Vatranët e vërtetë dhe vatranët… zyrtarë…

Nga Raimonda Moisiu
Thënia biblike e Nolit; “Një popull pa vizion zhduket” do të mbetet simbol epoke ndër breza, për të sjellë në kujtesë të kaluarën, të qartësojmë të tashmen dhe t’i hapim udhë së ardhmes. Duke vënë në plan të parë vizionin e një populli – popullit të tij shqiptar – Noli hodhi një bazë të shëndoshë të rizbulimit të identitetit kombëtar dhe ruajtjes

Nga Raimonda MOISIU
Thënia biblike e Nolit; “Një popull pa vizion zhduket” do të mbetet simbol epoke ndër breza, për të sjellë në kujtesë të kaluarën, të qartësojmë të tashmen dhe t’i hapim udhë së ardhmes. Duke vënë në plan të parë vizionin e një populli – popullit të tij shqiptar – Noli hodhi një bazë të shëndoshë të rizbulimit të identitetit kombëtar dhe ruajtjes së tij nga asimilimi kulturor pas disa shekujsh shtypjeje. Sot më shumë se kurrë janë për të vlerësuar përpjekjet dinjitoze, përkushtimi atdhetar, patriotik e historik në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe identitetit shqiptar.
Eruditi Faik Konica dhe Noli ynë i Madh, duke patur mbështetjen e fuqishme intelektuale dhe mendjendritur të patriotëve të vjetër, të njerëzve të penës e të dijes, shënuan kthesën e parë historike të Rilindjes Kombëtare, në dekadën e dytë të shekullit të 20-të e pikërisht më 28 prill 1912 –themelimin e Federatës Pan Shqiptare VATRA-që do të përbënte përfaqësimin më të fuqishëm e më interesant të diasporës shqiptare, jo vetëm për ndjenjat atdhetare e kombëtare, por do të hidhte bazat e unifikimit të vlerave tona kombëtare dhe identitetit shqiptar, për zhvillimin ekonomik e kulturor, do të hidhte dritën e parë jeshile që do të luante rolin historik e kombëtar edhe për lirinë e pavarësinë e atdheut. Në artikullin redaksional të gazetës “Dielli” të datës 4 prill 1912, Noli ynë i Madh paraqiti argumentet për emërtimin e Federatës Shqiptare : “Përmbi gjithë kombet e tjera, shqiptari ka më tepër të drejtë të përdorë fjalën “Vatra”, si të tijën. ”VATRA” fjal’ e butë, e qetë, por sa të madh kuptim!!” Më 14 Prill 1912 u aprovua plotësisht statuti i shoqërisë dhe po në këtë datë u caktua dita e 28 prillit si dita e fundit e bisedimeve për bashkimin e gjithë diasporës shqiptare të Amerikës pa dallim feje e ideje, nën drejtimin e Federatës “Vatra”. 28 Prilli 1912  hyri në histori si dita e themelimit të Federatës “Vatra” dhe më 13 Qershor 1912 ajo njihet zyrtarisht nga Institucionet ligjore të Amerikës. Dhe më pas përgjatë një shekulli Federata Pan Shqiptare Vatra do të bëhej simbol frymëzimi për më shumë punë, përkushtim, mençuri dhe integritet, do të krijonte degët e saj në shumë shtete e qytete të Amerikës ku jetonin e punonin shqiptarët. Mes entuziazmit, optimizmit dhe idealizmit patriotik e atdhetar, ditën e shtunë më 28 Prill 2012, komuniteti shqiptaro-amerikan i Hartfordit Connecticut, qytet i njohur në tërë Amerikën si “qyteti simbol i Parqeve, i luleve dhe hortikulturës”, festuan me madhështi dhe krenarinë kombëtare të identitetit shqiptar, 100 vjetorin e themelimit të Federatës Pan Shqiptare VATRA. Ishte një ditë e bukur e freskët e me diell dhe qysh në orët e paradites, vatranët e vjetër e të rinj të komunitetit shqiptaro-amerikan të Hartfordit do të dilnin me makinat e tyre të zbukuruara me flamurin shqiptar dhe posterat e Logos së Federatës Pan Shqiptare Vatra me mbishkrimin 100 vjet –VATRA, dhe nën oshëtimën e burive do të gjallëronin atmosferën festive përgjatë shëtitores kryesore të South Hartford –Franklin ave, ku më pas do të ndalonin para Arbër’café, aty ku edhe do të mbahej eventi hisorik në nderim  të po kësaj dite historike. Në hyrje të Arbër’café ata u pritën mes shtrëngime duarsh , nga pinjolli pasardhës i vatranit të vjetër, Lliko Rrumbullaku,- shkrimtari, patrioti e atdhetari, vatrani 84 vjeçar maleshovit, z. Andon Rrumbullaku i cili ishte edhe organizatori i këtij eventi historik,- nga një tjetër vatran dhe aktivist i shquar në Fedaratën “Vatra” dhe “studenti” i Fan Nolit, biles nga të fundmit që ka qëndruar përkrah Nolit të Madh, fizikisht, mbështetur e biseduar me të – 85-vjeçari përmetar z. Thanas Laska, nga biznesmeni z. Astrit Karamanaj, pronari i Arbër’café që kishte hapur “vatrën” për këtë aktivitet patriotik e historik,  intelektualë, personalitete të artit e kulturës dhe një numër i madh bashkatdhetarësh, simpatizantë dhe aktivistë të Vatrës  të komunitet shqiptaro-amerikan në Hartford CT, por edhe të ardhur nga shtete të tjerë sikundër nga Filadelfia, New Jersey, New York-u etj. Salla e Arbër café ishte zbukuruar jo vetëm me flamujt respektivisht të dy vendeve; atij shqiptar dhe amerikan, por në muret e saj ishte fotoekspozita në 100 vjetorin e Vatrës që nga krijimi i saj, patriotët shqiptarë që sakrifikuan në dobi të kombit e deri te Plaku I Vlorës që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Tubimi historik u hap me himnin shqiptar të kënduar nga sopranoja Lida Mucollori dhe më pas shkrimtarja Raimonda Moisiu – moderatore e këtij aktiviteti- do të mbante fjalën e hapjes ku mes të tjerave tha:
“Në mendjet dhe zemrat e kombit shqiptar, në universin e të drejtave, për të qenë në një status të barabartë me botën e qytetëruar të kohës, shansin për të integruar gjuhën tonë amtare, identitetin dhe vlerat kombëtare, kulturën, traditën, pavarësisht përballjes me sfidat e kohës së pakohë, për mundësinë e ruajtjes së këtyre parimeve, treguan se edhe kombi ynë ka të drejtën t’i quajë tonat vlerat dhe parimet, si një domosdoshmëri dhe shprehi të një humanizmi thelbësor, se ruajtja e tyre është anti-asimilim – atë çka predikuan Noli ynë i madh dhe Faik Konica gjatë gjithë veprimtarisë së tyre erudite e kombëtare duke e finalizuar më 28 Prill 1912-themelimin e Federatës Pan Shqiptare Vatra, si një nga ngjarjet më të shënuara dhe mbresëlënëse, si rrënjën e kombit, si burimin e çdo idealizmi”
Më pas Raimonda do të bënte një biografi të shkurtër të shkrimtarit, patriot e atdhetar, vatranit veteran z. Andon Rrumbullaku, që si një “gjeolog” ka kërkuar dhe rrëmuar në “arkivën” e kujtesës dhe personale, të trashëguara nga ati i tij, vatrani patriot Lliko Rrumbullaku, i cili i ka ruajtur me ndjenjën kombëtare dhe atdhedashurinë për kombin, materialet e shqiptarëve të Amerikës dhe përpos të gjitha këtyre materialeve e fotove ka botuar edhe një libër me titull “Fotoekspozita fotografike – Federata VATRA -13 Qershor 1912”. Vatrani veteran z. Andon Rrumbullaku do të mbante kumtesën po me të njëjtin titull.
