliste, Frank i ofroi që t’i jepte asaj uebsajtin e kompanisë, por vetëm përmes e-mailit. Ai i dha udhëzime asaj të që të shkruante në një adresë e-mail të suportit të klientëve te një adresë emaili .su’ “SU” është prefiksi i internetit që iu caktua përpara disa dekadash Bashkimit Sovjetik, dhe sot ky domain i vjetër dhe me fare pak rregulla është kthyer në një parajsë për krimin kibernetik. (Një e-mail që iu dërgua kësaj adrese, nuk mori asnjë përgjigje).

Sipas të dhënave të qendrës ruse të bizneseve, Sheremetyev zotëron një kompani shërbimesh ligjore, që ka lidhur të paktën një kontratë me qeverinë ruse. Ai ëhstë gjithashtu bashkëaksioner në dy firma ruse të përfshira në brandimin e kioskave të metrove. Në profilin e tij në Instagram, Sheremetyev ka publikuar një foto të produkteve të Babyonica. Në një tjetër postim, ai shprehet se ka aftësinë të organizojë marrëveshje biznesi me kontakte në Shtetet e Bashkuara dhe i bënte me dije ndjekësve që t’i dërgonin direkt mesazh atij për informacione të mëtejshme. Një kërkesë për informacione që iu dërgua atij nga Mother Jones nuk mori asnjë përgjigje.

Në dhjetor, Babyonica plotësoi një formular pranë qendrës britanike të biznesit për t’u mbyllur. Më 2 janar, regjistri i kompanive raportoi se firma do të mbyllej më 2 mars.

Për ta përmbledhur: Dy kompanitë e naftës që krijuan Biniatta Trade – e cila nënshkroi përpjekjet e lobimit të një veprimtari kyç Republikan që të punonte për opozitën e djathtë shqiptare – janë përfaqësues të dy kompanive të tjera të zotëruara nga shtetas rusë.

Çfarë dihet tjetër për Asverro dhe Liminez Commerce? Jo edhe aq shumë. Ato kanë krijuar kompani të tjera nafte që kanë të njëjtën adresë në Edinburg si Biniatta Trade. Një firmë që krijuan në partneritet këto dy firma më 2016 ka një tipar dallues. Kjo kompani nafte nga Edinburgu, e quajtur Talanta Business LP, plotësoi një formular për regjistrimin pranë qendrës britanike të biznesit duke bërë të ditur se në mes të qershorit 2017, 75 për qind ose më shumë e aseteve të saj dhe të të drejtave të votimit zotëroheshin nga Leryam Dvorkin, një qytetar amerikan që jeton në San Francisco. Dvorkin nuk duket se ka qenë një zgjedhje e natyrshme për të zotëruar një kompani nafte përtej oqeanit. Në bazë të një profili personal që ai ka postuar në një rrjet social rus të quajtur Odnoklassniki, Dvorkin, që ka lindur në Bashkimin Sovjetik, është 75 vjeç dhe dikur ka punuar në Bjellorusi për Gazpromin, kompania e madhe e gazit pjesërisht e zotëruar nga qeveria ruse.

Dhe në faqen e tij në LinkedIn ai bën të ditur se ka qenë vlerësues i një kompanie të vogël lokale në San Francisco të quajtur Svala Construction. (Fotot e tij në Odnoklassniki e shfaqin kryesisht atë me një grua që duket se ka afërsisht moshën e tij në foto tipike turistike). Kur një reporter i Mother Jones telefonoi në numrin që ishte i listuar si i Dvorkin, u përgjigj një grua që tha se ishte bashkëshortja e tij. Ajo u shpreh e çuditur kur u informua se ai ishte regjistruar si personi që zotëronte një kompani ndërkombëtare nafte. “Në Skoci?” pyeti ajo në rusisht. “Ai nuk ka kompani në Skoci”. Më pas ajo u inatos, i kërkoi gazetares të mos e telefononte më dhe e mbylli. Një tjetër i afërm i Dvorkin i tha Mother Jones se Dvorkin dhe gruaja e tij kishin qenë një herë viktima të hajdutëve të indentiteteve dhe nuk duan të flasin me gazetarët.

Asverro dhe Liminez vitin e kaluar u bënë secila partnere e një firme me qendër në Glasgou, e quajtur AFG International LP, që raportohet së zotërohet nga një shtetas 35 vjeçar rus i quajtur Iuri Ivanov nga Shën Pjetërburgu.

Nga të dhënat publike të mësipërme, është e vështirë të thuhet se çfarë bëjnë kompanitë nga Belize Asverro dhe Liminez Commerce nëpërmjet krijimit të kompanive të naftës në Skoci dhe duke shërbyer si përfaqësues për të paktën dy kompani britanike të zotëruara nga rusët. Të dhënat e firmës nuk e bëjnë të mundur identifikimin e personit apo të personave që zotërojnë Asverro dhe Liminez Commerce.

