| Të gjitha zënkat e jetës bashkëshortore |
| Written by Zippo |
| Sunday, 16 November 2008 08:31 |
|
Të gjitha zënkat e jetës bashkëshortore Që nga preferencat për pastën e dhëmbëve deri te xhelozitë
Dashuria, shpesh nuk na ndihmon të zgjidhim çdo problem të jetës sonë familjare. Pas zjarrit të fillimit, gjithçka nis të tretet qetësisht. Nëse dikur mendohej se çiftet duhet të ziheshin vetëm për probleme madhore, tani nuk ndodh kështu. Arsyet, se përse një çift grindet jo gjithmonë janë të mëdha, madje ato nisin që nga furça e dhëmbëve, çelësat e makinës, makina, lavatriçja, uji, telekomanda dhe telefoni. Kur një çift tregon që prej 20 vitesh diskuton gjithmonë për të njëjtat gjëra, do të thotë se diskuton gjithmonë për një nga arsyet që përmendëm më sipër. Megjithatë, këto nuk janë grindje që çojnë drejt divorcit, por ftohjes së marrëdhënieve në çift. Kështu tregon një studim i bërë nga sociologu francez, Jean-Claude Kaufmann, i titulluar "Le baruffe d‘amore". "Acarimi për disa është një ndjenjë e çuditshme, që luan një rol të rëndësishëm, në strukturimin e çiftit", tregon autori. Historitë që tregohen në libër janë mbledhur nga stafi i Kaufmannit përmes lajmërimeve në gazeta, dhe pastaj vetë sociologu mbajti korrespondenca me çiftet përmes e-maileve për një periudhë të gjatë kohe: më tepër me gratë se me burrat, që ishin më të gatshme për të përballuar diskutime të tilla sesa çështjet intime. Çiftet protagoniste, janë çifte të lumtura, sepse në libër bëhet një antropologji e jetës së përbashkët, jo të rasteve patologjike. Në fund, studimi nxjerr përfundimin se që kur vendosin të jetojnë bashkë, zënkat e tyre të preferuara vërtiten rreth disa objekteve të jetës shtëpiake. Pjesa më e madhe e grindjeve bëhet rreth pastës së dhëmbëve. Më shpesh diskutohej se përse ishte shtypur nga lart, nga poshtë, apo përse ishte lënë hapur. Kjo sepse pasta e dhëmbëve është objekti i parë që futet në shtëpi, prezenca e parë konkrete në jetën e një çifti. Sipas Kaufmann, në jetën dashurore ekziston një ekuacion i thjeshtë: që 1+1 bëjnë 4. Në muajt e parë të lidhjes, dashuria bazohet në idenë që 1+1 bëjnë 1, që ajo dhe ai kuptohen shumë mirë, e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin deri në atë pikë sa mund të konsiderohen si një person i vetëm. Por, llogaritjet e vërteta matematikore për çiftin janë të paekuilibruara 1 (burrë) dhe 1 (grua) bëjnë në fakt 4, sepse secili ka një njeri ndryshe brenda vetes një pjesë nga nëna dhe babai. Kur objektet, për të cilat zihet një çift, në fillim të aventurës së tyre për të jetuar së bashku, ose pas tridhjetë vjetësh, shkojnë nga salca e domateve te pasta e dhëmbëve, nga plehrat te pazaret në supermarket, nga kursimet në bankë te telefonatat që u bëhen miqve për Krishtlindjet, të gjithë karikohen për çdolloj konflikti të fshehur. Katalogu i historive tipike të mbledhura në Francë, nga Kaufmann, është sa interesante aq edhe për të qeshur kjo sepse jo gjithkujt pëlqen të dëgjojë zënkat e të tjerëve. Skemat e zënkave të mbledhura nga sociologu janë universale, kjo i bën të ngjashëm në gjithçka dhe me gjithçka me çiftet e tjera në botë. Sipas autorit, nuk ka çift që të mos jetë zënë të paktën një herë gjatë gjithë kohës që janë bashkë për objektet shtëpiake, ku nuk përjashtohet lavatriçja apo pazaret. Sipas autorit, gjithmonë pas bashkëshortit që vendos në lavatriçe kamishat e lara me 40 gradë dhe të hekurosura nga bashkëshortja (sepse ai do që të lahen me 60 gradë), ka gjithmonë zënkë dhe inat, ndërsa të bën për të qeshur gruaja që tregon se "nuk mund të bëj dashuri me dikë që më bërtet se përse nuk kam bërë mirë sallatën". Gazeta Shqip |

















