Ana Lalaj: Historia nuk rishkruhet e sforcuar

Në kuadrin e një projekti për “historinë e popullit shqiptar në shekullin XX”, ndërmarrë nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, historiania dhe studiuesja Ana Lalaj, për rreth 3 javë në arkivat britanike ka mundur të gjejë 24 mijë imazhe fotografike mbi periudha dhe figura të ndryshme historike.

Pas një kërkimi 3-javor në arkivat britanike, studiuesja Ana Lajaj kthehet me një sërë dokumentesh të reja që flasin për këndvështrimin britanik ndaj figurave historike si Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani etj. Historiania mban qëndrim edhe ndaj çështjes së rikthimit të eshtrave të Ahmet Zogut në 100-vjetorin e Pavarësisë

Në kuadrin e një projekti për “historinë e popullit shqiptar në shekullin XX”, ndërmarrë nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, historiania dhe studiuesja Ana Lalaj, për rreth 3 javë në arkivat britanike ka mundur të gjejë 24 mijë imazhe fotografike mbi periudha dhe figura të ndryshme historike. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Lalaj rrëfen eksperiencën e saj gjatë kërkimeve si dhe flet për disa çështje të rëndësishme tepër të debatuara në media kohët e fundit, si rishkrimi i historisë, rehabilitimi i figurave historike si Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani apo dhe rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas saj, diplomatët britanikë janë të rezervuar në vlerësimet për Ismail Qemalin, duke e akuzuar për autoritarizëm dhe qeverinë e tij e quajnë si “qeveri e një njeriu të vetëm”. Ndërsa për Esad Pashë Toptanin, Lalaj thotë se figura e tij nuk mund të rehabilitohet me forcë.

Ju sapo jeni kthyer nga Londra, ku keni qenë për kërkime arkivore. Cilat kanë qenë rezultatet e kërkimeve tuaja?

Më parë se unë, në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe ishin edhe katër studiues të tjerë, Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Hamit Kaba dhe Enriketa Kambo, në kuadër të një projekti për “historinë e popullit shqiptar në shekullin XX”, ndërmarrë nga Qendra e Studimeve Albanologjike - Instituti i Historisë dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Pjesë e këtij projekti ishin edhe hulumtimet e mija në 3 javë dhe ku u morën rreth 24 mijë imazhe fotografike. Në 20 vitet e fundit, ky është projekti më i madh për historiografinë shqiptare, ku janë përfshirë të gjithë punonjësit shkencorë të Institutit të Historisë në Tiranë, pedagogë dhe një pjesë e mirë e studiuesve shqiptarë të qendrave shkencore dhe universitare në Kosovë dhe në Maqedoni.

A kanë lidhje kërkimet tuaja me procesin e rishikimit të historisë?

Sigurisht. Historia e çdo epoke, e çdo vendi dhe e çdo populli është një proces asnjëherë i përfunduar. Aq më tepër historia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë, që për rrethana tanimë të njohura, e ka më të domosdoshme se kurrë këtë proces rivlerësimi. Ne vijmë nga një shoqëri e mbyllur, që shkon përtej mbylljes fizike të kufijve. Mendoj se mbyllja e një shoqërie, e një sistemi, është pasojë e frikës për t’u ballafaquar me të vërtetën. Por e vërteta është thelbi i historisë së një kohe ose një vendi. Që në krye të ndryshimeve demokratike u pa qartë se anestezia 50-vjeçare e kishte dëmtuar dukshëm kujtesën dhe historiografia ishte manipuluar keqas. Mjaft të sjellim në mend që maketet e teksteve të historisë, para se të publikoheshin, kalonin më parë për diskutim dhe miratim në mbledhjet e Byrosë Politike. Për pasojë, historia u montua si një përrallë, ku shumë të vërteta u fshehën e të tjera u përzjenë me të pavërtetat, sa nuk merrej vesh ku fillonte njëra e mbaronte tjetra. Për t’u kapërcyer kjo gjendje, dy ishin hapat më kryesorë që duheshin ndërmarrë pa vonesë. E para, historiografia të çlirohej nga politika dhe e dyta, të hapeshin arkivat. Të dy këta hapa kanë vështirësitë e veta. Por, meqë jemi tek arkivat, nga ligjet e para që u miratua në Parlamentin pluralist shqiptar është ai për hapjen e arkivave, më 1993, që u pasua me disa vendime të Këshillit të Ministrave, që nxitën dhe disiplinuan procesin e deklasifikimit të dokumenteve.

A janë tanimë arkivat shqiptare vërtet të hapura?