Rusia dhe Shqipëria
Lidhjet ruse të Asverro dhe Liminez Commerce mund të jenë të rëndësishme për lidhjen Biniatta Trade-Shqipëri. Rusia ka kohë që ka mosmarrëveshje me Shqipërinë, pasi refuzon që të njohë Kosovën, e cila më 2008-n shpalli pavarësinë nga Serbia, aleatja e Moskës, dhe që ka një shumicë me shqiptarë etnikë. Dhe qeveria e Vladimir Putinit nuk ka qenë adhuruese e BE-së dhe zgjerimit të saj. Qeveria e kryeministrit shqiptar Edi Rama është një ndër më pro-perëndimoret dhe pro BE-së në Ballkan dhe nuk i ka punët mirë me regjimin e Putinit. Në shkurt 2017, Rama paralajmëroi për rritjen e ndikimit rus në Ballkan, duke theksuar, “Politikat ruse nuk përkojnë me ambiciet e Ballkanit për t’iu bashkuar BE-së”. Disa javë më pas, pak para se Muzin të pajtohej nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Biniatta Trade, Moska e akuzoi Ramën se po bën një komplot me NATO-n dhe BE-në për të vendosur një qeveri pro-shqiptare në Maqedoninë fqinje. Ministria e Jashtme ruse pretendoi se qeveria e Ramës po përpiqej ta zgjeronte influencën e saj në Mal të Zi, Serbi, dhe Greqi si pjesë e komplotit për të krijuar Shqipërinë e Madhe.

Fill pas kësaj, Basha, lideri i PD-së, pati një takim shumë të reklamuar me ambasadorin rus në Shqipëri dhe kjo krijoi mjaft polemika. “Ishte një ndryshim i madh për një politikan të rëndësishëm për t’u angazhuar haptazi me Rusinë”, tha Fred Abrahams. “Për shkak të pro-amerikanizmit galopant në Shqipëri, do të kishte qenë e pamendueshme për një politikan më parë që ta bënte një gjë të tillë”. Rama e akuzoi opozitën se mbështetej nga të huajt.

Me kryeministrin që e akuzonte hapur influencën ruse në Ballkan dhe kundërshtarin e tij kryesor që përpiqet, edhe pse me kujdes, ta nxitë ndjenjën anti-BE, Moska sigurisht që ishte e interesuar në zgjedhjet shqiptare. “Do të isha i shokuar sikur rusët të mos e shihnin këtë si një mundësi për t’i ringjallur gjërat: tha Abrahams. Dhe Jasmin Mujanoviã, një ekspert i politikave të Ballkanit, vuri në dukje se çdo përfshirje e Moskës në fushëtën shqiptare mund të ketë qenë domethënëse me përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhje, në përpjekje për të mbështetur deputetët e konsideruar si të dobishëm për interesat e saj. “Gjatë viteve të fundit, rusët janë përpjekur të kërkojnë edhe aleanca jotradicionale, qoftë edhe për të parë se si do të reagonin”, tha ai. “Kjo është një histori rajonale”. (Në qershor – pak përpara se Rama ta mposhtte thellë Bashën - Brian Hoyt Yee, asokohe zv.ndihmës sekretar i Shtetit në SHBA, dëshmoi përpara një nënkomiteti të Senatit për Marrëdhëniet e Jashtme se Rusia “po synon të pengojë përpjekjet e vendeve në rajonin e Ballkanit për të ndjekur rrugëtimin e tyre Euro-Atlantik”).

Pagesa e Biniatta Trade për Muzin ngre një mundësi të qartë: një burim i lidhur me Rusinë lëvroi para’ përmes një kompanie nafte për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për të nxitur më tej mosmarrëveshjet politike në zhvillim në Shqipëri. Kjo do të thotë se rusët mund ta kenë përdorur sistemin politik amerikan dhe vetë Uashingtonin për të ndërhyrë në Shqipëri. Zëdhënësi i Muzin tha se asnjë lidhje ruse e ansjëlloji nuk u shfaq gjatë punës së tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Pyetjet-sekret
Ka edhe një aspekt tjetër të pazakontë të shkresave të amenduara që Muzin plotësoi për Departamentin e Drejtësisë në nëntor 2017. Dokumentat dëshmonin se si pjesë e projektit të Shqipërisë Muzin kishte paguar 52,000 dollarë për Joseph Allaham në prill. Dhe në shkresat e amenduara, Allaham u regjistrua në mënyrë prapavepruese si agjent i huaj. (Në bazë të ligjit për regjistrimin e Agjentëve të Huaj, një person duhet të regjistrohet brenda 10 ditësh pasi ka pranuar që të bëhet agjent dhe përpara se të kryejë ndonjë veprimtari për klientët e tij). Allaham ishte një pikë kurioze e këtij projekti. Ai nuk kishte përvoja si lobist. Kishte lindur në Siri më 1974 nga një familje që administronte restorante hebreje, tani ai është një qytetar amerikan që jeton në pjesën e Epërme të Manhatanit lindor. Allaham ka ngritur një perandori restorantesh klasi kosher në Nju Jork dhe vitet e fundit është përballur me disa çështje gjyqësore. Tani ai drejton Allaham Consultancy, të cilën ai e ka deklaruar si një “zyrë këshillimi të diversifikuar real-estate”.

