“VATRA- çerdhe patriotësh, jo militantësh politikë”

Intervistë me shkrimtarin patriot e atdhetar, vatranin Andon Rrumbullaku

Nga Raimonda Moisiu

Babai im ka qenë shumë patriot, atdhetar, i etur për dije e kulturë, niset bashkë me disa bashkëvendas të tij nga Detroiti, enkas për të takuar Fan Nolin. Dhe që prej atij momenti ai së bashku me maleshovitë të tjerë, tashmë fanolistë, vinin shpesh në Boston, veçmas në festimet e Ditës së Pavarësisë, në çdo 28 Nëntor për të mbështetur Fan Nolin. Krahu i djathë  i Nolit kanë qdnë edhe maleshovitët, vëllezerit Vangjel & Llukan Lasko, të cilët patën ndikimin kryesor në njohjen dhe bashkimin e babait tonë me Fan Nolin. Vëllezërit Lasko njiheshin si njerëz me kulturë të gjerë dhe personalitete të shquara, të cilët përkrahën idetë dhe u bënë luftëtarë e propagandistë të mendimit nolian.  Bile Vangjel Lasko nxori gazetën e parë maleshovite në mërgim “E vërteta”, që u hap fillimisht në Saint Louis dhe përfundoi në Filadelfia

Andon Rrumbullaku është pinjolli pasaardhës i vatranit të vjetër, Sekretar i Degës “Vjosa” të FEDARATËS  PAN SHQIPTARE VATRA, atdhetarit e patriotit, Lliko Rrumbullaku. Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri,  Andoni emigron në SHBA me familjen e tij, në saj të shtetësisë amerikane që gëzoi nga i ati. Me një bagazh të pasur e të admirueshëm intelektual, qytetar dhe i arsimuar, ai hedh në letër gjithë veprimtarinë e VATRËS me fakte e foto, të trashëguar nga babai i tij. Mbas më shumë se një dekadë, është autor i dhjetë librave të titulluar respektivisht: “Flamur për Shqipëri”, “Për Atdheun jetën dhanë”, “Për fshatin e braktisur, malli më ka marrë”, “Maleshova & Dëshnica -vargje me motive popullore”, “Këmbanorja na dëshmon”, “Pasha Rrumbullaku dhe Kapedanët e Maleshovës”, “Fan S. Noli dhe fanolistës”, “Emigrojnë maleshovitët”, “Maleshova midis maleve” dhe “Ekspozitë Fotografike –Federata Vatra 13 Qershor 1912”. Të gjithë librat janë vlerësuar si një kontribut i vyer e i çmuar në ruajtjen e pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë, të lëna si amanet nga Noli ynë i Madh, Faik Konica dhe vatranët e hershëm. Andon Rrumbullaku është 84 vjeç, jeton në Kryeqytetin e Kënektikatit,  Hartford. Është figurë e respektuar dhe e nderuar në komunitet i njohur për ndjenjat e tij atdhetare e patriotike, të cilën e dëshmojnë më së miri edhe librat e shkruar prej tij. Unë pata fatin si dy bashkëqytetarë “hartfordas”, të bisedoja me të. Për të mësuar më shumë lexoni intervistën në vazhdim…

Jeni pinjoll i Vatranit, mbështetës fisnik e i devotshëm i Fan Nolit,  Lliko Rrumbullaku –alias- Louis Rrumbullaku. Si erdhi babai tuaj në Amerikë?

Babai im ka ardhur para vitit 1919 me një vapor nga Saranda. Në atë kohë ai punonte punëtor krahu (hamall) me disa bashkëvëndas të tij nga Maleshova në portin e qytetit, me të vetmin qëllim për të mërguar në Amerikë. Sa mbërriti në Amerikë e mbështetën xhaxhallarët e tij Thoma & Anastas Rrumbullaku dhe disa maleshovitë që kishin mërguar në vitet e para të shekullit të 20—të si dy vëllezërit Vangjel & Llukan Lasko me të vëllanë, Thimio Prifti etj. Fillimisht u vendos në Boston, por më pas u zhvendos në Detroit.

Si u njoh babai tuaj me Fan Nolin?