Pa dyshim, është bërë shumë punë. Shembulli më i mirë është Arkivi Qendror i Shtetit, thënë ndryshe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Po kështu, Arkivi i Ministrisë së Jashtme. Punë të lavdërueshme në sistemimin e fondeve është duke bërë së fundmi Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Nuk mund të them të njëjtën gjë për Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka fonde të konsiderueshme, por për fat të keq, vështirë të shfrytëzueshme, që do të thotë se në fakt, ai vazhdon të mbetet një arkiv i mbyllur. Me gjithë ndërhyrjet, arkivat tona përmbajnë materiale me vlera të mëdha. Sigurisht, të punosh mbi to, të kopjosh, të deshifrosh, të lidhësh fakte e ngjarje, shpesh është rraskapitëse, dhe nuk mbaron me kaq. Por për studiuesin nuk ka rrugë tjetër. Më duket se është mjaft e gjetur ajo që thotë Ismail Kadare se, “të zbresësh në arkiv, duhet të jesh trim, por të tregosh ato që pe aty duhet një trimëri edhe më e epërme”. Në përballjet me opinionin, për historianin dokumenti mbetet i shenjtë. Nuk mund të ketë rishikim të historisë, qoftë dhe rishkrim të saj, pa dokumente. Por detyra e studiuesit nuk është të ekspozojë dokumente për ngjarje pa lidhje e të bëjë sensacione, por të shpjegojë e të qartësojë procese dhe figura të historisë sonë kombëtare që janë komplekse. Dhe vjen një çast kur ky mision nuk mund të përmbushet vetëm me dokumentet e arkivave shqiptare. Atëherë ai u drejtohet arkivave të huaja.

Po përse arkivit të Londrës?

Në fillim të shekullit XX, dhe pikërisht kur u krijua shteti i pavarur shqiptar, Anglia ishte Fuqi e Madhe botërore. Si anëtare e Koncertit Europian, ajo zhvillonte politika konsensuale ndërkombëtare, por kishte dhe interesa të veçanta në Europë, Mesdhe dhe në Ballkan. Në këtë kuadër, roli i saj në historinë e Shqipërisë është i ndjeshëm. Mos harroni që në Londër u mblodh Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë shteteve të mëdha që njohën pavarësinë e Shqipërisë, që morën vendime për organizimin e brendshëm të shtetit të ri shqiptar dhe që krijuan komisionet për caktimin në terren të kufijve administrativë-politikë. Në Londër, më 26 prill 1915, u nënshkrua Traktati famëkeq për copëtimin e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore; në dhjetor 1920, Londra zhbllokoi situatën dhe luajti rolin kryesor për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve; gjatë Luftës së Dytë Botërore misionet britanike ishin misionet ndërkombëtare kryesore në Shqipëri; me Londrën lidhet incidenti i Korfuzit, i cili qëndroi si litar nëpër këmbë për qeverinë shqiptare për më shumë se 40 vjet; ka dokumente për masakrën e Tivarit; për federatën ballkanike, ku Londra shihte zgjidhjen politike të Ballkanit e të tjera e të tjera. Neve, historianëve shqiptarë, na interesojnë arkivat e Londrës dhe të shteteve të mëdha, dhe jemi të prirur të hulumtojmë dokumentet e tyre edhe për një arsye tjetër. Ato shënjojnë trendet kryesore të zhvillimit europian e botëror dhe si të tilla, i japin përmasa reale historisë shqiptare, ndërsa historianët shqiptarë i bëjnë më mendjehapur dhe punimeve të tyre u japin më shumë frymëmarrje. Në këtë këndvështrim, arkivat si ai i Londrës, i Vatikanit, i Stambollit, i Moskës, janë imazhet virtuale të historisë botërore, por edhe shqiptare, dhe si të tilla mbeten burime që duhet të vazhdojnë të eksplorohen.

Në cilat fonde është bërë kërkimi konkretisht?

Arkivi Kombëtar i Londrës është një arkiv jashtëzakonisht i pasur, me miliona dokumente. Unë mund të them se puna jonë aty nuk ka përfunduar. Fondet që kanë të bëjnë me Shqipërinë janë të shumta: Ministria e Jashtme (FO) në një varg degëzimesh, Ministria e Luftës (WO), Shërbimet Sekrete gjatë Luftës (HS), Kabineti i Ministrave (CAB), Kryeministri (Premier ose PREM) etj. Megjithatë, janë shumë me interes të shihen fondet që kanë lidhje me shtetet fqinje, pasi në shumë prej tyre gjen vlerësime e konsiderata për Shqipërinë dhe marrëdhëniet me të.

Cila është risia e këtyre dokumenteve të gjetura dhe për çfarë hedhin dritë ato?

Duhet ta dini se kur ne studiuesit punojmë në arkivat e huaja nuk e kemi luksin e punës si në arkivat shqiptare, pasi kohën e kemi gjithnjë të pamjaftueshme. Kjo do të thotë që kriteret e përzgjedhjes janë shumë të gjera. Janë mijëra faqe që shfletojmë. Kjo dhe koha e shkurtër që jam kthyer, bëjnë që unë të mos ju dëshmoj dot me saktësi risitë e dokumenteve. Megjithatë, për sa i takon dokumenteve që unë kam sjellë, mund të them se ka regjistrime me interes për përbërjen etnike të popullsisë së Kosovës, të ndarë në sanxhakë dhe kaza; qëndrimin e Fuqive të Mëdha, veçanërisht Britanisë së Madhe, Austro-Hungarisë, Italisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913; mbledhjet e komisioneve të caktimit të kufijve të Shqipërisë; reagimin e popullsisë shqiptare të rajoneve kufitare të Jugut; sjelljen e shteteve fqinje me Shqipërinë në kohën e Luftërave Ballkanike, raporte mbi forcat ushtarake dhe viktimat; marrëdhëniet e qeverisë së Ismail Qemalit me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, qeverisjen ndërkombëtare të Shkodrës etj.

