You are here:
| Vajza e kryeministrit, juriste e Qeverisë |
| Written by Zippo |
| Friday, 06 November 2009 08:19 |
|
TIRANE- Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi braktis biznesin privat dhe fillon për herë të parë karrierën e saj në administratën e lartë publike, duke u punësuar si juriste pranë Këshillit të Ministrave. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se lajmi konfirmohet zyrtarisht nga “Regjistri i Subjekteve në funksion që mbartin detyrim për deklarim të interesave të tyre private”. Mësohet gjithashtu se vajza e shefit të qeverisë ka çregjistruar biznesin “studio ligjore Malltezi &Kola” nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Regjistri është publikuar së fundmi në internet nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Referuar këtij dokumenti, Argita Malltezi nuk ka më detyrimin për të bërë transparencën e të ardhurave të saj për shkak të lidhjes familjare me kryeministrin Berisha, por ngaqë tanimë ushtron funksionin e juristes pranë Këshillit të Ministrave. Në këtë regjistër nuk sqarohet data e saktë kur Argita Malltezi është punësuar si juriste pranë qeverisë. Bëhet e ditur vetëm se ajo është një nga 4168 funksionarët e lartë të shtetit shqiptar, që nuk ka detyrimin për shkak të pozicionit të saj të punës që të bëjë deklarimin e burimit të të ardhurave, si edhe fakti se mban numrin 7512 të identifikimit në listën e nëpunësve të shtetit. "GSH" shkruan se Argita Malltezi ka mbyllur studion e saj ligjore. Duke hequr dorë vullnetarisht nga aktiviteti i saj privat, e çregjistruar biznesin nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi dhe studioja e saj ligjore është përfshirë në jo pak raste në disa skandale, të denoncuara si nga media ashtu edhe nga opozita. Rasti më i freskët ishte ai që kishte lidhje me pronat e serbo-boshnjakut Damir Fazliç në Porto-Romano. Në media u publikuan e-mailet e Argitës me një shtetas arab të quajtur Zanfar Ansar, me të cilin vajza e Berishës negocionte për t’i shitur pronat e Fazliçit në Porto-Romano duke premtuar madje edhe ndërhyrje të KESH-it, por dhe tarifat me të cilat Malltezi e afronte këtë shërbim. Vajza e kryeministrit kërkonte 200 euro për një orë pune dhe miliona euro si garanci suksesi. Dhëndri i kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi ka qenë koordinatori i projektit të financuar nga Banka Botërore për “Zhvillimin e Integruar të Bregdetit të Jugut”, zyra e të cilit ndodhej në katin e tretë të Ministrisë së Transporteve. Ai u largua nga ky projekt pas skandalit që shoqëroi prishjen e ndërtimeve në Jalë. Djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha e ushtron privatisht profesionin e tij të juristit. Prej dy vjetësh ai ka hapur një zyrë avokatie që ndodhet, në rrugën “Barrikadat” në kryeqytet. Në fillim të vitit 2007, Shkëlzeni dha dorëheqjen nga posti i drejtorit juridik pranë një kompanie të telefonisë celulare. (s.g/GSH/BalkanWeb) |

















