OOPS. Your Flash player is missing or outdated.Click here to update your player so you can see this content.
You are here:
Welcome, Guest
Please Login or Register.    Lost Password?

O mami,nuk kam dale une? Nga Epruveta
(1 viewing) (1) Guest
Go to bottomPage: 1
TOPIC: O mami,nuk kam dale une? Nga Epruveta
#1520
O mami,nuk kam dale une? Nga Epruveta 1 Month, 2 Weeks ago Karma: 0
O mami,nuk kam dale une? Nga Epruveta

Mund ta kesh një fëmijë edhe kur nuk ia ke dalë mbanë pas shumë përpjekjesh të ngjizësh një bebe. Për fekondimin artificial ke dëgjuar me siguri. Të është dukur një përrallë e bukur? E bukur është vërtet, por ama aspak përrallë. Sepse realizohet fare thjesht prej disa vitesh edhe në Shqipëri. Po si realizohet dhe ku? Në çfarë kushtesh? Çfarë duhet të bëj që të kem dhe unë një bebe? Të gjitha pyetjet e tua ia kemi bërë ne për ty gjinekologut Kosta Dhima, i cili i jep përgjigje çdo dileme dhe paqartësie. Ja si mund ta kesh një bebe edhe kur nuk mundesh…

Kur duhet të shqetësohet një çift që megjithëse tenton të konceptojë një fëmijë, ende nuk ka e arritur atë?
Rreth 85 % e çifteve të shëndetshëm, heteroseksualë, arrijnë të konceptojnë fëmijë në vitin e parë të martesës ose më saktë të përpjekjes dhe rreth 93 % e tyre ia dalin mbanë pas dy vjetësh. Nëse një çift e ka të pamundur që të konceptojë një fëmijë 12 muaj pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, atëherë kemi të bëjmë me infertilitetin. Por në ditët e sotme ky përkufizim është modifikuar duke marrë në konsideratë moshën. Kështu, një grua mbi 35 vjeçe do konsiderohet infertile kur ajo ka dështuar në përpjekjet për shtatzëni për një periudhë 6-mujore. Kjo shifër përgjysmohet në 3 muaj për gratë mbi 40 vjeçe.
Cilat janë shkaqet e infertilitetit?
Përpara se të flisja për shkaqet e infertilitetit, do doja të sqaroja lexuesit tuaj për dy terma shumë të dëgjuar të kësaj fushe, por që shpesh ngatërrohen. Është fjala për diferencën midis termit sterilitet dhe infertilitet. Me sterilitet nënkuptohet pamundësia e një çifti që për të konceptuar një fëmijë. Diagnoza e sterilitetit jepet pasi në çiftin e ekzaminuar të vërtetohet se: ose nuk ka spermatozoide, ose nuk ka ovulacion. Me termin infertilitet do të kuptojmë se një çift ka dhe spermatozoide, dhe vezë (pra cikël ovulator), por për disa arsye, për ta nuk ka qenë e mundur që të konceptojnë një fëmijë.
Cili është hapi i parë që duhet të ndërmarrë një çift pas konstatimit të problemit?
T’u drejtohet qendrave të specializuara IVF për trajtimin e këtyre problemeve, sepse në këto qendra do të gjejë profesionalizëm, seriozitet dhe mbështetje për zgjidhjen e problemit.
Çfarë janë qendrat IVF?
Janë qendra që në terminologjinë zyrtare ndërkombëtare, të njohur dhe nga Ministria e Shëndetësisë, quhen Qendra të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar. Këto qendra merren me diagnostikimin e problemeve të infertilitetit dhe më pas realizimin e shtatzënisë nëpërmjet metodave të ndryshme të fekondimit artificial.
Cilat janë ekzaminimet kryesore për secilin partner?
Kuptohet që është e nevojshme të kryejmë një sërë ekzaminimesh, prej të cilave katër janë elementet kryesore të domosdoshme për të pasur një bebe: Vezët, sperma, tubat e Fallopit, uterusi ose mitra. Përpara fillimit të çdo lloj ekzaminimi, mjeku specialist duhet që të marrë informacion të detajuar të të dy partnerëve.
Çfarë alternativash ka një çift nëse në mënyrë natyrale nuk arrin të konceptojë një fëmijë?