Babai im ka qenë shumë patriot, atdhetar, i etur për dije e kulturë, niset bashkë me disa bashkëvendas të tij nga Detroiti, enkas për të takuar Fan Nolin. Dhe që prej atij momenti ai së bashku me maleshovitë të tjerë, tashmë fanolistë, vinin shpesh në Boston, veçmas në festimet e Ditës së Pavarësisë, në çdo 28 Nëntor për të mbështetur Fan Nolin. Krahu i djathë  i Nolit kanë qdnë edhe maleshovitët, vëllezerit Vangjel & Llukan Lasko, të cilët patën ndikimin kryesor në njohjen dhe bashkimin e babait tonë me Fan Nolin. Vëllezërit Lasko njiheshin si njerëz me kulturë të gjerë dhe personalitete të shquara, të cilët përkrahën idetë dhe u bënë luftëtarë e propagandistë të mendimit nolian.  Bile Vangjel Lasko nxori gazetën e parë maleshovite në mërgim “E vërteta”, që u hap fillimisht në Saint Louis dhe përfundoi në Filadelfia, ku ishte përqendruar komuniteti me i madh shqiptar. Gazeta me botues dhe kryeredaktor Vangjel Lasko, do të dallohej veçanërisht për shkrimet në mbështetje të Vatrës dhe ideve të Fan Nolit. Publicisti dhe poeti Llukan Lasko, i cili njihej si një njeri me kulturë të gjerë dhe arsimdashës -shkruante se “Programi dhe ideali i “Vatrës”, të përhapura prej peshkop Nolit gjetën oshëtimën e duhur prej popullit shqiptar… sot na jepet rasti që të tregojmë veten tonë në këtë vepër serioze”. Të tilla shkrime në përhapjen e ideve e të mendimeve të Nolit, atdhedashurisë e patriotizmit shqiptar, Llukan Lasko ka shkruar edhe në gazetat “Drita”, “Kombi”, “Dielli”, “Përparimi”, “Liria”, “Liria e Shqipërisë” etj. Vëllezërit Lasko e shoqëruan Nolin nga 1920 deri më 1924, edhe në veprimtarinë e tij politike në Shqipëri, deri në rrëzimin e tij nga Ahmet Zogu. Për shkak të përndjekjeve nga Zogu, së bashku me Luigj Gurakuqin, Qemal Rustemin (vëllai i Avni Rustemit) dhe 800 fanolistë të tjerë mërguan në Amerikë.

Kur u anëtarësua babai tuaj në Vatra?

Kur babai im, Lliko Rrumbullaku  mbërriti në Amerikë, Vatra kishte mbi pesë vjet që ishte themeluar. Mbledhja e parë për të bashkuar të gjitha organizatat shqiptare të Amerikës në një Federatë u bë më 24 dhjetor 1911 në Boston. Kjo mbledhje u thirr prej shoqërisë “Besa-Besën”. Në këtë mbledhje morën pjesë Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Bile komisioni i bashkimit dhe delegatët në mbledhjen që u mbajt më 28 Prill 1912, pasi panë raportet e shoqërive që bashkohen u shprehën: “E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare VATRA e Amerikës, prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”, “Shoqërisë  kombëtare” dhe “Dallëndyshja””. Pleqësia e përkohshme përbëhej nga zotërinjtë: Sekretar –At Fan Noli; arkëtar- Llambi Cikozi; menaxher i Diellit- Kristo Kirka. Organizatorë të degëve të Federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi.

Mbikëqyrës të Diellit: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kristo Vasili.  Menjëherë pas themelimit të VATRËS, u caktua data e Konferencës së Parë për të themeluar degën e Bostonit, më 12 maj 1912, dhe për komunitetet e tjera në Amerikë do të bëhej sipas programit që botohej herë-pas-here te gazeta Dielli. U organizuan grupe vullnetare patriotësh për të krijuar degët e saj në komunitetet shqiptare që jetonin e punonin në shtetet e tjera të  Amerikës si Filadelfia, Konektikat, Nju Jork, Detroit etj. U themelua BANDA VATRA nën drejtimin e Prof. Thoma Nasit, u emëruan delegatët jashtë Amerikës për të çuar zërin e Vatrës si Faik Konica në Europë, Kisha dërgoi Fan Nolin dhe i ndjeri Mehmet Konica në Londër, dhe më në fund në qershor 1917, VATRA hapi Fushatën Historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me fjalët tashmë të mbetura himn e prelud:

“Mbahu nëno mos kij frikë,

Se ke djemtë në Amerikë.”

