|
Para se policët me kapuça ta përplasnin me fytyrë përtokë, Raffaele Amato-ja e kishte marrë një paralajmërim: e kishin arrestuar në një hotel të Casandrino-s bashkë me një drejtues tjetër të grupit, si dhe me një trafikant të fuqishëm shqiptar, të cilin e ndihmonte në bisedimet e biznesit një përkthyes i rangut të lartë, një nip i një ministri në Tiranë. ... Aleanca me klanet nigeriane dhe shqiptare u dha mundësi të rriteshin e të mësonin nga drejtimi i drejtpërdrejtë i shpërndarjes dhe trafikut të drogave. Paktet e bëra me klanet nigeriane të Lagosit dhe Benin Sitit, aleancat me familjet mafioze të Prishtinës dhe Tiranës, marrëveshjet me mafiozët ukrainas të Leopolit dhe Kievit e kishin çuar më tej klanin e kazalezëve në veprimtari kriminale të shkallës së parë. ... Parco Verde është një minierë krahësh pune për Kamorrën. Aty kushdo mund të gjejë rekrutë për punët më të rëndomta, krahë pune që paguhen, madje edhe më pak se shpërndarësit nigerianë apo shqiptarë të drogës. Të gjithë i kërkojnë djemtë e Parco Verde-s: kazalezët, Mallardo-t e Giugliano-s, "tigrat" e Crispano-s. Ata bëhen shpërndarës droge me rrogë bazë dhe marrin përqindje për shitjet. ... Kartelet e Napolit e të Kampanias shesin kokainë dhe heroinë me çmime të arsyeshme, kështu që në shumë raste ishte më e kollajtë dhe më me leverdi të punoje me ta, sesa me trafikantët amerikanojugorë dhe shqiptarë. ... Paolo Di Lauro-ja kishte qenë në gjendje të lidhej drejtpërdrejt me kartelet amerikanojugore dhe të krijonte rrjete të shitjes me shumicë nëpërmjet aleancës me kartelet shqiptare. Prej disa vitesh, trafiku i drogës ndjek shtigje të paracaktuara mirë. Nga Amerika Latine, kokaina mbërrin në Spanjë; atje ose shkojnë ta marrin, ose e dërgojnë deri në Shqipëri me rrugë tokësore. Kurse heroina e prodhuar në Afganistan merr rrugën e Bullgarisë, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Hashashi dhe marijuana vijnë nga Magrebi dhe e kapërcejnë Mesdheun falë turqve e shqiptarëve. ... Ato para i xhiroheshin më pas një enti aleat të klaneve serbe dhe kampane, që duhet të kujdesej t‘u porosiste industrive të ndryshme të interesuara të mirat që do jepeshin si ndihma humanitare, duke paguar me para që vinin nga veprimtari të paligjshme dhe duke kryer kështu pastrimin e po këtyre kapitaleve. Pikërisht në këtë fazë hyjnë në lojë klanet kazaleze. Janë ata që kanë vënë në dispozicion ndërmarrjet, transportet, të mirat për të kryer operacionin e pastrimit të parave. Duke përdorur ndërmjetësit e vet Arkan-i, sipas informacioneve, kërkoi ndërhyrjen e Casales-ëve për t‘u mbyllur gojën mafiozëve shqiptarë që mund të shkatërronin luftën e tij financiare, duke sulmuar nga jugu e duke bllokuar tregtinë e armëve. Casales-ët i qetësuan aleatët e tyre shqiptarë, duke u dhënë armë dhe duke i dhënë Arkani-t një guerilje të qetë. Në këmbim të ndërmarrjeve, sipërmarrjeve, dyqaneve, fermave, qendrave të mbarështimit u blenë nga sipërmarrësit e klanit me çmim të shkëlqyer dhe sipërmarrja italiane u përhap në gjysmën e Serbisë. Përpara se të hynte në zjarrin e luftës, Arkan-i pyeti Kamorrën. Luftërat, nga Amerika e Jugut e deri në Ballkan, bëhen me kthetrat e familjeve kampane.
Shkrimtari është ftuar të flasë për dhunimin e fjalës së lirë
Saviano flet në Akademinë e "Nobel"-it
Akademia e "Nobel"-it, vendosi t‘i hapë dyert solemnisht Roberto Savionos. Gazetari dhe shkrimtari italian, i shndërruar në fenomen botëror, pas publikimit të librit të tij të parë "Gomorra" i cili vazhdon të bëjë xhiron e botës, më në fund u mirëprit dhe nga Akademia e "Nobel"-it në konventën: "Fjala e lirë dhe dhuna anarkiste". Çfarë i bindi suedezët me në krye sekretarin e Përhershëm të Akademisë , Horace Engdahl, të ndryshonin rrugën e ndjekur deri më tani? Vetë Engdahl me një fjali lakonike, ishte shprehur së fundmi se rasti Saviano konsiderohej "një çështje përgjithësisht politike". Por meritat e Gomorrës dhe mbi të gjitha apeli i lëshuar së fundmi nga nobelistë të shumtë, duke nisur nga turku, Orhan Pamuk, deri te gjermani Gunter Grass e duke vazhduar me Dario Fo dhe Gorbachev, detyruan ndryshimin e kursit. Për të gjithë këta rasti i shkrimtarit të dënuar me vdekje nga Kamorra "është një problem demokracie që i përfshin të gjithë qytetarët". Në këtë pikë, as alibia më e madhe e gjyqtarëve suedezë, që u vetëshpallën priftërinj të letërsisë dhe kundërshtues të ngjitjeve politike, nuk mundën të evitonin mosmarrëveshjet e brendshme. Këtë herë, Akademia jo vetëm ftoi të flasë Roberto Savionon, por të shoqëruar me Salman Rushdie, duke nxjerrë një rezultat të dyfishtë. Vite më parë, mbështetja e munguar për shkrimtarin anglo-indian, ka provokuar vetëlargimin e 18 gjyqtarëve të "Nobel"-it. Ky takim në Akademi rivendosi gjërat në vend; "Akademia nuk bën politikë, por mbron lirinë". Dhe Roberto Saviano është zëri i guximit qytetar, është zëri i lirisë. Në librin "Gomorra", ndeshen lidhjet e mafies napoletane me mafien shqiptare. Më poshtë po sjellim disa fragmente të shkëputura nga libri.
|