Në fjalën e tij z. Rrumbullaku falenderoi audiencën për pjesëmarrjen në këtë jubile historik, dhe më tej do të materializonte me fakte, foto dhe komente respektivisht për çdo foto, -punën, mundin, përkushtimin atdhetar, sakrificat e patriotëve dhe atdhetarëve me në krye Konicën e Nolin, veprimtaritë e tyre patriotike e atdhetare për të arritur atje ku ata dëshironin, punuan e sakrifikuan në dobi të kombit tonë.Ai solli në kujtesë ata burra e gra mërgimtarë që lanë atdheun me dhimbje, të shtrënguar nga kushtet ekonomike për të gjetur mundësi mbijetese dhe të krijonin mirëqënien e familjeve, por krahas saj treguan edhe me vepra se ishin edhe patriotë të flaktë të mbrujtur me idealet e vendit demokratik e përparimtar të kohës, që i mbajti në gjirin e tij, si një Atdhe i dytë. Themelimi i Federatës Pan Shqiptare Vatra –do të përkonte në një kohë me Pavarësinë e Shqipërisë, – u bë qendër e fuqishme me kredebilitet të çmuar, e njohur ligjërisht nga administrata amerikane e kohës, ndërkombëtarisht, me propagandë e ndihma pakursim, si edhe me vullnetarë në mbrojtje të një Shqipërie të lirë dhe për t’u bërë e denjë midis popujve të tjerë të Europës. Jemi sot këtu të nderojmë veprën dhe punën e atyre burrave të gjithë Kombit shqiptar, që nga Noli ynë i Madh e Konica, patriotë e demokratë përparimtarë e humanitarë të shquar, oratorë e politikanë të dedikuar ndaj çështjes shqiptare dhe përparimin e kombit. Vlerësimi i veprës së tyre i rikujton sot Diasporës Shqiptare në SHBA-ës, gjithë shqiptarëve kudo që janë se liria, përparimi e demokracia që e dëshirojmë për atdheun tonë vjen vetëm nëpërmjet mobilizimit dhe përkushtimit shpirtëror, kulturor, patriotik e material, jashtë interesave personale dhe militantizmit të verbër politik, vetëm me idealin patriotik siç vepruan vatranët patriotë me në krye Nolin e Madh e eruditin Faik Konica-prandaj ta ruajmë Vatrën-çerdhe patriotësh dhe jo militantësh politikë,-do të mbyllte fjalën e tij, vatrani veteran z.Andon Rrumbullaku. Më tej do e merrte fjalën z. Thanas Laska apo siç e thërrasin në komunitetin shqiptaro-aemerikan të Hartfordit, “Babai i komunitetit”, një aktivist i shquar veteran në Federatën “VATRA”, mbi 60 vjet jetesë në Hartford, me një kontribut mbresëlënës,ekonomik, filantropist, qytetar dhe intelektual në Hartford, u shpreh: “ Tani në këtë çast kur shikoj këtë ekspozitë me fotografi e komentet përkatëse, kur dëgjova fjalën e pinjollit të vatranit të shquar Lliko Rrumbullaku-, të cilin ashtu si edhe Fan Nolin kam pasur fatin t’i njoh takoj e bisedoj me ta, nderimi dhe respekti im shkon për ata vatranët e vjetër që nuk rrojnë më, për ata që morën iniciativën, Fan Nolin dhe Faik Konicën, për atë elitë të shquar patriotësh dhe atdhetarë që i mbështetën fuqishëm, punën e tyre të palodhshme, veprimtaritë e tyre patriotike e atdhetare shpirtërisht e materialisht, dhe hodhën rrënjën e kombit, si burimin e çdo idealizmi, për ruajtjen e vlerave kombëtare, integrimin e identitetit shqiptar krahas kulturave të tjera në tokën amerikane, ruajtjen e gjuhës amtare, kulturës dhe traditave patriotike. Për mua që jam në këtë moshë të thyer, 85-vjeç, i bashkohem thirrjes së z.Rrumbullaku se Vatra dhe vatranët pasardhës, të rinj dhe