| Pse erdhi PD në pushtet në vitin 2005 |
| Written by Zippo |
| Tuesday, 23 March 2010 14:52 |
|
E kujtoj gjithnjë, me feksjen e një buzagazi të çuditshëm, udhëtimin e parë dhe të fundit në Dukagjin, në atë farë habitati të hedhur tutje tëhu në shpatet e maleve, që ishte ngjitur atje, njëherë e një kohë, për t'ju larguar e fshehur një armiku mizor. I pakapshëm prej syrit, por plot jehonë në kujtesë, Dukagjini të jepte përshtypjen e një vendi që ka jetuar prej shekujsh në ekzil. Në të vërtetë, Dukagjini kështu ishte: ekzili i një pricipate nga ultësirat në male. E shkruan Shuflaj. Dukagjinët e dikurshëm, pasardhësit e Gjin Tanushit, që mbante titullin Dukë, ishin një derë e fortë që sundonte në territorin midis Lezhës dhe Fanit. Ata ishin aty deri në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, me kancelarinë, vulat dhe stemën e një oborri të vërtetë. Kishin luftuar deri në fund nën Gjergj Kastriotin kundër ushtrive pushtuese të sulltanëve. Shpërthimi i hakmarrjes turke, pasi u shemb kjo qëndresë, vuri në shënjestër pikësëpari familjet e mëdha. Shumë syresh u shpërngulen në Italinë e Jugut apo në Peloponez të Greqisë. Dukagjinët u ngjitën në male bashkë me emrin dhe stemën e tyre që paraqiste një shqiponjë të bardhë. Të gjithë mendonin të ktheheshin një ditë. Por nuk u kthyen kurrë. Nuk u kthyen më kurrë, po thosha pa zë, duke xhiruar në mendje, bashkë me shpatet e thepisura ku mëtoja të gjeja kushërinjtë e mi të largët lezhjanë, jehona këngësh të trishta arbëreshe. Ishte muaji korrik 2005. Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara pak javë më pare i kishin dhënë një fitore të brishtë Partisë Demokratike dhe koalicionit të qendrës së djathtë: 71 deputetë nga 140 që numëronte gjithsej Kuvendi i Shqipërisë. Ishte një rezultat që e vendoste fituesin e zgjedhjeve, zotin Berisha, në vartësi të dy partive të vogla aleate, PDR dhe PDK, që kishin marrë respektivisht 5 dhe 2 deputetë. Përveçse e brishtë, ajo fitore ishte edhe pa shumë shije, sepse nuk kishte ardhur e nuk po vinte nga fusha e betejës, por nga një rastësi fatlume, siç ishte përçarja e së majtës në pushtet, dalja në zgjedhje e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) e ish kryeministrit socialist Ilir Meta si një alternativë dhe opozitë e Partisë Socialiste të kryeministrit Fatos Nano. Konflikti LSI-PS, apo Meta-Nano, që nuk kishte reshtur gjatë gjithë fushatës elektorale, kishte "shkundur" falas në oborrin e PD-së dhjetë-dymbëdhjetë deputetë nga njëqind zonat një emërore. Sipas ligjit zgjedhor, në zonat një emërore votohej me sistemin anglez të mazhoritarit të thatë: kush dilte i pari shpallej fitues, pavarësisht nga përqindja e votave. Në këto kushte, copa e LSI-së nga blloku i majtë, kishte rezultuar qari i PD-së. Kjo nuk do t'i kishte marrë dot në kushte të tjera deputetët e votuar mes shifrave tridhjetë deri në dyzet për qind. Për të mos u dukur thjesht përfitues-dhe s'kishim pse dukeshim të tillë- në kampin tonë demokrat ishim të prirur të shikonim anën epike të fitores: pas tetë vjetësh në opozitë me klanet me të rrezikshme politiko-mafioze të së majtës, më në fund ylli i partisë sonë kishte shndritur në qiellin e shpresave e të tjera e të tjera. E gjithë kjo ishte e vërtetë. Por e vërteta tjetër, ajo sipas së cilës, po të kishin dalë të bashkuar Meta dhe Nano, ne do të kishim mbetur sërish në opozitë, trazonte herë pas here si një puhi e ftohtë ndjenjat tona.