Shumica e çifteve me probleme të infertilitetit u nënshtrohen programeve të koncepsionit ku përfshihen 3 metoda bazë:
1. Barnat fertilizues
2. Kirurgjia speciale
3. IUI (Intra Uterine Injection), e cila konsiston në përpunimin laboratorik të spermës dhe futjen e saj nëpërmjet kateterave të posaçëm në kavitetin uterin në afërsi të tubave.
Po nëse këto metoda nuk japin rezultat?
Kur metodat e mësipërme nuk japin rezultat (kjo përmbledh rreth 5 % të rasteve), atëherë kalojmë në metoda më të specializuara siç janë:
- IVF (25 % të rasteve) = In Vitro Fertilization (fekondim artificial ose e ashtuquajtura bebe në epruvetë, pasi në këtë rast spermatozoidi dhe veza sillen në kontakt në laborator dhe fekondimi i tyre bëhet natyralisht)
- GIFT (3 % të rasteve) = Gamete Intra Fallopian Insemination (stadi në të cilin ndodhet embrioni i sapoformuar në kushte laboratorike dhe transferimi i tyre në rrugë kirurgjikale në tubat e Fallopit)
- ZIFT (1.5 % e rasteve) = Zygote Infra Fallopian Insemination (në këtë rast embrioni është në stadin e zigotës. Të dyja këto metoda përdoren shumë rrallë dhe kanë pothuajse vlera historike)
- ICSI (70 % të rasteve) = Intra Cytoplasmic Insemination (është metoda kryesore dhe konsiston në futjen e spermatozoidit brenda vezës duke përdorur disa bisturi tepër mikroskopike, të cilat procedojnë në kushtet e një mikroskopi elektronik, duke realizuar në këtë mënyrë fekondim të sigurt dhe krijim të embrioneve, të cilët në një fazë të mëvonshme të zhvillimit transferohen në mitër për shtatzëninë e mundshme ose ruhen në azot të lëngshëm, pra në ngrirje, për t’u përdorur në një kohë të dytë ose fekondim të dytë)
- Donor (dhurues)
a) i vezëve
b) i spermës
- Krioprezervimi (ngrirja), ku futet:
a) ngrirja e vezëve
b) ngrirja e spermës
c) ngrirja e embrioneve
Si dhe kur kryhet ngrirja e vezëve
Ngrirja e materialit gjenetik, pra spermës, vezëve dhe në rastin më të mirë të embrioneve, është një procedurë që konsiston në përpunimin dhe pastaj ngrirjen e këtyre materialeve në azot të lëngshëm ku përfitohet një temperaturë -198 gradë celsius dhe që pastaj ruhen në pajisje të veçanta deri në 5 vjet e më shumë për t’u përdorur nga vetë personi ose sipas qëllimit që ai autorizon në kontratë. Ngrirja e materialit gjenetik kryhet vetëm pas konsultës me mjekun specialist, pasi ata të jenë kontrolluar për cilësinë, sasinë dhe qëllimin e ngrirjes. Sot në botë dhe tek klinika “ADC” janë realizuar shtatzëni të suksesshme me anë të këtyre procedurave, duke përdorur embrione të lëna në ngrirje nga çifti.
A mund të bëjë çdo çift fekondim apo ka kritere të veçanta?
Natyrisht që çdo çift, por duhet të plotësohen disa kritere për t’u futur në program. Së pari, është legjislacioni i çdo vendi dhe që ka të bëjë me kriterin moshë. Si kufi në Republikën e Shqipërisë është përcaktuar mosha 49 vjeç. Për sa i përket kriterit moshë, sipas standardeve ndërkombëtare, kemi edhe një ndarje të dytë.
- Deri në moshën 44-vjeçare, gruaja mund të zgjedhë çdo lloj trajtimi që mjeku i propozon, pasi ka konsultuar shkaqet e infertilitetit të saj dhe e ka diagnostikuar atë, por gjithmonë bëhet fjalë për materialin gjenetik të saj (vezët e vetë gruas).
- Femrat, deri 47 vjeçe, mund të përdorin vezë nga një donator i panjohur dhe deri 50 vjeç kur donatori është i njohur.
- Embrionet e ruajtura në ngrirje mund të përdoren nga një grua deri në moshën 50-vjeçare.