Në sajtin e tij, Allaham reklamon me krenari një takim të vitit 2010 ndërmjet presidentit sirian Bashar Assad dhe Malcolm Hoenlein, zv.kreu ekzekutiv i Organizatave të Konferencës Kryesore Amerikano-Hebree. Aty nuk ka ansjë shenjë për ndonjë ekspertizë që lidhet me Ballkanin. Shkresat e Muzin nuk e detajojnë se çfarë bëri Allaham që u pagua 52,000 USD. (Sipas regjistrimit në Departamentin e Drejtësisë, Allaham “asistoi duke promovuar vizionet dhe qëllimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë për takime me liderë politikë në SHBA”). Në një intervistë të shkurtër telefonike me Mother Jones, Allaham tha se ai ishte punësuar nga Muzin si këshilltar. I pyetur se çfarë kishte bërë për Partinë Demokratike të Shqipërisë në atë rol, ai tha: “Konsulta, këtë bëra”. Çfarë lloj konsultimesh? A caktoi ai takime? Foli me anëtarë të Kongresit? “Janë konsulta”, ja pret Allaham. “Kaq kam për të thënë”. A ka bërë ai ndonjë lobim më parë? “Jo tha ai, nuk kam bërë asnjë lobim më parë”. A ka ai ndonjë njohuri për Shqipërinë? “Jo”, u përgjigj ai, “nuk kam qenë ndonjëherë atje”.

Por a e di ai nëse paratë që ka marrë ishin të PD-së shqiptare apo të Biniatta Trade? Në atë pikë të intervistës, Allaham refuzoi të përgjigjej dhe kërkoi që pyetjet e mëtejshme të dërgoheshin me e-mail tek ai në mënyrë që të mund t’i shihte dhe avokati i tij. Ai nuk iu përgjigj e-mailit që iu dërgua lidhur me këtë. Shkresat e amenduara të Muzin raportojnë se për projektin e Shqipërisë ai ngarkoi edhe kontraktorë të tjerë. Në to përfshihen Brandon Wheeler, drejtori ekzekutiv i Freedom Research Foundation, që u pagua $27,500. Organizata konservatore e Wheeler u themelua më 1984 nga babai i tij, Jack Wheeler, që aso kohe ishte një fajkua i luftës së ftohtë dhe që përshkruhet në sajtin e grupit si “arkitekti i Doktrinës Regan”. Muzin pagoi edhe $20,000 për Baron Public Affairs. Shkresat nuk e specifikojnë saktësisht se çfarë bënë Wheeler apo Baron Public Affairs për PD-në shqiptare. Kontrata ndërmjet Baron Public Affairs dhe Muzin bën me dije se kompania do të “prodhojë strategjinë, dokumentat e shkruar dhe rekomandimet... lidhur me figurat e huaja politike dhe çështjet e huaja politike”. Wheeler nuk iu përgjigj kërkesës për të bërë një koment. Një zëdhënës i Baron Public Affairs tha, “Zakonisht, politika jonë është që të mos flasim me shtypin.” Muzin refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me kontraktuesit e tij në këtë projekt.

Skenari i rrezikshëm
Provat që kemi në dispozicion tregojnë për një skenar të rrezikshëm: firmat e lidhura me Rusinë ndërhynë në mënyrë klandestine në Uashington në mënyrë që të nxitin ndryshimin e agjendës (politike) në Shqipëri. Inteligjenca amerikane vitin e kaluar doli në përfundimin se Putin ndërhyri në zgjedhjet e 2016-s me operacione të fshehta dhe masa të tjera nën dorë. Prokurori Special Muller, që po heton për këtë, ka paditur së fundmi 13 shtetas rusë. Në padi ai përshkruan se si Moska ndërmoi një fushatë propagandistike të fshehtë për të ndikuar në zgjedhje dhe për ta ndihmuar Trumpin nëpërmjet rrjeteve sociale. Por marifeti “Biniatta Trade-Shqipëri” është një parlajmërim i mundshëm se lufta e nëndheshme ruse mund të vazhdojë edhe më thellësisht.

------------
Çfarë është “Mother Jones”?
“Mother Jones” është një revistë progresive prestigjioze amerikane që fokusohet te lajmet, komentet dhe raportimet investigative në çështje që kanë të bëjnë me politikën, mjedisin, të drejtat e njeriut dhe kulturën. Mother Jones ka qenë finaliste në 31 konkurrime për çmimin e revistës së vitit, duke fituar shtatë herë, nga të cilat tri herë çmimin “General Excellence” më 2001, 2008 dhe 2010.

Read 598 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 21 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…