|
E kishim një shans për ta ndjerë veten për herë të parë të lirë, të lirë në një kuptim më të gjerë të fjalës. Sigurisht që pas vitit ’90 hoqëm disa zinxhirë të diktaturës nga këmbët, duke u zhytur të etur në rrëmujën e migrimit, sepse të tjerë kufij kishim, kufijtë e Perëndimit. E kishim një shans për të mos qëndruar pas dyerve të ambasadave, të zhvleftësuar dhe me dinjitet të nëpërkëmbur, shpesh edhe të nervozuar me një varg mallkimesh në kokë, xhepzbrazur, kohëhumbur, të pashpresë, vetëm nga malli për të parë fëmijën emigrant, gjakun e gjakut tënd të lindur jashtë, djalin dhëndër e vajzën nuse, lëngimin e vetmuar në shtratin e vdekjes të njeriu tënd... Të acaruar në kulm, kur me një dosje personale të argumentuar bindshëm dhe kuletë të mbushur mirë për t’i harxhuar në dyqanet evropiane, pasi ke paguar dhe vizën 38 euro, merr pasaportën me një vulë refuzimi, dhe sigurisht pa pasur të drejtën të pyesësh PSE. Të neveritur, kur përballë sheh fytyra nëpunësish të cilët të vënë në provë me testin e njohjes, të tipit si e ka emrin vjehrra e atij që të ka sjellë garancinë apo sa e ka numrin e këmbës ftuesi. E kishim këtë shans për ta ndjerë veten të lirë, shans që na u dogj të paktën edhe për një 10-vjeçar, nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, garancisë që kërkoi Evropa për të qenë pjesë e saj. Dush me ujë të ftohtë qeverisë apo dru ku më dhemb e ku më djeg... vëri çfarë emri të duash këtij raporti të ndërmjetëm të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet që sapo lamë pas, ku vëzhguesit më të lartë lanë pas atë gjuhë të mveshur me diplomaci që përdorën në raportin paraprak, për të lëshuar silurët me një sërë vërejtjesh të rënda për procesin që na kishte në dorë ne. “Numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zgjodhi shpesh të mos ndërhyjë në rastet kur në VNV kishte probleme. Sistemi i ri elektronik i monitorimit, sipas të cilit secila votë duhet të vendosej para videokamerës që vëzhguesit të shihnin se për cilën parti ishte vendosur shenja, duket se nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit. Vëzhguesit e MNVZ-së e vlerësuan negativisht numërimin e votave në 22 nga 66 VNV-të. Numërimi i votave pati një fillim të ngadaltë, pjesërisht për shkak të faktit se shumë nga anëtarët e Grupeve të Numërimit u caktuan vonë dhe nuk ishin trajnuar siç duhet...” Politikën e zuri meningiti. I publikuar dje në mesditë, raporti prej 8 faqesh, nuk pati asnjë koment. Të djathtët, mbase ishin duke bërë një ditë pushim pas turit të falenderimeve popullore, për mandatet që morën në 28 qershor, të majtët të gozhduar para televizorit duke parë mbledhjen e KQZ-së, komision i cili dje u mor me “Çështjen Fieri” apo “Mandatin e 9”. Interesant do ishte dhe komenti që mund t’i bënte raportit edhe ish-kryeministri-aleancist, Ilir Meta, i vlerësuar nga Berisha si ylli polar i integrimit, por edhe nga kampi i LSI-së nuk pikoi asnjë fjalë. Të djathtë dhe të majtë heshtin, ndërsa faturën e këtij raporti e paguajmë sërish ne, qytetarët e thjeshtë, në luftën më të gjatë të historisë së dy shekujve të fundit, luftën e rrëzimit të mureve. Gazeta Shqiptare
|