Të dukej se zoti i shqiptarëve, i përgjumur shpeshherë, apo edhe i tërhequr nga detyrat e përkujdesjes për to, kishte urdhëruar kësaj radhe, si për sport, kokëfortësinë dhe mendjemadhësinë e Ilir Metës dhe Fatos Nanos për të shpërblyer demokratët e Sali Berishës. Opinionet në lidhje me rezultatet e korridës elektorale të 3 korrikut ishin një festival hamendjesh në një vend që ka shkallmuar të gjitha skemat e gjykimi. Disa mendonin se Fatos Nano ishte velur me pushtetin, të cilin ishte mësuar ta hidhte e ta priste si zhongler dhe prandaj nuk e kishte vrarë mendjen shumë se ç'do të ndodhte. Po fitova, mirë! Nuk kam çfarë t'i bëj këtij populli, që nuk gjen më të mirë se mua edhe kur e kam mbushur kupën. Po nuk fitova, do të bëj pushim dhe do të fitoj radhën tjetër. Shqipëria vete nga vete, te unë e ka qejfin, te unë kthehet. Berisha do të zhgënjejë shpejt me dorën e tij të fortë e të shtrënguar, që nuk jep asgjë. Disa të tjerë shkonin më larg në këtë shestim dhe dallonin përtej sjelljes së kërkuar prej prestixhiatori të kryeministrit, fillim e një mendimi të ndritur që shkrepte herë pas here nga përbuzja e tij proverbiale për politikën, nga dyzimi i tij prej intelektuali dhe vagabondi. Pas gjithë damkave që kishte marrë Shqipëria nga Transparency International dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të monitorimit të korrupsionit, krimit të organizuar dhe informalitetit, një fitore tjetër, e treta radhazi e së majtës ish komuniste, do të ishte një njollë turpi për popullin shqiptar. Por do të ishte edhe trampolina e re e malavitës për t'u lëshuar pa fre drejt rekordeve të panjohura. Kryeministri tashmë ishte familjarizuar në atë masë me atë botë, sa ndihej i pafuqishëm për ta ndalur. Por mund ta luftonte në një mënyrë tjetër, duke e tradhtuar, domethënë duke ia lënë stafetën e pushtetit kundërshtarit të tij që përbetohej për "duar të pastra", "tolerancë zero" ndaj korrupsionit. Me kalimin e kohës, edhe pasuesi, zoti Berisha, do të përfundonte paevitueshëm brenda sistemit të malavitës bashkë me përbetimit e tij. Por në vrullin e parë të qeverisjes do të shënonte disa rezultate pozitive. Kaq duhej. Në këto kushte, thellë-thellë, pavarësisht se inercia e zakoneve dhe fryma e partisë e shtynte përpara në fushën e lojës, Fatos Nano motivohej gjithashtu nga mendimi i humbjes. Jo se punonte për humbjen. Një mendim si ky nuk mund t'i zbulohej ndërgjegjes së tij. E kishte gjetur zgjidhjen që edhe të luftonte, edhe të humbte: duke u fshehur pas krenarisë dhe përbuzjes ndaj Ilir Metës. Pra duke shërbyer konfliktin dhe jo bashkimin brenda llojit, ai shërbente një rezultat të hapur, pse jo të favorshëm për rivalin e tij kryesor, Sali Berishën. Disa socialistë, të mërzitur, madje të revoltuar që Nano, si më i vjetër e më me përvojë, nuk e kishte gjetur gjuhën me Ilir Metën, i prisnin drutë shkurt, shumë më shkurt. Sipas tyre Nano kishte rënë viktimë e megallomanisë së tij, e jetës së re në çift me gruan e dytë, që ishte e re, e bukur, e kamur. Ilir Meta na ka dhënë fitoren? Në kampin tonë të PD-së, ku vetëm kryetari kishte të drejtë të rehabilitonte kujtime të hidhura, nuk donim të