Kritere të tjera që duhen plotësuar për t’u futur në programin e IVF-së janë:
- Mospërdorimi i substancave abuzuese, ku përfshihen alkooli, drogat dhe duhani.
Gjendja emocionale, ku përfshihen çrregullimet e ekuilibrit mendor dhe emocional, psikik.
- Shëndeti fizik: mbipesha dhe obeziteti, bulimia dhe anoreksia.
- Sëmundjet infektive, si p.sh.: HIV, Hepatit, Sifiliz.
- Sëmundjet gjenetike të trashëgueshme.
Në cilat raste fekondimi artificial mund të jetë i pasuksesshëm?
Rastet në të cilat mund të rezultojë i pasuksesshëm do të përmblidhnin shkaqet e mëposhtme:
1. Mosha e femrës dhe për pasojë, rezerva ovariale e saj.
Në bazë të një studimi është parë se përqindja e suksesit sipas grupmoshave është si më poshtë:
30 – 35 % për moshën nën 35 vjeç
25 % për moshën 35 – 37 vjeç
15 – 20 % për moshën 38 – 40 vjeç
6 – 10 % për moshën mbi 40 vjeç
2. Normaliteti i mitrës për sa i përket madhësisë, formës, zhvillimit dhe
përmbajtjes.
3. Cilësia e spermës.
4. Cilësia e embrioneve të fekonduara dhe zhvillimi i tyre in vitro.
5. Numri i embrioneve të transferuara dhe cilësia e tyre.
6. Cilësia e fazës luteale pas transferimit të embrioneve në uterus.
Prej sa kohësh fekondimi artificial ka filluar të kryhet në Shqipëri?
Megjithëse fillimet e saj i ka në SHBA që prej viteve 1980 (IVF-ja e parë është bërë më 1978 në Angli), në vendin tonë ka filluar të aplikohet në mënyrë të kompletuar që prej 10 vjetëve të fundit. Sot, të paktën në Tiranë, janë 4-5 qendra të specializuara IVF dhe klinika “ADC” është njëra prej tyre. Në këto qendra plotësohen të gjitha kërkesat e pacientëve për shërbimin e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar.
Sa i qetë mund të jetë një çift se këtë proces mund ta kryejë brenda vendit, pa qenë i detyruar të gjejë zgjidhje jashtë Shqipërisë?
Një çift me probleme të infertilitetit sot duhet të ndihet plotësisht i qetë dhe i sigurt, duke zgjedhur që këto lloj procedurash t’i kryejë në Shqipëri dhe jo jashtë.
Sa kushton një proces i tillë?
Normalisht që kjo procedurë është e kushtueshme, por megjithatë është dy herë më e lirë se kostoja jashtë vendit, për të mos folur pastaj për faktin se arritja e një shtatzënie në një çift me infertilitet nuk ka çmim për ta.
Nëse gruaja arrin të ngelet shtatzënë sipas këtyre metodave që na shpjeguat më lart, kemi të bëjmë me një shtatzëni si gjithë të tjerat apo ka specifika të veçanta?
Është një shtatzëni normale si gjithë të tjerat, por fakti që ky fëmijë është shumë i dëshiruar, e bën këtë shtatzëni që të mbahet nën kontroll më të rreptë. Gjithashtu, për këto barra ka statistika të rregullta dhe dihen shumë probleme të pritshme, por në asnjë rast nuk është procedura e IVF-së përgjegjëse për ndonjë patologji të barrës.
Pas lindjes së bebes së parë, mund të kryhet edhe një proces i dytë pas disa kohësh nëse një çift kërkon të ketë më shumë se një fëmijë?
Gjëja më e mirë për një familje është që, sipas orientimeve të Planifikimit Familjar, fëmijët të kenë një distancë nga njëri-tjetri, jo të madhe, por as të vogël. Çiftet që lindin bebe me fekondim artificial janë të lira të zgjedhin kur të duan kohën për lindjen e dytë, ndërsa rekomandimi ynë do të ishte pas 2 deri 3 vjetësh. Kjo përfshin edhe ato raste, të cilat kanë embrione të gatshme të vendosura në ngrirje, sipas procedurave që ju shpjegova më sipër.
Revista Jeta
DarkShadow
Moderator
Posts: 14
graphgraph
User Offline Click here to see the profile of this user
The administrator has disabled public write access.
 
Go to topPage: 1
JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval