| Lëri ëndrrat bërthamore, jepi fund krizës politike |
| Written by Zippo |
| Sunday, 24 January 2010 23:31 |
|
TIRANË- Partia Socialiste i bën sërish thirrje kreut të qeverisë t'i japë fund krizës politike dhe institucionale në vend, duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri gjatë një komunikimi me mediat ka sjellë në kujtesë vendimin më të fundit të qeverisë Berisha për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore, që i hap udhë ngritjes së centralit bërthamor në Shqipëri, duke e cilësuar atë tymnajën e radhës, për të larguar vëmendjen nga situata aktuale që po kalon vendi. "Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor, kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë zënë në kllapi vendin"- tha Tahiri.Sipas tij, deklaratat entuziaste të Sali Berishës se do e kthejë Shqipërinë në një superfuqi ballkanike për eksportin e energjisë, janë qesharake po të mendosh se po kjo qeveri është e paaftë për të furnizuar qytetarët e vendit të vet 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike. Tahiri ka deklaruar se Partia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit që ti lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë seriozisht për një sipërmarrje të tillë, të mos fillojë nga emërimi i militantit të radhës si Drejtor të Agjencisë Kombëtare Bërthamore. "Berisha fillimisht t'i japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, e më pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do e bëjmë ne dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor"- përfundoi ai. |

