Jehona e themelimit dhe bashkimit të shqiptarëve të Amerikës rreth VATRËS,  frymës patriotike dhe atdhetare, erdhi edhe në Maleshovë nga vëllezërit Lasko që publikonin veprimtarinë e saj në shtypin e kohës dhe e dërgonin në atdhe. Kështu që babai im, Lliko Rrumbullaku ishte më se i mirëinformuar dhe ëndërronte që një ditë të ishte përkrah Vatrës dhe Nolit. Pra, sapo erdhi në Amerikë, më 28 Nëntor 1919, në festën e festimit të Pavarësisë në mbledhjen që u bë në Boston dhe takimit që pati me Fan Nolin, ku bënë edhe disa foto, ai u anëtarësua te VATRA, u aktivizua në degën e shteteve perëndimore të Amerikës dhe për disa vjet ka qenë sekretar dhe arkëtar i Kryesisë së Degës “VJOSA” të VATRËS në DETROIT, gjithmonë aktivist e patriot i palodhur, dhe i qëndroi besnik deri ne fund.

A ju ka treguar babai për aktivitetin e tij si Sekretar i Degës “VJOSA” të VATRËS në Detroit?

Dega “VJOSA” e VATRËS në Detroit ishte  degë e një komuniteti shqiptar relativisht të madh me vatranë kryesisht përmetarë, korçarë, gjirokastritë, krutanë edhe nga veriu i Shqipërisë. Siç e përmenda më lart maleshovitët e parë që mbështetën Fan Nolin ishin vëllezërit Vangjel & Llukan Lasko, kolonjarët Gani Butka e Zalo Prodani, babai i publicistikës shqiptaro-amerikane, publicisti i shquar Qamil Panariti –që mund të shprehem me plot gojë ishte jataku mbështetës i Fan Nolit, gojëdhënës, përpunues e komentues e veprës së Nolit, së bashku me gruan e tij Sara Panariti një zonjë e mençur dhe e virtytshme. Babai vinte çdo tre vjet në vendlindje dhe investoi në ndërtimin e disa hoteleve, hanit, stallat në pazarin e Përmetit. Por ajo ç’ka unë dua të theksoj babai solli  materiale si: revista, buletine të Vatrës, foto të Fan Nolit me Vatranët, dhe shumë prej tyre unë i mblodha dhe i ilustrova te libri i fundit  “Ekspozitë fotografike, Federata Vatra Qershor 1912”, libër që pati jehonë në Diasporë e Shqipëri. Bile nga vetë gjurmëndjekësi i Fan Nolit, At Arthur Liolini u promovua ky libër në ambientet e Kishës së Shën Gjergjit, Boston, të shoqëruara me videokasetën fotografike. Të gjitha materialet,  babai ia dhuroi shkollave shqipe të krahinës së Maleshovës. Bile shkolla e kësaj të fundit që ekziston edhe sot u ndërtua me fondet e VATRANËVE. Në shkollë përveç klasave ku zhvillohej mësimi u ndërtua edhe salla e kulturës për shfaqjet teatrale. Aty u shfaqën për herë të parë komeditë e A.Z.Cajupit “14 vjeç dhëndër” dhe  “Vëllazëria me interes” e Kristo Floqit, në të cilën kam qenë edhe unë pjesëtar, nuk isha veçse 12 vjeç. Vatranët sillnin e transmetonin kulturën dhe përparimin amerikan në adaptim me vlerat dhe virtytet më të mira të kulturës shqiptare, për ruajtjen e gjuhës, traditës e të identitetit shqiptar. Që nga kjo shkollë dhe sallë kulture ka dalë edhe rregjisori i Pallatit të Kulturës, për 30 vjet, Mico Rrumbullaku.

Kur u kthye babai në Shqipëri vazhdonte t’i mbante lidhjet me Fan Nolin?

Babai vinte herë-pas here investonte dhe kthehej përsëri në Amerikë. Por përfundimisht u kthye në vitin 1958 në Maleshovë. Më pas u zhvendosëm në Tiranë. Babai im asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet me Fan Nolin deri ditën që vdiq.