Le të ndalemi në këtë periudhë, çfarë thonë dokumentet britanike për figura si Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani etj.?

Pavarësisht dimensioneve, asnjë personalitet historik nuk mund të jetë i përsosur. Por shpesh nuk janë dhe aq të errët, sa ne i kemi nxirë me tepri. Varet nga ç’kënde u përqasemi këtyre figurave, anës së tyre të ndriçuar apo të hijëzuar. Megjithatë, në fund të fundit, në çdo rast duhet vënë një notë. Thelbësore është se një figurë historike vlerësohet për mirë ose për keq në çaste të rëndësishme, shpesh në çaste kthese, në raportet me popullin e vet apo më gjerë. Sidoqoftë, nga një vështrim shkarazi, duket se diplomatët britanikë janë të rezervuar në vlerësimet për Ismail Qemalin, krejt ndryshe, bie fjala, nga pushtetarët austro-hungarezë, gjermanë apo italianë. Britanikët e akuzojnë I. Qemalin për autoritarizëm dhe qeverinë e tij e quajnë si “qeveri e një njeriu të vetëm”. Megjithatë, duke pasur parasysh kohën e trazuar kur ngrihen këto akuza, pavarësisht nga pesha, ato mbeten të mangëta. Kur flasim për Esad Toptanin, kujtojmë që Toptanët kanë pasur rol të rëndësishëm në historinë e re të Shqipërisë. Megjithatë dy prej pinjollëve, vëllezërit Gani dhe Esat Toptani në histori kanë zënë vend si figura negative dhe që i kanë sjellë dëme vendit të vet. Ndonjë përpjekje për rehabilitimin e E. Toptanit më duket e sforcuar. Mjaft të themi se në dokumentet për të cilat po flasim, E. Toptani tregohet si figura më përfaqësuese e një populli egërshan e pa aftësi shtetformuese. Është koha kur ai kishte ndërmarrë lëvizjen separatiste në krye të Pleqësisë së Durrësit. Ka mjaft dokumente që dëshmojnë luftën politike ndërmjet Esad Pashës dhe Ismail Qemalit. Studiuesit e periudhës do t’i kenë ato në dorë dhe do të kenë mundësi për vlerësime më të thelluara si për njërin ashtu edhe për tjetrin.

Po për Ahmet Zogun? A nuk ngjan që 100-vjetori i Pavarësisë po përdoret më shumë për promovimin e Monarkisë?

Mos po i ikim temës? Megjithatë, për të mos iu shmangur pyetjes, mendoj se disa dalje politike e japin këtë përshtypje. Të kuptohemi, dhjetë vjet monarki janë pjesë e këtij njëqindvjetshi dhe ato nuk mund të shmangen. Teprimet nuk janë të dobishme. Por këto janë punë të politikës. Shpresoj dhe besoj që studiuesit gjakftohtë nuk do të kompleksohen.

Sa kohë mendoni se do të duhet për studimin e këtyre dokumenteve?

Drejtoria e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Drejtoria e Institutit të Historisë ka një projekt ambicioz për përkthimin dhe botimin e dokumenteve britanike për Shqipërinë. Pra synohet që këto dokumente t’i jepen në dorë një rrethi më të gjerë studiuesish, pedagogësh, studentësh dhe publikut të interesuar për historinë e Shqipërisë të shekullit XX. Studiuesit e Institutit të Historisë janë të gatshëm të fillojnë punën. Ajo që pritet dhe shkurton kohën është mbështetja financiare.

Më në fund, diçka për impresionet tuaja si studiuese gjatë kërkimeve në arkivat britanike. 

Të hulumtosh në Arkivin Kombëtar të Londrës është shans për çdo studiues dhe aq më shumë për një historian shqiptar. Unë kam punuar në disa arkiva të huaja, në Washington DC (NARA), në Universitetin e Harvardit (LAMONT), në Budapest (OSA), në Arkivin e Institutit të Studimeve Ballkanike në Selanik, por mund të them se Arkivi Kombëtar i Londrës mbetet më i pasuri, më i organizuari, me një përkujdesje dhe përkushtim shembullor të stafit për t’i ardhur në ndihmë e për t’ia lehtësuar punën çdo studiuesi që ulet në sallën e leximit të dokumenteve, të mikrofilmave apo të fotografive. Shkurt, Arkivi Kombëtar i Londrës në opinionin tim mbetet në vendin e nderit.

Ulkie Sinan, Gazeta Shqip

Read 1467 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 35 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…