|
NJU JORK- Organizata për mbrojtjen e Shtypit, Freedom House bëri publik sot raportin për lirinë e shtypit për vitin 2009.
Freedom House vlerësoi gjendjen e shtypit në botë, duke u bazuar në 7 nivele, në të cilin niveli 1 përbën nivelin më të lartë të lirisë së shtypit dhe niveli 7 përfaqëson nivelin më të ulët.
Shqipëria renditet në nivel të tretë sa i përket të drejtave politike të lirisë së shtypit dhe lirive civile ndërkohë që stausi i lirisë së shtypit cilësohet si pjesërisht i lirë.
Raporti vëren se korrupsioni është i përhapur, dhe BE-ja ka bërë thirrje për marrjen e masave të ashpra anti-korrupsion. Ndërsa kushtetuta garanton lirinë e fjalës, ndërhyrja e bizneseve të fuqishme si dhe interesat politike dhe të medias pengojnë zhvillimin e mediave të pavarura. Kushtetuta, thuhet gjithashtu në raport, garanton një juridik të pavarur, por gjykatat janë objekt i presionit politik.
Freedom House e vë theksin në raportin e saj tek akuzat për korrupsion që përfshinë qeverinë e kryeministrit Sali Berisha dhe abuzimet në detyrë të vitit 2008, duke përfshirë edhe shpërthimin e Gërdecit. Megjithatë, thuhet në raportin e Freedom House, Partia Demokratike e zotit Berisha arriti të siguronte një fitore të ngushtë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, të cilat u mbajtën në bazë të kodit të ri elektoral i miratuar nga fundi i vitit 2008. Vëzhguesit ndërkombëtare të zgjedhjeve përshëndetën përmirësimet në një numër fushash, por përmendën edhe probleme, mes tyre mungesa e medias së pavarur, abuzimi i burimeve shtetërore, presioni politik ndaj punonjësve të sektorit publik dhe manipulime në procesin e numërimit të votave. Freedom House vë në dukje se Shqipëria u pranua zyrtarisht anëtare e NATO-s në prill të vitit të kaluar dhe më pas po atë muaj aplikoi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, me të cilin ka arritur marrëveshjen e Asoccim Stabilizimit. Megjithatë, thuhet në raport, antarësimi në BE nuk është i sigurtë dhe nuk do të bëhet realitet para 2015-tës. Freedom House vënë dukje se pakica rome përballet me kufizime të mëdha shoqërore dhe ekonomike, megjithëse pakicat e tjera janë në përgjithësi të integruara mirë. Gratë janë të përfaqësuara pak në institucionet qeveritare, ndërkohë që dhuna në familje, e cila mendohet të jetë shumë e përhapur, dënohet shumë rrallë nga autoritetet. Në raport thuhet se Bashkimi Evropian njoftoi në vitin 2009 se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të luftuar trafikimin e grave e të fëmijëve, por burimet humane dhe financiare nuk janë të mjaftueshme. Organizata për mbrojtjen e Shtypit, vë në dukje se liria e shtypit në botë pësoi rënie për të tetin vit me radhë. Freedom House thotë se zbrapsjet më të ndjeshme u vunë re në Amerikën Latine, Meksikë, Honduras dhe në Nikaragua. Kjo organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara thotë gjithashtu se Rusia vazhdon të jetë një prej vendeve me mjedis më të rrezikshëm për shtypin, ku ky i fundit nuk gëzon liri. 10 vendet me më pak liri shtypi janë: Bjellorusia, Birmania, Kuba, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Irani, Libia, Koreja e Veriut, Turkmenistani dhe Uzbekistani.
(/VOA/BalkanWeb)
|