Të largohemi paksa nga tema. Ju keni emigruar në SHBA-ës, në sajë të nënshtetësisë amerikane nga babai tuaj i nderuar, vatrani Lliko Rrumbullaku. Në më shumë se një dekadë ju kini botuar plot dhjetë libra të cilët dallohen për frymën atdhetare, patriotike, historikun e vendlindjes tuaj, etj, por edhe të vlerësuara nga personalitete e figura të njohura në Diasporë e Shqipëri. Ç’mund të na thoni për këtë punën tuaj kaq të çmuar?

Në librat e mi unë shpreh forcën e shpirtit patriotik e të dijes të materialeve që unë trashëgova nga babai im, Lliko Rrumbullaku, i cili  emigroi për 30 vjet në Amerikë e u shqua si atdhetar e patriot, punëtor e i guximshëm, dëshmoi kulturë e edukatë të lartë, fisnik, anëtar i Shoqatës Vatra me një kontribut të çmuar për Shqipërinë e shqiptarët. Unë në ato libra shkruaj me emocion e mirënjohje, në respekt për Rilindasit, për Frashërllinjtë, për Sejfulla Maleshovën, për vatranët maleshovitë e dëshnicarë, përmetarë e kolonjarë, jugorë e veriorë, për Fan Nolin e Fanolistët, për Konicën e Kristo Floqin, për VATRËN –këtë çerdhe patriotësh, për VATRANËT e AMERIKËS,  për luftën e tyre me pushkë e penë, për shumë patriotë e atdhetarë të njohur në Amerikë që gjetën mbështetje dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre patriotike me mendje, penë e materialisht, për kontributin e tyre të madh për tokën mëmë, për vlerat e larta të identitetit kombëtar. Sepse është fakt i pamohueshëm që shqiptarët janë të pasur nga ndjenjat patriotike dhe këtë unë jam munduar ta reflektoj e pasuroj në librat e mi të botuar tashmë. Shkruaj për emigrantët e rinj, për vatranët e rinj, që me vullnet, guxim e dashuri punojnë e jetojnë, për integrimin e tyre, të vlerave kombëtare e historike ashtu si kanë bërë vatranët e vjetër me Nolin e Konicën në krye.

Mesazhi që ju keni për vatranët e sotëm…

Fedarata Pan Shqiptare VATRA u themelua në një kohë me Pavarësinë e Shqipërisë, duke u shndërruar kështu në një autoritet të fuqishëm e të çmuar kombëtar e ndërkombëtar, me propagandë dhe ndihma pa kursim, edhe vullnetarë në mbrojtje të një Shqipërie të lirë, të pavarur dhe për ta bërë të denjë midis shteteve të Europës. Mesazhi im është që VATRA & VATRANËT e sotëm, të ecin në gjurmët e të parëve, duke i mbajtur të bashkuar shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare rreth saj, pa dallim feje e ideje ashtu si e themeluan e na i lanë trashëgim patriotët shqiptarë me në krye Fan Nolin dhe Konicën, pa paragjykime e influenca të dëmshme. Mesazhi e amaneti im është modest e simbolik: Ta ruajmë VATRËN, – çerdhe patriotësh e atdhetarësh, jo militantësh politikë. Këtë t’ua lëmë amanet edhe brezave në Amerikë, për ruajtjen e vlerave e identitetit kombëtar në atdheun tonë të dytë Amerikën dhe për një Shqipëri, xhevahir në zemër të Europës.

Ju Faleminderit!

Tema

Read 1520 times
Login to post comments

About

PiNESKA ONLiNE eshte komunitet shqiptar ne internet. PiNESKA eshte nje nisme private e filluar ne vitin 2008 prej nje grupi emigrantesh shqiptare ne USA, me qellim lajmet dhe ndodhite nga Diaspora dhe Memedheu. Eshte faqe teresisht falas per te gjithe antaret e saj dhe gjithashtu nuk eshte faqe fitimprurese... stafi i saj, nuk paguhet por bashkepunon ne baze vullnetare. Jeni te mirepritur te na sugjeroni, kritikoni dhe te merrni pjese aktive ne stafin tone.

Online

We have 27 guests and no members online

FOTO

Top
We use cookies to improve our website. By continuing to use this website, you are giving consent to cookies being used. More details…