dëgjonim për këto fjalë. Ilir Meta ishte përpjekur për vete, me mish e me shpirt, me para dhe propagandë, duke i konkurruar në këtë pikë dy partitë e mëdha si askush tjetër në historinë e tranzicionit shqiptar. Ai, mbase na kishte marrë ndonjë votë nga zgjedhësit e rrëgjuar opozitarë, që të shikojnë nga duart, por për të na dhënë, s'na kishte dhënë asnjë. Ne kishim marrë votat tona. Ia kishim hequr nga thonjtë e malavitës. Këtu qëndronte epika e suksesit tonë. Kundërshtarët tanë rrekeshin të na kapnin në kontradiktë, duke thënë se pushteti nuk ishte aq i kriminal sa e bënim ne, se po të ishte aq i kriminalizuar, nuk do të mund ta largonim me vota. Mendjet e liga merrnin pjesë në këto filipike shqiptare me ca ide tepër origjinale, sikur krimi e kishte lënë vetë ndryshimin të ndodhte, sepse nuk donte më zhurmë dhe kishte nevojë për partnerë të rinj, më energjikë, më të pa konsumuar dhe pse jo, me të moralshëm në sytë e publikut. Malavita e do sa më të pastër fytyrën e autoritetit që e mbulon. Sa të poshtra këto fraza! Sa cinike! Krimi po guxonte të hidhte grepat e krushqisë së re me pushtetin e ri, me pushtetin tone! Krimi po reklamohej nuni i fitimtarëve dhe mbi këtë bazë mëtonte jo vetëm pjesën, jo vetëm shpërblimin, por edhe drejtimin. Kurrë!Kurrë! Fitorja jonë, edhe pse e brishtë dhe e paplotësuar akoma, kishte çmimin e luftës dhëmb për dhëmb me të keqen. Fitorja jonë ishte premtimi i duarve të pastra! Fitorja jonë ishte "Hapja"- një fjalë sa e thjeshtë, aq edhe magjike në të cilën ishte përmbledhur politika e re e kryetarit Sali Berisha. Pasi kishte humbur katër herë që nga vitit 1997- humbje të thelluara nga manipulimet sistematike të zgjedhjeve-, ai kishte përgatitur me një mendje tjetër betejën e zgjedhjeve të vitit 2005, ndoshta betejën e jetës për sa i përket vazhdimit ose tërheqjes nga politika. Ishte afruar me shumicën e organizatave joqeveritare, edhe pse krerët e tyre e kishin paraqitur për shumë vite në perëndim si gogolin e demokracisë shqiptare. Bënte dëgjuesin e tyre të përkushtuar, madje edhe nxënësin e tyre të mirë. E dinte se qeveria e komprometonte çdo ditë me akte paturpësie mbështetjen që këto organizata i kishin dhënë në planin e imazhit. Por nuk e thoshte. Për të mos i lënduar. Kishte ftuar në parti të larguarit nga partia nëpër vite, ish kundërshtarët e tij, që nuk kishin gjetur hapësirë kërkund për të shërbyer ambiciet e tyre. Disa nga të larguarit ishin kthyer pa kushte, por jo si djem plangprishës. Këta besonin se po merreshin vesh me Berishën me mesazhet që shkëmbehen në të pathënën dhe ku përmblidheshin arsyet e ribashkimit. Kohërat kishin ndryshuar. Shqipëria nuk ishte ajo që kishte qenë në vitet 1990-1996. Kryesorja fare: socialistët e kishin trashur kaq shumë zullumin, sa bashkimi për largimin e tyre nga pushteti kishte lënë në hije ndarjet e vjetra të demokratëve. Disa të tjerë do të ktheheshin duke vënë kushte, të cilët Berisha do t'i miratonte pa fjalë, pothuajse pa i dëgjuar. Kur të merrte pushtetin, marrëdhëniet e tij me njerëzit rreth e rrotull nuk do të përcaktoheshin nga kushtet, por nga interesat e tij.
Gazeta Shekulli |

