ata që do të lindin, të ecin në gjurmët e vatranëve të vjetër, të të parëve të tyre, duke i bashkuar të gjithë shqiptarët e Diasporës e të gjitha trojeve etnike, të dallojnë vatranët e vërtetë nga vatranët…zyrtarë, ashtu sikundër e mbajtën Noli e Konica, patriotët e atdhetarët e Rilindjes kombëtare, pa dallim feje dhe ideje, pa paragjykime, militantizëm politik e influenca të dëmshme, se vetëm kështu Diaspora do të unifikojë vlerat e vërteta të kombit, traditat tona patriotike e atdhetare, idealizmin në realizimin dhe ëndrrën e të gjitha kohërave për një Shqipëri demokratike e drejtësi, të denjë për të qenë pjesë e Europës” Më pas bashkatdhetarë të tjerë morën fjalën, sikundër z. Islam Beci i cili në fjalën e tij do të vlerësonte kontributin e shquar të Vatrës, do të falenderonte patriotët dhe atdhetarët, vatranët veteranë z. Andon Rrumbullaku dhe z. Thanas Laska, për këtë fotoekspozitë kaq mbresëlënëse dhe botimin e librit historik, në përjetësimin e punës dhe kontributit të shquar të atyre që themeluan “ Vatra”-ën, dhe të burrave dhe grave të mençur patriotë e atdhetarë që mbështetën fuqishëm shpirtërisht e materialisht pa kurrfarë përfitimi personal, kauzën e shenjtë të integritetit të identitetit tonë shqiptar në këtë tokë të mundësisë e multikulturore, krahas kulturave të tjera respektues të ligjeve dhe vendeve ku ata jetojnë e punojnë. Më pas z. Beci hodhi idenë e krijimit të Degës së Vatrës për komunitetin shqiptar të Hartfordit. Z.Vaskë Bruko në fjalën e tij do të përgëzonte për këtë iniciativë me ndjenjë atdhetare e shqiptarie, për organizimin e këtij tubimi historik në komunitet dhe mbështeti idenë e hedhur nga z. Beci për krijimin e Degës së Vatrës në Hartford CT. Biles z. Bruko shkoi edhe më tej që një përfaqësi e komunitetit shqiptaro-amerikan të marrin kontakt me stafin e Bibliotekës Publike të Hartfordit për të na dhënë “këndin” shqiptaro –amerikan, ku të mundësohet shpalosja e vlerave të kulturës shqiptare me librat e botuara dhe fotoekspozita nga z. Andon Rrumbullaku të vendosen aty, ndërsa z.Alfred Rrumbullaku tha mes të tjerave që të vendosim Fotoekspozitën e FEDERATA VATRA -13 QERSHOR 1912, në muzeun Connecticut Historical Society. Z.Nesim Mucollori duke e mbështetur idenë e krijimt të Degës së Vatrës, hodhi idenë që të hartohet teksti në këtë tubim historik e të nënshkruhet nga pjesëmarrësit dhe një përfaqësi e komunitetit të takohet me Kryetarin e “Vatra” z. Gjon Bucaj, për t’ia dorëzuar atë. U hartua teksti dhe u nënshkrua nga zotërinjtë e zonjat;Thanas Laska,Andon Rrumbullaku, Nesim Mucollori, Lida Mucollori, Vaskë Bruko, Anesti Nova, Thanas Tyta, Raimonda Moisiu, Kristofor Th. Rrumbullaku, Polikseni Proko, Kujtim Llalla Hysen Stankaja, Robert Premto, Edlir Papadhimitri, Bledar Rrumbullaku, Alfred Rrumbullaku, Ana Ruco, Rilinda Premto, Vangjel Haxhiu, Perikli Jani, Bedri Shehu, etj. Aktiviteti u mbyll me trokitje gotash e urime duke kënduar këngë patriotike dhe vizituar ekspozitën fotografike Federata Vatra-13 Qershor 1912- e cila vazhdoi të qëndronte e hapur për vizitorët edhe në ditët e ardhshme.

Tirana Observer

Read 1610 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 290 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…